BQK-ja mban takim periodik për shqyrtimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Punës
Banka Qendrore e Kosovës mbajti takim periodik me menaxhmentin e lartë dhe drejtuesit e njësive organizative, me qëllim shqyrtimin e progresit në zbatimin e Planit Strategjik 2024-2028 dhe Planit të Punës së BQK-së.
Në takim u diskutuan rezultatet, arritjet kryesore dhe sfidat e identifikuara nga secila njësi organizative, në funksion të forcimit të koordinimit të brendshëm institucional, avancimit të reformave dhe sigurimit të zbatimit efektiv të objektivave strategjike të BQK-së.
Në hapje të saj, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi rëndësinë e përcjelljes së vazhdueshme të zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Punës, si instrumente kyçe për orientimin e punës institucionale, rritjen e llogaridhënies, prioritizimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve të BQK-së në përmbushje të mandatit të saj ligjor.
“Zbatimi i Planit Strategjik kërkon angazhim të përbashkët, koordinim të vazhdueshëm dhe fokus të qartë në rezultate. Ky proces na mundëson të vlerësojmë progresin, të adresojmë sfidat dhe të sigurojmë që reformat tona institucionale të avancojnë në përputhje me objektivat strategjike, standardet evropiane, si dhe nevojat e ekonomisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi guvernatori Ismaili.
Gjatë takimit, me kontributin e zëvendësguvernatorëve, njësitë organizative prezantuan progresin në fushat përkatëse të përgjegjësisë, përfshirë forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e mbikëqyrjes dhe rregullimit financiar, modernizimin e sistemeve të pagesave, zhvillimin e statistikave dhe analizave, përmirësimin e qeverisjes së brendshme, digjitalizimin, menaxhimin e rrezikut, komunikimin institucional dhe forcimin e kapaciteteve profesionale.
BQK-ja ritheksoi përkushtimin për zbatimin e reformave të parapara në Planin Strategjik 2024-2028, me fokus në ruajtjen e stabilitetit financiar, përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, modernizimin e infrastrukturës financiare, rritjen e transparencës dhe avancimin e shërbimeve financiare në dobi të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
Takime të tilla periodike përbëjnë pjesë të rëndësishme të qasjes së BQK-së për planifikim, monitorim dhe llogaridhënie zinxhirore institucionale, duke siguruar që objektivat strategjike të përkthehen në veprime konkrete, rezultate të matshme dhe reforma të qëndrueshme.



