Bota e futbollit reagon pas përleshjeve vdekjeprurëse në Indonezi (video)

02 tetor 2022 | 12:30

Ekipe të mëdha të futbollit nga e gjithë bota kanë reaguar pas përleshjeve masive në mes të dy tifozërive rivale të ekipeve Arema FC dhe Persebaya Surabaya në Indonezi, nga ku të paktën 174 persona deri më tani janë konfirmuar të vdekur.

Tragjedia e së shtunës mbrëma në qytetin lindor të Malang ishte një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse të stadiumit sportiv në botë.

Policia tha se mijëra tifozë të Arema FC sulmuan fushën në stadiumin “Kanjuruhan”, pasi ekipi i tyre humbi 3-2 ndaj Persebaya Surabaya.

Klubi i Manchester United tha se është thellësisht i pikëlluar nga tragjedia.

“I dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta viktimave, familjeve të tyre dhe të gjithë të prekurve”, shkroi klubi në Twitter.

Klubi i Ajaxit shprehu shqetësim për situatën, duke thënë se nuk duhet të ketë kurrë dhunë në një ndeshje futbolli.

Edhe ekipe të tjera si Arsenal, Manchester City, Liverpool, Chelsea, Tottenham, Bayern Munich e Barcelona, shprehën ngushëllime për jetët e humbura, duke uruar që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se bota e futbollit është në gjendje shoku pas incidenteve tragjike që kanë ndodhur në Indonezi.

“Kjo është një ditë e zezë për të gjithë të përfshirët në futboll dhe një tragjedi përtej të kuptuarit. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve dhe miqve të viktimave që humbën jetën pas këtij incidenti tragjik”, shkroi Infantino.

La Liga njoftoi se do të mbahet një minutë heshtje para të gjitha ndeshjeve të kësaj jave, si ngushëllim për jetët e humbura.

Më poshtë mund t’i shihni disa pamje nga përleshjet. Kujdes! Pamjet mund të jenë shqetësusese për një pjesë të audiencës.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Java e parë e tetorit fillon me mot relativisht të…