Çetniku i Serbisë, në rreshtat e parë në fjalimin e Putinit

22 shkurt 2023 | 08:14

Bratislav Zhivkoviç, komandant i të ashtuquajturës Lëvizje Çetnike, dëgjoi nga rreshtat e parë fjalimin e presidentit rus Vladimir Putin, i cili, tri ditë para përvjetorit të pushtimit të Ukrainës, iu drejtua parlamentit rus.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në fjalimin e tij në parlament të martën se do të vazhdojë luftën në Ukrainë dhe akuzoi aleancën e NATO-s, të udhëhequr nga ShBA-ja, për nxitjen e konfliktit, me besimin e gabuar se mund ta mposht Moskën në një luftë globale, gjithashtu njoftoi se pezullon pjesëmarrjen në New START.

Fjalimi i tij, i cili zgjati një orë e 45 minuta, u dëgjua nga e gjithë suita e të ftuarve, ku në rreshtat e parë ishte Bratislav Zhivkoviç, komandanti i të ashtuquajturës Lëvizja Çetnike.

Zhivkoviç organizoi pjesëmarrjen në konfliktet e armatosura në Ukrainë, për të cilat Serbia e arrestoi në vitin 2018. Ende nuk dihet se sa qytetarë serbë kanë marrë në luftën në Ukrainë, por dihet se këta “vullnetarë” merrnin një pagë mujore prej 150 deri në 200 euro për pjesëmarrjen e tyre në luftën në Ukrainë. Zhivkoviçi është përfshirë, gjithashtu, në hetimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, së bashku me pesë shtetas të tjerë të Serbisë, për kryerjen e sulmeve ndaj forcave ukrainase në rajonet Donetsk dhe Luhansk në anën e separatistëve pro-rusë si pjesë e organizatës ndërkombëtare të ekstremit të djathtë “Unité Continentale”.

Ai u përmend për herë të fundit në medie në vitin 2022, kur u njoftua se ishte plagosur në fushën e betejës në Ukrainë, ku, natyrisht, luftoi vazhdimisht në krah të presidentit rus Vladimir Putin.

Bratislav Zhivkoviç ka qenë në “gjendje gatishmërie” që nga tetori i vitit të kaluar, kur Rusia filloi dislokimin e forcave të saj përgjatë kufirit me Ukrainën, shkruan “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe.

Në llogarinë e tij në “Facebook”, që ndiqet nga rreth 3 200 persona, ai ka lënë asokohe një mesazh të tillë, saqë shumë shpejt ndër komente ka qenë edhe kjo “Më trego kur nisesh”.

Zhivkoviçi ishte përfshirë në një hetim në Serbi në vitin 2018 për shkak se ndaj tij dyshohej se kishte organizuar pjesëmarrjen e personave të tjerë në një fushëbetejë të huaj. Ai u arrestua në gusht të 2018-s dhe Prokuroria pezulloi hetimet ndaj tij në prill 2019. Pra, për shkak të pjesëmarrjes së tij në luftëra të huaja, që është e ndaluar me ligj në Serbi, ai nuk u përgjigj kurrë.

REL e ka kontaktuar atë, një ditë para fillimit të mësymjes ruse në territorin e Ukrainës së pavarur.

Sipas tij, shumë qytetarë serbë, që kanë shkuar në Donetsk dhe Lugansk në vitin 2014 dhe 2015 për të luftuar, aktualisht ndodhen në vend. “Shumë serbë tashmë janë martuar atje, kanë fëmijët dhe familjet e tyre”, thotë Zhivkoviç.

Në Serbi, nga është Zivkoviç, zyrtarët nuk i dënuan lëvizjet e Rusisë, duke e bërë vendin të vetmin në llojin e tij në Evropë.

Zivkoviç, i cili është i njohur për publikun që nga viti 2014, kur doli vullnetar për të luftuar në anën e separatistëve, nuk ka asnjë dilemë.

“Nuk kam aspak dyshim se vullnetarë nga Serbia do të vijnë normalisht, nga Republika Srpska (entiteti i BeH), Mali i Zi dhe nga Maqedonia e Veriut për t’iu bashkuar luftës kundër agresionit të ushtrisë ukrainase”, thotë Zhivkoviç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përballje interesante do të zhvillohen edhe sonte në Ligën e…