Buxheti i Kosovës humb miliona euro nga Ligji për sponsorizime

13 qershor 2021 | 15:08

Rreth 4 milionë euro i ka humbur buxheti i shtetit që prej kur ka nisur së zbatuari Ligji për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Ky ligj i cili ka hyrë fuqi nga mesi i vitit 2019, vazhdon të kundërshtohet nga ana e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK) pasi, sipas tyre, ka reflektime negative buxhetore nga viti në vit, por edhe po keqpërdoret nga bizneset.

Ani pse pritjet kanë qenë që brenda një viti, sponsorizimi do të arrijë deri 30 milionë euro në vit për mbështetjen e sportit, ekspertë të ekonomisë thonë se duhet të rishikohet ky ligj për t’i eliminuar abuzimet e mundshme nga korporatat.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tregojnë se vlera e përfituar prej këtij ligji është rreth 6 milionë euro që, sipas kësaj ministrie, nuk është e mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha kërkesat nga komuniteti sportiv.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se ligji në fjalë ka pasur një efekt të lartë në zvogëlimin e të hyrave tatimore në buxhetin e Kosovës si shkas i aplikimit të kësaj të drejte nga ana e bizneseve për ta mbështetur sportin.

Murtezaj ka shprehur dyshimet e mundshme të keqpërdorimit të këtij ligji nga ana e bizneseve. Ai ka theksuar se kanë propozuar në Ministrinë e Financave që të rishikohet kjo dispozitë juridike për t’i parandaluar mundësitë e keqpërdorimeve eventuale.

Eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti, thekson se, përkundër që ligji është i avancuar dhe në harmoni me direktivat e BE-së, nuk ka arritur pritshmëritë për sponsorizim.

Edhe Ahmeti nuk përjashton mundësinë e keqpërdorimit të këtij ligji nga kompanitë me anë të pastrimit të parave, fshehjes së tatimit. Megjithatë, për ta rregulluar këtë çështje duhet plotësim i ligjit bazik.

Ligji për sposorizime, përkatësisht neni 12 që iu përket zbritjeve të lejuara, sponsorizuarit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind nga tatimi në fitim sipas këtij Ligji.

Ndërsa të sponsorizuarit në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja njëzet për qind nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave. /Kp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javë më parë u konfirmua prania e gripit të shpezëve,…