Botohet “Kërpudha magjike” e Ymer Elshanit

20 prill 2023 | 18:26

Ka dalë sot nga shtypi, nën përkujdesjen e të bijës së autorit Ymer Elshani, Teuta Y. Elshani, libri me ilustrime “Kërpudha magjike”, bazuar në tregimin po me këtë titull të shkrimtarit Ymer Elshani. Përzgjedhjen e tekstit e ka bërë Teuta Y. Elshani, ilustrimet i ka punuar Uran Bahtijari, faqosjen dhe dizajnin Venera Alshiqi, kurse botimin e ka bërë shtëpia botuese “Armagedoni”.

E bija e shkrimtarit të mirënjohur dhe të dashur për fëmijë, Teuta, ka thënë se këtë kënaqësi të botimit të veprës të të atit po e ndien si asnjëherë më parë pasi që për botimin e saj është përkujdesur vetë. “Kam pasur dëshirë që nga krijimtaria e babait të bëj një përzgjedhjeje të tregimeve dhe t’i botoj disa vëllime. Fillova me ‘Kërpudha magjike’ e do të vazhdoj me të tjerë. Këto libra me ilustrime, këto tregime të shkurtra, me ilustrime paralele për ndodhi, në vendin ku sot jetoj dhe punoj, në Amerikë, kërkohen dhe lexohen shumë. Do të ishte mirë që libra të tilla të shpërndaheshin sa më shumë në shkollat e Kosovës nga Ministria e Arsimit, e Kulturës, nga botuesit. Unë kam bërë plan që disa ekzemplarë t’i jap për disa shkolla. E di që shumë biblioteka shkollore, mijëra nxënës, kanë nevojë jo vetëm të lexojnë tregime, por edhe t’i shohin ndodhitë e tregimeve të ilustruara në letër. Kujtimin për të atin tim, Ymerin, për familjarët e mi, të cilët në kohën e luftës serbët m’i vranë, po e ruaj dhe po e përcjell te brezat e rinj nëpërmjet ribotimit të veprave të tij”, ka thënë për gazetën “Epoka e re”, Teuta, e cila dje, nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar “Medaljen Presidenciale të Meritave” e cila i është ndarë post-mortem shkrimtarit Ymer Elshani.

Po këtë javë, nën përkujdesjen e të bijës së autorit, Teuta Y. Elshani, ka dalë nga shtypi edhe vëllimi prej katër veprash i shkrimtarit Ymer Elshani.

Shënime për Ymer Elshanin

Ymer Elshani, shkrimtar shqiptar, ka lindur më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Filologjisë për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Një kohë të gjatë ka punuar në arsim. Ka botuar dhjetëra libra me poezi, tregime dhe romane për fëmijë. Është vrarë dhe masakruar më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të Vjetër të Drenasit bashkë me gruan, katër djemtë, nënën, kunatën dhe me rreth gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij. Masakrës i ka shpëtuar vajza e tij, Teuta, e cila, gjatë tragjedisë që zhvillohej në Poklek të Vjetër, gjendej në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se…