Çitaku: Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në fund të këtij viti
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka dhënë sinjale se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në fund të këtij viti për shkak të, siç ka thënë të kryeneçësisë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për formimin e institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë.
Çitaku ka thënë se për këtë janë duke punuar intensivisht në terren me synim që të kthehet normaliteti në Kosovë.
“Është e dhimbshme që tani e shtatë-tetë muaj që Kosova është pa institucione. Në këtë pikë kemi mbërri për shkak të kryeneçësisë dhe papërgjegjësisë edhe politike por edhe qytetare të zotit Kurti. Kjo situatë të cilën e kemi është për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të tij. Kemi kaluar muaj të tërë në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit në ndërkohë që zoti Kurti me vetëdije të plotë e shkelte Kushtetutën. Sikur bota të ishte mbarë nuk do të kishte nevojë të kishte zgjedhje, mirëpo tani duket që zgjedhjet e reja parlamentare ne fund të këtij viti janë të pashmangshme. Zoti Kurti nuk e ka shumicën parlamentare. Gjashtë muaj kanë thënë se kanë, tani po thonë se nuk e kanë. Po sillen me institucionet dhe me fatin e Republikës sikur fëmijët me një lodër. Ne shpresojmë dhe jemi duke punuar vazhdimisht në terren që pas zgjedhjeve të reja parlamentare pejzash politik në Kosovë të ndryshojë. Të krijohet një shumicë e re parlamentare pa LV-së dhe vendit t’i jepet institucione stabile që para së gjithash synojnë ta kthejnë normalitetin në vend”, ka thënë Çitaku për “RTV21”.
Nënkryetarja Çitaku ka përjashtuar kategorikisht çdo bashkëpunim me LV-në edhe nëse bëhet fjalë për kompromise sa i përket postit të presidentit.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve të kaluara parlamentare, kandidati ynë për kryeministër e ka bërë të qartë se dallimet politike dhe ideologjike në mes të PDK-së dhe LV-së dhe mënyrës së si e shohim Kosovën janë shumë ndryshme”, ka thënë Çitaku.



