Dashuria e solli këtë libër

20 tetor 2022 | 11:39

Shkruan: Mezahir Haxhijaha

Shkrimtari, poeti e mendimtari Ymret Reshiti na sjell një përmbledhje poezish me titull Letrat që nuk t’i dërgova. Libri është i ndarë në shtatë pjesë: Në emrin tënd, Ma kthe pranverën, Buzëqeshje në fotografi, Jetoj për një takim, Një simfoni për ty, Kjo kohë mërzie, Letra e papërfunduar.

Me anë të krijimeve domethënëse gjërat rrjedhin herë si në ëndërr, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë botës në të cilën jetojmë.

Sapo fillojmë ta lexojmë librin vërejmë se bëhet fjalë për një libër të këndshëm, tërheqës për ta vazhduar leximin. Stili tërheqës bën që lexuesi të jetë i përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave jo vetëm duke ia shtuar kureshtjen për të zbuluar atë çfarë ndodh, por edhe për t’i nxitur impenjimin për të lexuar mes rresh­tave. Në këtë libër ka shumë sinqeritet dhe dashuri bashkë, ajo pjesë e pathënë; dashuria si ndjenjë, që lind e lartësohet, forcohet e shuhet bashkë me njeriun, dashuri e vërtetë, dashuri e pasionit, por edhe dashuri që për­ngjan me koronën: dashuri që kaplon, që zhduk e që mund të vrasë.

 

Që në çastin kur u njohëm 

U bëra pranvera e shpirtit tënd

Lotin ta shndërrova në ves

për lule e trëndafilat e zemrës

Që sa herë nuk bie shi

pikëllimin tënd në ngjyra ylberi ta kthej. 

Porsa lexuesi ta marrë në dorë këtë libër, vetë titulli ia bën të qartë përmbajtjen, një përmbajtje të dhimbshme, por edhe krenare.

 

Kurrë nuk jam frikësuar

të dashuroj pa kufij ty

Vetëm një i çmendur si unë

e jep lirinë për ta fituar një zemër

Ky jam unë për ty

Të tjerë si unë nuk ka.

 

Në këtë libër janë shkrirë në një të vetme dashuria dhe letërsia, si testament që i lihet trashëgim jetës që kur lind.

 

Si ta them tash lamtumirën

Pa i bërë sytë të qajnë

Si ta kthej shpinën

zemra pa më vdekë.

 

Ky libër bëhet një meditim mbi rolin e dashurisë dhe në vetvete është një gur i çmuar në thesarin e letërsisë shqipe, që i dedikohet dashurisë, e cila frymon e lartë­sohet deri në pafundësi, sepse njerëzit dashurojnë pa dallim, shpesh deri në marrëzi dhe flijim.

 

Pa ty asnjë lule nuk dëshiron të çelë

Krahët e fluturave kanë mbetur pa u ngjyrosur 

me petalet e luleve shumëngjyrëshe

Zogjtë shtegtarë nuk dëshirojnë të na vizitojnë

Eja pra ti e kthema pranverën. 

 

Duke qenë një burrë tradicional, me tipare dhe me një shpirt të pastër, s’mund të pranonte kurrë rolin e të “dytit” ndaj marrëdhënia e tij u zbeh, por që letrat e tij zgjatën ndër vite edhe pse kjo dashuri u vyshk, ajo u kthye në një mirëkuptim mes miqsh të ngushtë.

 

Vitet po më pakësohen

E dashuria për ty

veç më shumë po rritet

Ti për mua gjithnjë ke mbetur

e bukur

Tash e dyzet vjet

duke më buzëqeshur

në këtë fotografi

Të vetmen shenjë të mbijetuar

nga dashuria e fundosur.

 

Duke e lexuar këtë libër ata në moshë do ta kujtojnë kohën e tyre në dashuri, ndërsa të rinjtë, mbase, do të “turpërohen”, ngaqë me qëndrimin e tyre me telefona në dorë, po e zhveshin shpirtin nga magjia e dashurisë.

 

Më thirr

Patjetër se do të vij

edhe nëse ti nuk më pret

Nostalgjinë dua ta zgjoj

duke shkelur prapë atë rrugë

Edhe nëse ti nuk më pret

Më mjafton që edhe një herë

të vdes për ty në atë rrugë.

 

Kjo dashuri e madhe e autorit Ymret Reshiti është për t’u admiruar, dashuri që solli një libër, i cili është një udhërrëfyes kulturor, një projekt i mirëfilltë për botën magjike të librit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Skënder Zogaj Titulli Letrat që nuk t’i dërgova është…