Cyrihu renditet ndër qytetet më të sigurta në botë, Zvicra merr vlerësim të lartë në renditjen amerikane

08 nëntor 2026 | 12:01

Qyteti i Cyrihut është renditur i dyti në botë për sigurinë e turistëve, duke u pozicionuar menjëherë pas Montrealit të Kanadasë. Rezultati vjen nga një renditje e publikuar nga kompania amerikane e sigurimeve të udhëtimit Berkshire Hathaway Travel Protection.

Sipas mediumit zviceran Blick, Cyrihu ka arritur të grumbullojë 81.03 pikë nga 100 të mundshme, duke u ngjitur një pozitë më lart krahasuar me renditjen e vitit paraprak, kur ishte në vendin e tretë.

Në këtë krahasim ndërkombëtar, Montreal zuri vendin e parë, ndërsa pas Cyrihut u rendit Amsterdami në vendin e tretë.

Vlerësimi i lartë i qytetit zviceran lidhet me nivelin e sigurisë, infrastrukturën funksionale, shkallën e ulët të kriminalitetit dhe transportin publik të pastër e të organizuar.

Në raport theksohet gjithashtu se vizitorët mund të lëvizin me ndjenjë të lartë sigurie edhe gjatë orëve të mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

Për hartimin e renditjes, Berkshire Hathaway Travel Protection ka analizuar 38 destinacione të njohura turistike dhe ka marrë parasysh përvojat e udhëtarëve amerikanë që i kanë vizituar këto qytete.

Në vlerësim janë përfshirë edhe të dhënat nga platforma GeoSure Global, indekset e Numbeo-s dhe Global Liveability Index i revistës britanike The Economist.

Studimi ka marrë parasysh disa faktorë, përfshirë rrezikun nga dhuna dhe terrorizmi, sigurinë në transportin publik dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Zyrihu ka marrë vlerësime të larta edhe në kategoritë e veçanta. Te gjenerata e mijëvjeçarit dhe familjet me fëmijë është renditur në vendet e dyta dhe të treta, ndërsa te Gjenerata Z ka zënë vendin e shtatë.

Megjithëse Cyrihu vazhdon të konsiderohet një destinacion i shtrenjtë për turistët, infrastruktura dhe siguria janë ndër arsyet kryesore që e mbajnë atë në mesin e qyteteve më të vlerësuara në botë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, i është drejtuar…