Çitaku kritikon Specialen: Na treguat menynë e Hagës, tani tregoni si u gatua padrejtësia!
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke ngritur shqetësime për mënyrën e administrimit të provave dhe trajtimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Çitaku ka kritikuar komunikatën e fundit të Gjykatës Speciale, e cila, sipas saj, është përqendruar në kushtet e qëndrimit të të paraburgosurve, përfshirë ushqimin dhe mundësinë për të dalë në ajër të pastër, në vend se të japë përgjigje për çështjet që lidhen me procesin gjyqësor.
“E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka ngritur pikëpyetje për pranimin e rreth 2.356 dokumenteve nga Serbia si prova në proces, duke kërkuar sqarime se si janë verifikuar ato dhe çfarë mundësish ka pasur mbrojtja për t’i kundërshtuar.
Çitaku ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas saj, 164 deklarata me shkrim janë pranuar pa mundësinë që mbrojtja t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë, si dhe pranimin e rreth 2.000 provave pasi Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit të saj.
Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe peshën që, sipas saj, u është dhënë dëshmive të zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së në aktgjykimin e 16 shtatorit.
Në reagimin e saj, Çitaku ka përmendur edhe rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilit, sipas saj, nuk iu lejua t’i jepte lamtumirën e fundit babait të tij, duke e cilësuar këtë si cenim të aspektit njerëzor.
Duke iu referuar edhe rasteve të Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, ku në procedurat e apelit pati ndryshime në gjetjet e fajësisë dhe në dënime, Çitaku ka kërkuar një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit.
Ajo ka theksuar se Kosova nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka përfunduar duke shprehur bindjen se e vërteta duhet të triumfojë në procesin e apelit.



