Certifikohen 16 fasilitatorë të rinj,  Gërvalla: Puna e tyre do të ketë ndikim në mbrojtjen e grave, fëmijëve dhe shoqërisë në përgjithësi

26 maj 2026 | 12:20

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së dytë të fasilitatorëve (lehtësuesve) për “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, ku u certifikuan 16 fasilitatorë të rinj.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Gërvalla theksoi se luftimi i dhunës ndaj grave kërkon qasje të plotë institucionale, ku mbështetja dhe siguria e viktimave mbeten prioritet i padiskutueshëm, ndërsa kryerësit e dhunës duhet të përballen me përgjegjësi dhe trajtim të duhur institucional.

Ajo nënvizoi se nuk mjafton të punohet vetëm me viktimat, nëse nuk trajtohen edhe shkaqet dhe sjelljet e dhunuesve, duke theksuar rëndësinë e ndryshimit të mendësive dhe ndërprerjes së ciklit të dhunës në shoqëri.

“Siguria dhe mbështetja e viktimave duhet të jetë qenësore dhe e pa kompromis, përderisa kryerësit e dhunës duhet të marrin dënimin e merituar. Mirëpo, nuk mjafton tashmë të punohet vetëm me viktimën, përderisa kryerësi i dhunës mbetet me mendësinë e njëjtë dhunuese dhe vazhdon ciklin e dhunës. Prandaj, Kosova ka parë të domosdoshme që ta luftoj dhunën edhe nga ana tjetër, ajo e dhunuesit, sepse vetëm një burrë i lig, i dobët, ngre dorë mbi një grua, e aq më pak mbi gruan e tij”, deklaroi ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla rikujtoi se raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2022 kishte evidentuar mungesën e programeve të standardizuara për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave në Kosovë, ndërsa sot Programi Kombëtar po zbatohet me sukses në Burgun e Dubravës dhe, me certifikimin e gjeneratës së dytë të fasilitatorëve, do të shtrihet në të gjitha qendrat korrektuese të Kosovës.

“Prandaj u ndërmorën hapa drejt adresimit të rekomandimeve të këtij Raporti duke hartuar Programin e parë Kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave.”, tha ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla përgëzoi 16 fasilitatorët e certifikuar për gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre në marrjen e këtij roli të rëndësishëm, duke theksuar se puna e tyre do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e grave, fëmijëve dhe shoqërisë në përgjithësi.

“ Ju do të punoni në rrethana jo gjithmonë të lehta, prandaj nga ju presim që këtë program ta zbatoni me përgjegjësi të lartë dhe në çdo sesion të keni në mendje sigurinë dhe mirëqenien e viktimave dhe të mbarë shoqërisë sonë. Uroj të ndiheni krenarë që përmes punës dhe angazhimit tuaj do të kontribuoni në ndryshimin që shoqëria jonë ka aq shumë nevojë ta shohë dhe ta ndjejë duke ndikuar që gratë të jetojnë pa dhunë dhe fëmijët të rriten në ambiente të sigurta e të ngrohta”, tha ministrja Gërvalla.

Për mbështetjen dhe përkrahjen në këtë proces, Ministrja Gërvalla falënderoi Këshillin e Evropës, duke bërë të ditur se progresi i arritur në këtë fushë do të prezantohet edhe në konferencën ndërkombëtare të Këshillit të Evropës që do të mbahet në Budapest.

Në fund, ministrja Gërvalla ritheksoi se luftimi i dhunës ndaj grave mbetet përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të vazhdueshëm mund të ndërtohet një shoqëri ku gratë dhe vajzat jetojnë me dinjitet, siguri dhe pa dhunë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të…