Botohet edhe një libër për Lëvizjen Studentore të vitit 1997

24 prill 15:53

Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës, Afet Bela, i cili është duke i vijuar studimet për doktoratë, ka botuar një libër, konkretisht punimin e diplomës të masterit, që kishte temë Lëvizjen Studentore të vitit 1997, protestën e saj të organizuar më 1 tetor të ’97-s në Prishtinë.

Ky libër i Belës, me titull “Lëvizja e lirisë” dhe nëntitull “Lëvizja Studentore e vitit 1997 nën vëzhgimin e mediave”, ka pesë kapituj, në të cilët autori ka ndjekur, hap pas hapi, idenë e realizimit të protestës së organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitin 1997, pastaj raportimet e mediave vendore dhe ndërkombëtare për jehonën e asaj ngjarjeje, por edhe të disa të tjerave që ndodhën pas asaj proteste në Prishtinë.

Librit i prinë parathënie shkruar nga autori, më pas vijnë kapitujt Protesta si alternativë, Shtypi i kohës për protestën e 1997-s, Efekti i kësaj ngjarje në Kosovë dhe jashtë saj, Jehona e protestës në media, Protesta dhe qëndrimi i partive politike për protestën, Gazetat në Kosovë në vitin 1997 dhe raportimi i tyre për protestën, Thyerja e status quosë, Shtypi i Shqipërisë dhe raportimet për ngjarjet e ’97-s në Kosovë, Shtypi i Serbisë për ngjarjet e ’97-s në Kosovë, Raportimet e mediave ndërkombëtare për protestën e vitit 1997 në Kosovë. Libri ka edhe një album të fotografive nga realizimi i protestës nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, në të cilin shihen se si, ndër të tjera, policët serbë rrahin, tërheqin zvarrë, gjuajnë me gurë dhe mjete të forta, sjellin me grushte, shqelma dhe me shkopinj prej gome dhe të metaltë, në studentët shqiptarë, të cilët atëkohë kërkonin lirimin e objekteve mësimore që kishin uzurpuar masat e dhunshme serbe.

 

Parathënia e librit

 

Po e nis këtë fjalë, po e quaj të parastësishme, aty ku të gjithë i vënë pikën e fundit librit: ky është libri im i parë. Pas këtij, shpresoj shumë, do ta shkruaj edhe një tjetër. Mbase edhe dy! I hapa rrugë vetes për shkrime akademike me këtë punim të diplomës së masterit, mbrojtur në Departamentin e Gazetarisë të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që kishte kohë më rrinte në kompjuter.

Pas disa plotësimeve që botuesi kishte bërë në libër, më kërkoi ta shkruaj edhe një fjalë nismëtare për të, këtë parathënie që po e lexoni tashti, për përgatitjen e këtij libri për botim, i cili filloi kështu: Revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademisë”, kryeredaktor i së cilës është botuesi i këtij libri, Berat Armagedoni, i dërgova për botim një kapitull të këtij libri. Atë nuk e botoi në numrin e parë të saj, në dhjetor të 2017-s, por në të dytin, në prill të 2018-s. Pasi më ra në dorë revista, e mora e lexova edhe një herë çfarë kisha shkruar. Botimi i një pjese të punimit të diplomës së masterit në këtë revistë serioze, nën përkujdesjen e redaksisë së revistës, më provokoi dhe nxiti të punoj për këtë libër, i cili mund të bëhej më i mirë se kaq po mos të ishte, fillimisht, detyrë shkollore. Megjithatë, duke pasur parasysh se për Lëvizjen Studentore të vitit 1997 është shkruar shumë pak, ky punim do t’u shërbejë – për informacion dhe për bibliografi, studentëve dhe studiuesve të ardhshëm.

Sa ishte dorëshkrim kishte tjetër titull. Tashti që u bë libër ka këtë titull Lëvizja e lirisë e këtë nëntitull Lëvizja Studentore e vitit 1997 nën vëzhgimin e mediave. Pra, objekt studimi është Lëvizja Studentore e vitit 1997 nën vëzhgimin e mediave të Kosovës, atyre serbe dhe të mediave më të mëdha e më të rëndësishme të botës, të cilat kthyen mendjen, sytë dhe veshët, nga Kosova, nga studentët e Universitetit të Prishtinës, nga rinia dhe i gjithë populli i saj dhe, në bashkëpunim me to, duke paraqitur të vërtetën për popullin shqiptar dhe për masat e dhunshme serbe që atëkohë në Kosovë nuk linin gjë pa bërë keq në dëm të popullsisë vendëse shqiptare, vite më pas krisi lufta e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e, disa muaj pas luftës, nisi intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë, duke çliruar Kosovën nga pushtuesi i huaj që ishte përbrenda saj kohë të gjatë.

Për ta parë raportimin e mediave shqipe dhe të huaja, për ngjarjet e vitit 1997 dhe për veprimtarinë e Lëvizjes Studentore pikërisht në këtë vit, u dashtë t’u drejtohemi institucioneve (bibliotekave dhe arkivave) për të mbledhur materiale çfarë u kishin mbetur pa dëmtuar nga lufta; organizatorëve të Lëvizjes Studentore dhe të protestave të vitit 1997 për të realizuar intervista për funksionimin e Lëvizjes Studentore dhe për organizimin e protestës së 1 tetorit; analistëve të mediave, teoricienëve të tyre, udhëheqësve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e disa dëshmitarëve që, në ato ditë proteste dhe lufte ende të pashpallur, po ashtu sikurse mediat që bënin punën e vet, raportonin për publikun për ngjarje të rëndësishme dhe me interes për ta, i kallëzonin edhe ata njëri-tjetrit ndodhi nga takimet që kishin me krerë të shtetit, pak ditë para protestës së 1 tetorit të vitit 1997 dhe pas reflektimit që kjo protestë ka pasur në opinionin e brendshëm dhe në atë të jashtëm.

Sikundër do të lexojmë nga intervistat dhënë nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore për nevoja të këtij punimi, synimi i tyre dhe i Lëvizjes nuk ishte vetëm kthimi i studentëve në objektet mësimore dhe kthimi i normalizimit të procesit mësimor në Kosovë, por fillimi i realizimit të një epoke të re për Kosovën e që nënkuptonte, ashtu siç deklarohej në qindra protesta të organizuara nga të rinjtë shqiptarë të asaj kohe, pavarësia dhe demokracia e Kosovës. Por, kjo kërkesë përbënte rrezik. Rrezik të madh jo vetëm për pak veta, por për një popull të tërë i cili komandohej nga Beogradi.

Ata pak veta që vendosën ta sakrifikojnë veten për të ardhme më të mirë të Kosovës janë pjesë e këtij libri. Atëkohë ishin studentë të Universitetit të Prishtinës. Janë ata që, pos nën vëzhgimin e mediave vendore dhe të huaja, vëzhgoheshin edhe nga agjenturat serbe që vepronin në Kosovë dhe mbanin shënime për cilido shqiptar që vepronte për çështje kombëtare. Dhe ato agjentura, pasi kryenin detyrën e vet, i përcillnin krerët e Lëvizjes Studentore kudo që hynin e që dilnin dhe raportonin për ta në stacionet policore, pastaj u vinte radha të tjerëve të merreshin me organizatorët e Lëvizjes Studentore dhe të protestave të shpeshta, veçanërisht të atyre të 1 tetorit të vitit 1997. Kështu që, flasin në këtë libër ata që u shkrepi ideja për ta realizuar një protestë të madhe, e cila ndryshoi gjendjen në Kosovë dhe, prej atij çasti, nisi shpërbërja e pjesës së mbetur jugosllave edhe në Kosovë.

Së këndejmi, duke parë raportimet e mediave të ndryshme, sidomos atyre shqipe dhe atyre serbe, bëhet njëfarë përballje rreth pasqyrimit dhe mbulimit të ngjarjeve të ndodhura në vitin 1997, sidomos në muajin tetor, kur protestuesit shqiptarë nga mediat shqipe konsideroheshin viktima, çfarë dhe ishin, kurse nga mediat serbe rebelë, çfarë i konsideronin. Në këtë mes, për ta matur në një masë të vërtetën e të ndodhurave në Kosovë në ngjarjet e protestës së 1 tetorit të 1997-s, është shtypi i huaj, i cili raporton saktë si dukej gjendja reale, si e paraqisnin mediat shqipe dhe mediat e serbe protestën dhe dhunën e policisë serbe të ushtruar mbi protestuesit, që ishin profesorë fakulteti, studentë, mësues, nxënës, bujq, amvise e çfarë nuk gjeje atë ditë në Prishtinë.

Dhe, atë që nuk e thashë në fillim, po e them në fund të kësaj parathënie. Shpreh falënderim për mentorin tim të këtij punimi, prof. dr. Agim Zogaj, i cili, me këshillat dhe sugjerimet, i shtoi vlerën këtij libri.

Falënderoj edhe profesor Milazim Krasniqin, i cili, duke pasur kujtesë të freskët për ngjarjet e 1 tetorit, më dha shumë informacione për mediat që kishin raportuar për atë protestë të organizuar nga Lëvizja Studentore më 1 tetor 1997.

Edhe këshillat profesionale të profesor Bajram Kosumit, Driton Lajçit, Bujar Dugollit ishin mjaft të rëndësishme për ta organizuar këtë punim siç është tash.

Pos këtyre, ndihmesë të madhe më ka dhënë Muhamet Mavraj, i cili, duke ditur rëndësinë e medias më shumë se cilido prej këtyre më lart, pasi që është botues gazete dhe atëkohë ishte një ndër organizatorët e Lëvizjes Studentore për protestën e 1 tetorit të ’97-s dhe kryeredaktor i të vetmes media të lirë shqipe, Botës së re, nuk ngurroi të më përgjigjej në disa pyetje që disa krerë të tjerë të Lëvizjes hezitonin të më përgjigjeshin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David Alaba nuk është stërvitur sot me skuadrën në prag…