Bruto Produkti Vendor shënoi rritje reale për 4.7 për qind

28 shtator 2018 | 15:49

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të enjten raportin për Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e dytë (TM2) 2018, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.

BPV-ja në TM2 të vitit 2018 ka shënuar rritje reale për 4.7 për qind në krahasim me TM2 të vitit 2017.

Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (33.1 për qind); industria nxjerrëse (6.5 për qind); tregtia me shumicë dhe pakicë (5.6 për qind); ndërtimtaria (5.2 për qind); transporti dhe magazinimi (5.1 për qind); administrimi publik (5.0 për qind); hotelet dhe restorantet (3.5 për qind); afarizmi me pasuri të patundshme (2.0 për qind); bujqësia, gjuetia, pylltaria (0.9 për qind); industria përpunuese(0.2 për qind).

Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e furnizimit me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave (4.2 për qind).

Sipas ASK-së, BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit (12.2 për qind); eksportin e mallrave dhe shërbimeve (12 për qind); importin e mallrave dhe shërbimeve (11.7 për qind); shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (4.7 për qind); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jo përfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) (4.4 për qind), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë të dënuarve në rastin e njohur si “Izraeli”…