Copë kujtimi nga përjetimi i luftës më 26 gusht 1998

27 gusht 2020 | 15:14

Skender Asllani

Luftime të ashpra, në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, zhvilloheshin shumë. Si 13-vjeçar disa herë i kam parë ushtarët e UÇK-së, të njësisë së Rancë, që shkonin për përforcime në fshatin Greiçec. Ata shkonin të motivuar t’u dilnin në ndihmë shokëve. Dhe në pasditen e 25 gushtit forcat serbe kishin depërtuar në pozicione të UÇK-së në fshatin Greiçec. Natën vonë vjen baca Bajram Shashivari, i cili thotë që sa më parë duhet ta lëshojmë fshatin.

Më 26 gusht gryka e livadhit tonë “Henedeli” ishte mbushur përplot me njerëz që kishin ardhur nga fshatrat Greiçec, Karaçicë, Luzhnicë, të cilët tregonin se forcat serbe po i digjnin shtëpitë në fshatrat e tyre. Ne në shtëpi ishim: gjyshi im Zeqiri, baba im Rifati, motra ime Tahirja dhe unë. Babai i tha gjyshit tim: “Bacë, nisu ngadalë teposhtë për në Shtime, se unë po e hjek millin dhe pastaj vij”. Përgjigjja e gjyshit qe: “Kurrën e kurrës nuk e la venin tem”. Pas bisedës së tillë dhe insistimit që gjyshi të ecte, ai tha “për të gjallë tem nuk e lëshoj venin”.

Në ato çaste veprimin tjetër që bëri babai im ishte që ta nxirrte miellin nga shtëpia dhe atë e barti deri në pyll, te “Lugu i vrellës”, ku ishin rreth 1 500 kg miell (të cilin më vonë, pas disa ditëve, ua dha ushtarëve të UÇK-së në Rancë). Në drekë, pasi hëngrëm bukë, babai u nis të shkonte të bisedonte me disa ushtarë të UÇK-së te shtabi në fund të katundit, pikërisht te lagjja e “Kurtishve”. Por, kthehet në gjysmë të rrugës pasi që forcat serbe vendin ku ndodhej shtabi e granatonin me artileri të rëndë. Babi im erdhi me nxitim te ne, duke menduar se neve na kanë mbytur me ndonjë granatë. Gjyshi im në ato çaste ishte në fund të livadhit, rrëzë një kodre, bashkë me një fshatar, Hajdin Bislimin, i cili kishte ikur po nga granatimet e fuqishme që vinin nga fshati Greiçec, ndërsa motra ime kishte gatuar një bukë për ta marrë me vete. Por, buka ishte duke u pjekur në shporet. Në ato çaste babi im më thërret mua sa për të ditur a jem gjallë. Sapo i përgjigjem, në atë çast fillon të na sulmojë me automatikë këmbësoria e forcave serbe, nga vendi i quajtur “Shpati i Henedelit”, një pjesë tjetër gjuante nga gryka e “Henedelit”.

Ne kemi shkuar në drejtim të “Lugut të vrellës”, pastaj kemi hyrë në malin e Muharremit, i cili kishte lisa të mëdhenj dhe vazhdimisht breshëritë e plumbave vinin kah dhe mbi kokat tona, kurse disa prej plumbave ngelnin në lisa.

Kemi vazhduar ecjen në drejtim të fshatit. Në malin e Qerimit babai na tha ta prisnim. Ai shkoi te “Guri i Hutit” për të parë se çfarë po ndodhte, sepse nga aty shihen qartë disa pjesë të vendit. Babi im kishte parë forca të shumta duke ardhur me tanke, autoblinda dhe kombibus tek arat e Rancës. Derisa ne me padurim prisnim kthimin e tij, sepse krismat e automatikut në atë drejtim nuk ndaleshin për asnjë çast, ai erdhi aty dhe shpejt kemi kaluar te lagjja “Bajrami”. Aty kemi takuar bacën Selim, i cili ishte i shqetësuar sepse mezi kishte shpëtuar nga granatimet e forcave serbe. Na pyeti për gjyshin. Pasi babai i tregoi, ai u lut të shpëtojë prej çetnikëve.

Baca Selim me vete kishte pak sheqer, të cilin donte t’ia çonte familjes së vet në male. Ai nuk erdhi me ne se i kishte dhënë besën nipit të vet, Shpendit, se gjyshi do ta sjellë sheqerin. Por, fatkeqësisht, baca Selim nuk arriti më asnjëherë ta shohë nipin e vet, Shpendin. Nuk arriti t’i shohë kurrë më nipërit dhe mbesat. Nuk arriti ta shohë gruan e vet, as dy rejat e tij, sepse të gjithë ata kishin kaluar në përjetësi. Pra, forcat serbe kishin granatuar familjen 11-anëtarëshe të bacës Selim dhe kishin plagosur rëndë tre djemtë e tij.

Meqë nuk dinim çfarë ka ndodhur te “Livadhet e gjata”, vazhduam rrugën drejt shtabit të UÇK-së, ku takuam disa ushtarë si Zymer Kurtishin, pastaj “Boletinin” dhe dy ushtarë të tjerë.

Unë isha 13-vjeçar dhe nuk kisha dëgjuar asnjëherë krisma të automatikut aq afër, andaj isha edhe shumë i frikësuar. Babi im dhe një ushtar i UÇK-së përpiqeshin të më qetësonin por, më kot… kisha shumë frikë, pastaj gjyshi im mbet në fund të livadhit, të cilin nuk e pashë më kurrë! Siç ka treguar më vonë bashkëfshatari ynë, Hajdini, një ushtar u kishte dhënë nga një pjesë bukë dhe u kishte thënë të largoheshin sa më parë nga këtu, se do të vijnë të tjerët dhe do t’i vrisnin. Por, gjyshi im, edhe pse ishte sugjeruar kështu, nuk ishte larguar nga trualli i vet dhe forcat serbe e kishin vrarë me një plumb afër syrit të majtë siç tregonin ushtarët UÇK-së: Feriz Kurtishi nga Ranca, Bashkim Beqaj nga Petrova, Adnan Muharremi nga Zborci dhe Agim Buja nga Bujani, të cilët e kishin varrosur mu në vendin e ngjarjes, aty ku e kishin ekzekutuar forcat paramilitare serbe.

 

(Autori, gjatë luftës 13-vjeçar, sot është profesor i lëndës Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ende i ka të freskëta përjetimet e kohës së luftës)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Jugut regjistroi 441 raste të reja me koronavirus…