Çfarë parasheh draftstatuti për Asociacionin?

30 janar 2023 | 16:57

Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, kanë publikuar versionin e draftstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas këtij draftstatuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draftstatut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet.

Në kapitullin e parë, neni 1, pika 2, thuhet: “Statuti do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit/Bashkësisë i formuar nga anëtarët me votim të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e një rregulloreje të Qeverisë sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”.

Ky draftstatut thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Më tutje theksohet se Asociacioni/Bashkësia do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale, raporton “Epoka e re”.

Për krijimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel.

Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova deri më tash nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti në disa raste ka përsëritur se në Kosovë nuk mund të formohen asociacione njëetnike.

Duke prezantuar draft-statutin, përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha se gjatë hartimit të tij janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit. “Ky është një projekt i pragmatizmit politik, sepse ne kemi menduar se do të vijë koha kur do të ishte i nevojshëm statuti i Asociacionit”, tha ai.

Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashihet t’i ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Statuti do të miratohet nga një kuvend themelues i Asociacionit, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.

Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të hyjë në fuqi pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Sipas dokumentit, anëtare të këtij asociacioni mund të jenë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Anëtarësimi është vullnetar dhe çdo anëtar duhet t’i përmbahet statutit.

Asociacioni, sipas dokumentit të paraqitur, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural. “Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të vetin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet në draftstatutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.

Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat, siç thuhet, janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.

Në draftstatut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Sa i takon strukturës organizative, neni 6 parasheh që Asociacioni të ketë: kuvendin e Asociacionit, kryetarin e Asociacionit, nënkryetarin e Asociacionit, këshillin e Asociacionit dhe bordin e Asociacionit.

Neni 15 parasheh që Asociacioni të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës në shkëmbimin e informacioneve, në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit, bazuar në sistemin ligjor të Kosovës.

Sa i takon rregullimit ligjor, neni 16 parasheh që Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik. “Kjo përfshin të drejtën e zotërimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme” dhe të “bashkëpronësisë së shoqërive që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit”.

Shpenzimet e Asociacionit parashihet të jenë subjekt i auditimeve nga autoritetet kompetente, përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës.

Sa i takon financimit, sipas dokumentit në fjalë, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.

Sipas draftstatutit, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.

Qeveria dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës parashihet të kenë qasje në rishikimin e buxhetit vjetor të Asociacionit përpara se ai të miratohet.

Draft-statutin e plotë mund ta gjeni KËTU.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe…