Cassano: Totti do të harrohet, vetëm Messi, Maradona dhe Cruyff janë të përjetshëm

27 tetor 2021 | 16:58

Antonio Cassano mbron Luciano Spallettin dhe thotë se Francesco Totti do të harrohet pas 20 vjetëve pasi vetëm Leo Messi, Diego Maradona dhe Johan Cruyff janë të përjetshëm.

Tifozët e Romës brohoritën emrin e Tottit dhe vazhduan ta fajësojnë Luciano Spallettin kur trajneri toskan u kthye në “Stadio Olimpico” të dielën për t’u përballur me Romën.

Cassano, një ish-sulmues i Romës, mbrojti teknikun e Napolit dhe çuditërisht sulmoi ish-bashkëlojtarin e tij. “Ato goditje kundër Spallettit janë një turp. Ai bëri gjëra të mahnitshme në Romë dhe e donte klubin”, ka deklaruar Cassano gjatë emisionit “Twitch Bobo TV”, të drejtuar nga ish-sulmuesi i Italisë, Christian Vieri.

“Për çfarë? Sepse e bëri Tottin të pensionohej? Çmendem kur i dëgjoj këto gjëra. A po më thoni që Totti doli në pension sepse nuk luajti nën Spallettin? Kam luajtur në Romë, kështu që e di për çfarë po flas. Për mua është një skandal dhe më vjen keq ta them këtë sepse kam kaluar shumë mirë në Romë. Spalletti duhej të bënte zgjedhjet e tij dhe kur u kthye, u kualifikua në Ligën e Kampionëve. Tifozët duhet të mendojnë për të mirën e Romës, Spalletti nuk meritonte kritika, por vetëm lëvdata. Nuk e meritonte”, ka deklaruar ish-sulmuesi italian.

“Totti do të harrohet pas 20 vjetësh, vetëm Messi, Maradona dhe Cruyff janë të përjetshëm. De Rossi ishte ‘Capitan Futuro’, por ai është harruar, nuk kam parë kurrë dikë që e do Romën aq shumë sa ai. Totti e do Romën, De Rossin 100 herë më shumë”, ka shtuar Cassano, i cili kaloi katër vjet e gjysmë në kryeqytet, duke shënuar 52 gola në 161 paraqitje. Më pas ai u transferua në Real Madrid, ku qëndroi vetëm për një vit e gjysmë përpara se të kthehej në Serinë A, duke iu bashkuar Sampdorias. Ai, gjithashtu, luajti me Interin, Milanin dhe Parmën gjatë karrierës së tij si lojtar para se të pensionohej në vitin 2017.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupi i gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Charles L Smith…