Botërori i “VAR”-it, sa shumë penallti në vetëm 13 ndeshje

19 qershor 18:03

Sistemi “Video Assistant Referee” mund të thuhet se ka shkaktuar një revolucion të vërtetë në ndeshjet e para të Botërorit të Rusisë, e këtë e tregojnë shifrat.

Në 13 ndeshjet e para, arbitrat kanë akorduar 8 penallti, duke regjistruar një mesatare prej 0.61 penallti për ndeshje.

Për të parë më mirë efektin që ka pasur sistemi “VAR” është bërë një krahasim me ndeshjet e Botërorëve të mëparshëm.

Në Brazil, shifra e 8 penalltive të akorduara u regjistrua në rreth 26 ndeshje, ndërsa në 2006-n, në Botërorin e Gjermanisë u deshën të luheshin 40 ndeshje që të shënohej shifra e 8 penalltive të akorduara. Mes Brazilit e Gjermanisë është Afrika e Jugut, me 8 penallti të dhëna në 35 sfida.

Ndërhyrja e parë e vërtetë e “VAR”-it u pa në ndeshjen mes Francës e Australisë, në penalltinë e fituar e të ekzekutuar saktë nga Griezmann, që i dha avantazhin 1-0 skuadrës së Deschamps.

Ndërhyrja e sistemit “VAR” u desh edhe në Kroaci-Nigeri, pas një faulli të fituar nga Mandzukiç, e Modriç me qetësinë që e karakterizon e dërgoi topin në rrjetë.

Edhe Peruja e pati mundësinë e saj me një 11-metërsh të fituar pas rënies në zonë të Cuevas. Arbitri verifikoi në ekran episodin, por peruanët e humbën mundësinë e shënimit.

Polemika pati në Suedi-Kore e Jugut. Viktor Claesson ra në zonë, por arbitri vijoi lojën. Koreja nisi sulmin drejt zonës suedeze, kur arbitri kërkoi të verifikojë episodin në “VAR” duke dhënë penallti, diçka që nuk u kontestua nga koreano-jugorët.

Tunizia barazoi përkohësisht rezultatin 1-1 ndaj Anglisë, pas një penalltie të dhënë për një faull nga Ben Youssef. Arbitri i ndeshjes mori konfirmimin nëpërmjet kufjeve nga kolegët e tij.

Sigurisht, jo në të gjitha aksionet është dashur verifikimi i episodeve me “VAR”, por fakti që tashmë ekziston teknologjia, i jep arbitrave një siguri që më parë nuk ekzistonte, pasi kanë mundësi që të rishohin aksionet për të ratifikuar më pas edhe vendimet e tyre.

“VAR” ndryshoi gjithçka. Patjetër që ka ende gabime, por pak nga pak do të implementohet me forcë në panoramën e futbollit botëror./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të…