Burri që dyshohet se vrau gruan në Llaushë u dorëzua vetë në polici (VIDEO)

06 janar 2022 | 08:45

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku dyshohet se bashkëshorti ka vrarë gruan e tij.

Burime të Klan Kosovës brenda Prokurorisë Themelore të Mitrovicës bëjnë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në dhomën e ditës të shtëpisë së çiftit, ku burri 51-vjeçar me inicialet S.Q. ka shtënë me armë zjarri në drejtim të gruas së tij 48-vjeçare me inicialet L.Q.

Viktima, me plagë të rënda, është dërguar në urgjencën e qytetit, derisa drejtori i QKMF-së në Skenderaj, Agron Mehmeti, ka konfirmuar për Klan Kosovën se viktima ishte sjellë me shenja jete. Më pas, e njëjta menjëherë është nisur drejt Spitalit të Mitrovicës, por atje ka arritur pa shenja jete, pasi viktima nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve të marra.

Trupi i viktimës, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërkohë, burimet e njëjta pranë prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, pas kryerjes së aktit, është dorëzuar në stacionin policor. Pas intervistimit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Te i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me tre fishekë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja.

Familjarët e çiftit nuk kanë pranuar të prononcohen për Klan Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së Partisë Demokratike…