Buxheti për komunën e Mitrovicës për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro

24 nëntor 2022 | 11:03

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë prezantuar dje para qytetarëve të Komunës së Mitrovicës, buxhetin për vitin 2023.

Kurti tha se buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro, dhe së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati diskutuan më në detaje se si dhe ku është paraparë ndarja e buxhetit për këtë komunë.

Disa nga projektet me interes për qytetarët e kësaj komune që veçoi kryeministri e që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm janë trajtimi i rrugëve të rëndësishme të Shalës së Bajgorës: Rruga Bare-Selac, Rruga Maxherë-Dedi – Bistricë dhe rehabilitimi i rrugëve Bislim Bajgora dhe Agim Ramadani, teksa janë alokuar 1 milion euro për programin për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore të qytetit.

Përveç investimeve në vlerë prej 3 milionë euro për Ndërmarrjen Trepça, që parashihen në buxhetin për vitin e ardhshëm, janë ndarë 1.4 milion euro për renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, kurse për ruajtjen e trashëgimisë e për kulturë, në vitin e ardhshëm janë planifikuar mjete për rehabilitimin e Xhamisë së Mazhiqit, rehabilitimin e Qytetit të Vjetër të Trepçës dhe rindërtimin e disa objekteve tjera kulturore.

E falë miratimit të dy marrëveshjeve ndërkombëtare për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë dhe Vushtrri, kryeministri Kurti shtoi se projekti i financuar nga BERZh dhe Banka Investive Evropiane, që tejkalon vlerën prej 30 milionë euro, parasheh rregullimin e ujërave të zeza dhe trajtimin e tyre nga lumenjtë Ibri, Sitnica, Trepça dhe Lushta.

Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e djeshme, e martë, në Komunën e Prizrenit dhe do të vazhdojë të prezantohet dhe në komuna të tjera ku qytetarët do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë dhe shprehin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023. Prezantimi i radhës do të jetë në Komunën e Prishtinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Llapit e ka fituar turneun përkujtimor “Rama-Domi” që…