Botohet libri me tregime të zgjedhura i Adil Ollurit

15 nëntor 2023 | 10:22

Shtëpia botuese “Onufri” ka botuar librin me tregime të zgjedhura me titull “Kthimi i babait” të shkrimtarit të njohur Adil Olluri.

Ky vëllim me tregime së shpejti do të jetë në libraritë e ndryshme shqiptare, nga sot edhe në shtandin e shtëpisë botuese në Panairin e Librit “Tirana”, i cili është hapur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Kjo vepër e shkrimtarit Olluri do të promovohet në kuadër të panairit, me datë 19 nëntor, në orën 11:00, në shtandin e shtëpisë botuese “Onufri”.

“Kthimi i babait” është një përzgjedhje e tregimeve nga dy librat e mëparshëm të shkrimtarit Adil Olluri, si “Shumë rrugë dhe një rënie” (Parnas, Prishtinë, 2013) dhe “Kthimi i profetit” (Armagedoni, Prishtinë, 2019). Po në të janë të përfshirë edhe dy tregime të shkruara vitet e fundit, si “Mjaullima” (i botuar në të përjavshmen për letërsi dhe kulturë “ExLibris”, 2023) dhe “Legjenda për ditët e murtajës” (i botuar në revistën letrare “Jeta e re”, 2023).

Nga përmbledhja “Shumë rrugë dhe një rënie” janë përzgjedhur këto tregime: “Kthimi i babait”, “Vrasja e Talit”, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe “Panairi i ëndrrave”.

Ndërsa nga përmbledhja “Kthimi i profetit” janë përzgjedhur këto tregime: “Barku i balenës”, “Transistori”, “Plaku dhe tri fotografitë”, “Tender për transport kufomash” dhe “Kozmosi i një të ndryshmi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shënuar dyvjetorin…