‘Dardanët’ stërviten pas humbjes nga Suedia

10 tetor 2021 | 18:08

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar të dielën me stërvitje para ndeshjes së radhës kundër Gjeorgjisë, që zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Stërvitja u zhvillua në fushën e Kompleksit të FFK-së në Hajvali nën reshjet e shiut, derisa të pranishëm ishin futbollistët që nuk luajtën dhe ata që u inkuadruan si zëvendësues në ndeshjen kundër Suedisë. Ndërkaq, pjesa tjetër e futbollistëve kanë bërë rigjenerim me ushtrime fitnesi në hotel ‘Emerald’. Ndonëse të zhgënjyer nga humbja e pësuar në Stokholm, djelmoshat e kombëtares tashmë janë të përqendruar në ndeshjen e radhës, me synimin për paraqitje sa më të mirë para tifozëve dardanë dhe për të arritur fitoren e dytë në këtë cikël kualifikues.

“Dardanët”, të kompletuar, do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 16:30. Siç dihet Kosova të shtunën pësoi humbje nga Suedi, derisa përzgjedhësi Bernard Challandes e ka pranuar se suedezët ishin një kundërshtar shumë i vështirë. Ai ka thënë se penalltia e akorduar në favor të suedezëve nuk ishte e rregullt. “Nuk është ndeshje e njëjtë sikurse në Prishtinë. Mendo që kemi luajtur me një kundërshtar shumë të fortë. Për mua është një shaka situata e penalltisë. Që nga koka tek dora nuk është penallti, shpjegoma si mund të jetë kjo? Madje mund të jetë edhe faull në Haderxhonaj. Gjithsesi, Suedia e ka merituar këtë fitore. Pas pjesës së parë, kishim mundësi të barazonim. Suedia pati tre lojtarë shumë të fortë në sulm. Po të shënonim në fillimin e pjesës së dytë, do të ishte një tjetër lojë”, ka shtuar Challandes.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër aksidente të njëpasnjëshme kanë ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë, përkatësisht…