Çështja e dinarit nuk ndikon në jetën e serbëve, thotë Less

13 mars 2024 | 09:40

Njohësi i çështjeve të Ballkanit dhe Hulumtuesi në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less, beson se rregullorja e Bankës Qendrore e Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare, në territorin e Kosovës nuk ndikon në jetën e komunitetit serb në Kosovë, meqë të njëjtit mund të përdorin valutën euro dhe të vazhdojnë të jetojnë pak a shumë njëjti si kanë jetuar deri më tani.

Serbia, në vlerësimin e tij, duhet të jetë e gatshme “t’i financojë institucionet paralele dhe t’i paguaj pensionet dhe ndihmat sociale me euro”.

Arsyeja e indinjatës së serbëve me këtë vendim, argumenton Less, qëndron te fakti se refuzojnë t’i pranojnë lëvizjet e Kosovës, e cila në nivel simbolik dërgon mesazhin se Kosova nuk është pjesë e Serbisë.

“Dëshmia e kësaj është se Kosova nuk e përdor dinarin, gjë që serbët nuk e pranojnë, veçanërisht serbët që jetojnë në Veri të Kosovës dhe duan të mbeten pjesë e Serbisë”, thotë ai në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

I deleguar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor në një konferencë për media të martën – bisedë kjo e cila parapriu vizitës së tij në Kosovë – rikonfirmoi se Amerikanët kanë probleme në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin”, ka pohuar ai.

Probleme në komunikim me Kurtin, sipas Escobar, nuk kanë vetëm Amerikanët, por edhe pjesa tjetër e botës perëndimore.

“Dhe jo, vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Escobar ndër të tjera e ka quajtur rregulloren e BQK-së dhe rrjedhimisht ndalimin e dinarit në Kosovë “katastrofal”.

Prandaj, ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtarëve për mënyrën se si po e trajton komunitetin serb në këtë rast.

“Qeveria nuk ofroi alternativ si t’i pranojnë pagesat dhe këta njerëz u privuan nga to. Duhet që Qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai.

Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb.

Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë, do të ketë në fokus një “zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përdhunimi masiv ishte një krim i zakonshëm lufte gjatë luftërave…