Çitaku në KS të OKB-së: Taksa, përgjigje ndaj fushatës së ashpër të Serbisë kundër Kosovës

07 shkurt 2019 | 23:07

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, gjatë fjalimit të saj në seancën e KS të OKB-së, ka thënë se ky Këshill është kthyer në teatër nga Serbia dhe është bërë vend ku autoritetet serbe tregojnë përralla që nuk besojnë as ata vetë.

Sa i përket miratimit të ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Çitaku ka deklaruar se vendimi ka qenë ligjor dhe kushtetues, në mënyrë që të krijohen mekanizma të sigurisë, ashtu që Kosova të mund të kontribuojë në organizata ndërkombëtare.

Sipas saj ky vendim ka treguar maturinë e Kosovës si shtet.

Ajo ka përmendur edhe vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe, duke thënë se ky vendim nuk ka qenë i lehtë, mirëpo ka qenë përgjigje ndaj fushatës së ashpër të Serbisë kundër Kosovës.

Duke folur për dialogun, Çitaku ka thënë se Kosova as sot dhe as nesër as kurrë nuk do të negociojë shtetësinë e saj.

“Dialogu me Serbinë nuk ishte, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë për të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si komb i lirë. Mos t’i shtrembëromë faktet këtu. 11 vite më parë një Republikë e re lindi në Europë dhe Kosova as sot dhe as nesër as kurrë nuk do të negociojë shtetësinë e saj”, ka thënë ambasadorja Çitaku.

Ambasadorja e Kosovës e ka përfunduar fjalimin e saj duke thënë se “tani i takon Serbisë që të lirojë veten nga Kosova”.

Çitaku përndryshe e ka cilësuar të panevojshëm këtë lloj takimi edhe para mbajtjes së mbledhjes.

“Sot edhe një seancë koti. Pa rëndësi dhe pa asnjë nevojë. E neveritshme të shihet se si Këshilli i Sigurimit po shndërohet në teatër ku i mundësohet Serbisë të përsërisë gënjeshtra në të cilat nuk beson as vet”, ka thënë Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shumë arsye pse meshkujt tradhtojnë dhe futen në këto…