City triumfon ndaj Leicesterit, titulli kampion më pranë

03 prill 2021 | 20:30

Manchester City “vrapon” drejt titullit kampion dhe duket i vendosur të mbyllë sa më shpejt llogaritë, pasi ka marrë një tjetër fitore, këtë herë me shifrat 0-2 në transfertën e vështirë ndaj Leicester.

Pjesa e parë ishte me një ritëm më të ulët sesa pritej, dhe “citizens” kërcënuan dy herë me De Bruyne nga goditja e dënimit dhe Mahrez në një zbritje të shpejtë, por në të dy rastet Schmeichel bëri mirë detyrën e tij, raporton “ss”.

Në minutën e fundit të pjesës së parë ishte sulmuesi anglez Jamie Vardy që arriti të dërgojë topin në rrjetë, por anësori ndali festën, duke akorduar një pozicion jashtë loje, ndërsa vendimi i tij u konfirmua në heshtje edhe nga VAR-i.

Sfida u zhbllokua në minutën e 58’, kur mbrojtësi francez Benjamin Mendy, i ndodhur në vendin e duhur brenda zonës së rreptësisë, lëshoi një gjuajtje të menjëhershme me të djathtën dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së Schmeichel.

Më pas trajneri Guardiola hodhi në fushë edhe anglezin Sterling, që në minutën e 74-t shërbeu saktë për brazilianin Gabriel Jesus, i cili mposhti për herë të dytë portierin e Leicester dhe vulosi suksesin për “citizens”.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Manchester City u ngjit në kuotën e 74 pikëve, plot 17 më tepër se United i vendit të dytë, ndërsa Leicester mbetet në vendin e tretë me 56 pikë që i japin komoditet për ruajtjen e një vendi në zonën Champions.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barazim spektakolar në derbin mes Torinos dhe Juventusit, sfidë që…