Çmimet e konsumit shënojnë rritje për 0.5 për qind

12 shkurt 2021 | 14:35

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK),  ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2021, viti bazë 2015=100.

 Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së ishte 0.5 për qind në muajin janar 2021. “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej  0.5 për qind në muajin janar 2021, krahasuar me muajin dhjetor 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.7 për qind); pemë (0.9 për qind); perime (6.1 për qind); pije alkoolike (1.7 për qind); duhan (0.8 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.7 për qind) – “ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.8 për qind në IHÇK”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-0.5 për qind); energji elektrike (-10.5 për qind) – zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, Neni 15, për periudhën janar – maj 2021, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK. “Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin janar 2021 me muajin janar 2020, ishte (-0.2 për qind).  Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2) për qind në muajin janar 2021, krahasuar me muajin janar 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-13.4 për qind); perime (-8.4 për qind); veshje (-3.4 për qind); energji elektrike (-10.8 për qind); qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (-4.3 për qind); blerje e automjeteve (-1.4 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-9.9 për qind) – “rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.9) për qind në IHÇK”, është thënë në raport.

Sipas ASK-së, ngritje e çmimeve në këtë periudhë vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6 për qind); mish (0.6 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (3.2 për qind); vajra dhe yndyra (7.3 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.3 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7 për qind); pije alkoolike (2.2 për qind); duhan (2.8 për qind); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2.6 për qind);  produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (2.3 për qind); shërbime për transport (2.3 për qind) – “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbimet telefonike dhe të telefaksit (20.3 për qind); shërbime hoteliere (1.6 për qind); kujdes personal (1.1 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind në IHÇK.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një Stephen Curry në formë të shkëlqyer, duke realizuar 40…