Broja: Drita, pretendente kryesore për titull

21 shtator 20:00

Skuadra e Dritës e ka nisur mirë edicionin e ri të futbollit në BKT Superligë, pasi është e dyta në renditjen tabelore me pikë të barabarta me Ballkanin. Gjilanasit kanë fituar tri ndeshje dhe kanë barazuar në dy prej tyre.

Futbollisti Rron Broja ka thënë të martën për “Epokën e re” se Drita është favorite kryesore në garën për titull për faktin se ka një skuadër shumë cilësore. “Gara për titull të kampiones do të jetë e vështirë sepse ka shumë skuadra që garojnë për këtë trofe, por ne kemi një skuadër mjaft cilësore dhe besoj se do të jemi pretendentët kryesorë”, ka thënë Broja.

Mesfushori Broja në vitin 2018 u transferua te Shkupi ku luajti një vjet dhe më pas u transferua te Partizani i Tiranës. Ai në afatin kalimtar të verës vendosi të rikthehet në futbollin e Kosovës. Broja ka thënë se gjithçka ka ndryshuar në futbollin e Kosovës në krahasim me kohën kur ai mbronte ngjyrat e Trepçës ’89. “Ka shumë ndryshim në aspektin organizativ, ngritje të cilësisë dhe shumëçka tjetër. Kjo është e mirë për futbollin e Kosovës dhe besoj se do të vazhdojnë ndryshimet pozitive”, ka shtuar Broja, i cili ka bërë me dije se në Shqipëri është infrastruktura më e mirë.

Ndeshjen e radhës skuadra e Dritës e zhvillon me rivalin lokal, Gjilanin, në kuadër të javës së gjashtë të elitës. Kjo ndeshje zgjon interesim tek adhuruesit e sportit, sepse është derbi më i madh në Kosovë. Broja beson se skuadra e tij do të marrë një rezultat pozitiv. “Si gjithmonë do të jetë një ndeshje derbi e vështirë për të dyja skuadrat. Ne jemi duke u përgatitur dhe shpresojmë që të dalim me rezultat pozitiv”, ka përfunduar ai.

25-vjeçari ka qenë pjesë e Shqipërisë U21, më pas edhe e Kosovës U21, ndërkohë që është ftuar tri herë edhe nga Përfaqësuesja A.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa parti opozitare i kanë…