Dardan Molliqaj me bashkëpartiak viziton të paraburgosurit në Hagë: Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë

08 shkurt 2023 | 17:36

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se për 3 ditë po qëndron në Hagë.

Ai tha se i ka takuar të gjithë: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalën, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin.

“Bisedat tona janë endur, janë përzier e janë kryqëzuar. Disa prej tyre nuk i kishim njohur personalisht. Nga atje, Prishtina e vitit 2023 është shumë larg. Distanca është sidomos kohore. Aty jetohet në vitet 1997-1999. Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë:

Bashkë me Qëndronin dhe Kujtimin për 3 ditë rresht po qëndrojmë në Hagë. Udhëtimi në Hagë qenka edhe udhëtim në kohë. Siç duket koha historike nuk e ndjek lëvizjen e njetrajtshme e të kurdisur të akrepave.

Përjetuam diçka që e kemi ditur si të kryer. Forcat që tërheqin nga mbrapa nuk e pranojnë ngadhënjimin e të vërtetës. Haga të dashur miq është Kosova alternative. Haga është Kosova që mund ta kishim pa UÇK-në. Të mbyllur me dyer hekuri.

I pamë dhe i takuam të gjithë. Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalen, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin. Respektivisht, aty ishte politika e luftës; informimi e fjala e saj; zbulimi e guerilja; disiplina e mbikëqyrja.

Bisedat tona janë endur, janë përzier e janë kryqëzuar. Disa prej tyre nuk i kishim njohur personalisht. Nga atje, Prishtina e vitit 2023 është shumë larg. Distanca është sidomos kohore. Aty jetohet në vitet 1997-1999. Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë.

Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Emri i UÇK-së nuk mund të jetë nën akuzë. Kosova duhet të bashkohet për drejtësi. Për juristët e ardhshëm, padrejtësia në Hagë do të bëhet shembull, ilustrim unik për shkeljen e të drejtave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Kurti, shpall te pa vleshme deftesat e shkolles fillore…