Çmimi i arit në nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2025

16 nëntor 2026 | 14:02

Çmimi i arit ka rënë sot në nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2025, pasi forcimi i dollarit amerikan dhe rritja e yield-eve të bonove të Thesarit kanë ushtruar presion mbi metalet e çmuara, në kushtet e pritshmërive për rritje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale e ShBA-së (Fed).

Ari tregtohej me 3.855.06 dollarë për ons, duke shënuar rënie prej 26,69 dollarësh ose 0,69 për qind, ndërsa argjendi ka rënë me 1.30 dollarë ose 2.66 për qind, në 47,43 dollarë për ons. Rëniet e fundit e kanë çuar humbjen mujore të arit në 6,91 për qind, ndërsa argjendi ka regjistruar rënie prej 16.9 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Pritshmëritë për shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare amerikane kanë ushtruar presion mbi të dy metalet, ndërsa investitorët kanë vlerësuar shqetësimet për inflacionin dhe sinjalet e zyrtarëve të Fed-it.

Disa zyrtarë të Fed-it kanë deklaruar se mund të nevojiten rritje të tjera të normave të interesit, ndërsa disa prej tyre kanë sugjeruar se në dhjetor mund të shqyrtohet edhe një rritje më e madhe prej 50 pikësh bazë.

Sipas vlerësimeve të tregjeve, probabiliteti për një rritje prej 0.25 pikësh përqindjeje muajin e ardhshëm ishte 92 për qind, ndërsa mundësia për një rritje prej 0.50 pikësh përqindjeje ishte 8 për qind.

Normat më të larta të interesit rrisin koston oportune të mbajtjes së aktiveve që nuk gjenerojnë interes, si ari dhe argjendi, ndërsa forcimi i dollarit i bën këto metale, të kuotuara në dollarë, më të shtrenjta për blerësit që përdorin valuta të tjera.

Investitorët po prisnin deklaratat e kryetarit të Fed-it, Kevin Warsh, më vonë të hënën, për të marrë sinjale të mëtejshme mbi drejtimin e politikës monetare të Bankës Qendrore, si dhe publikimin e procesverbalit të mbledhjes së tetorit, të planifikuar për të mërkurën.

Argjendi, i cili ka rënë në nivelin më të ulët në rreth një vit, është përballur me presion për shkak të pritshmërive për dobësim të kërkesës, të lidhura me rënien e konsumit në sektorët e bizhuterive dhe të paneleve diellore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dukagjin Shala, shpall të pavlefshme Diplomën e shkollës së mesme…