Cenimi i stabilitetit financiar është cenim i sigurisë kombëtare, kujdes me BQK-në

04 qershor 2023 | 10:32

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Në realitetin kosovar mjerisht kritika pranohet si armiqësi e jo si nënë e të mësuarit!
Nuk është etike dhe profesionale vetëm të kritikosh pa dhënë argumente të mjaftueshme, por nga kritika duhet jepen edhe rekomandime se si të dilet nga situata apo problemi i krijuar!.
Nuk është opinion politik, por profesional sepse e kuptoj rëndësinë e Bankës Qendrore të Kosovës, në veçanti në këto kohë të krizës ekonomike që i ka tronditur, jo vetëm bankat në SHBA, por edhe ato në Evropë e sidomos në Zvicër, Gjermani dhe Francë.
Shumë shtete të zhvilluara evropiane janë në recesion ekonomik falë inflacionit, kurse në Kosovë eksperimentohet dhe politizohet me një institucion me rëndësi, jo vetëm me rëndësi ekonomike, por edhe me siguri kombëtare çfarë është BQK-ja e cila ka mbetur më tepër në mëshirë të kohës sesa në menaxhimin e mirëfilltë dhe profesional!.
Më 07 prill 2023 të Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendi të Kosovës, ka vendosur të miratojë propozimin në bazë të Rregullores së Kuvendit. Ky propozim konsideroj që veçse është konsumuar në pasi që s’kishte marrë numrin e mjaftueshëm të votave, gjë që procesin e bënë proceduralisht jo ligjor, pasi që ky propozim (i pa mbështetur nga komisioni) sillet sërish në Komision.
Komisioni minimumi që duhej bërë do të ishte konsultimi me zyrën ligjore për veprime të mëtejshme apo do të duhej të përcillet propozimi i panelit në seancë, duke respektuar parimin e barazisë dhe parimet e aktet tjera që ky proces të përmbyllej suksesshëm meqë institucioni aktualisht është në një situatë të rëndë të jo funksionalitetit.
Lidhur me këtë deri me tani janë disa rrethana që praktikisht kanë ndodhur dhe që rrezikojnë që institucioni të mbetet pa guvernator dhe funksionimi i tij të bllokohet totalisht.
Rrethanat që karakterizuan ketë proces janë:
-Diskriminimi që është bërë duke mos u trajtuar barabartë kandidatët në këtë proces në rrethana kushte dhe poentim absolutisht të njëjtë dhe duke ngritur dilema për këtë proces.
-Juridikisht procesi bëhet edhe më i cenueshëm kur Komisioni në vend që të eliminoj shkeljen e parë të barazisë nga dy anëtarë të panelit, nis një narracion për kthim në zero të procesit duke bërë po ashtu shkelje, pasi që për çështjen apo propozimin e njëjtë ka votuar dy herë në Komision.
-Rregullorja e Kuvendit krejt qartë përcakton diçka tjetër, nga ajo që ka proklamuar apo vendosur Komisioni, e sidomos pasi që rrethanat faktike dhe dëshmitë e procesit janë ndryshe për plotësimin e kushteve nga kandidatët e propozuar. Pra sipas vlerësimeve kandidatët e propozuar dhe kandidati tjetër po ashtu me numër katër duke shkelur rendë parimin e barazisë para ligjit nga dy anëtarë të panelit, pra kandidatët kanë plotësuar dhe i plotësojnë tërësisht kushtet dhe kriteret e parapara me ligj dhe me konkurs.
-Nuk ka asnjë rrethanë faktike dhe bazë juridike që procesi të kthehet nga e para sipas nenit si më sipër, meqë ekzistojnë përcaktime të tjera nga Rregullorja e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe rrethana faktike tjera.
-Shterja e procesit duhet të bëhet vetëm në seancë me qëllim që të evitohen shkeljet e cekura më lartë pasi që është përcaktim specifik i rregullores ku asnjëri nga kandidatët nuk merr numër të nevojshëm të votave.
-Duhet theksuar se sipas vlerësimit të Panelit dhe Projektit të Ambasadës Britanike, kandidaturat përkatëse i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e parapara me ligj dhe me konkursin përkatës .
-Vendimi i fundit i Bordit të BQK-së për të nisur proces të ri përbën shkeljen më të rëndë deri me tani pasi që nis një proces pa u shterur në Kuvend dhe të pa bazuar në fakte, argumente dhe ligjet përkatëse.
Bazuar në atë që u tha më sipër dhe në urgjencën e zgjedhjes së Guvernatorit rekomandoj si në vijim:
-Të mblidhet në mënyrë urgjente Komisioni përkatës i Kuvendit dhe t’i kërkoje bordit të BQK-së, që ta ndërpres procesin e nisur pa u shterur me votim në Kuvend.
-Të përcillet propozimi i Panelit për votim në Kuvend duke respektuar parimin e barazisë, përkatësisht duke evituar shkeljen e bërë nga dy anëtarë të panelit e të dokumentuar në shkresat e propozimit.
-Të merret me seriozitet zgjedhja e guvernatorit nga kjo listë dhe në këtë fazë pasi që çdo rrethanë e re dhe prolongim i mëtejmë me hapje të procesit të ri do të jetë i dëmshëm dhe me pasoja të pariparueshme.
-Nuk mund të fillohet ndonjë proces rreth zgjedhjeve në BQK pa një epilog nga Kuvendi i Kosovës rreth asaj, se si ka qenë mbarëvajtja e këtij procesi deri më tani duke pasur parasysh parregullsitë që e kanë përcjell deri më tani!
A duhet prapë vendimet të përfundojnë në gjykata edhe në atë kushtetuese ndoshta!
Ku proces duhet të depolitizohet dhe të ketë orientim profesional e në interes të shtetit e jo të i shërbej grupeve politike e militantëve partiak!
BQK-ja është e Kosovës dhe jo atyre që mllefin e dështimit në karrierë e gjejnë në servilitet ndaj politikës e në dëm të shtetit e ne veçanti të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bedri Halimi Në vazhdën e gjykimeve të personave të…