Daut Haradinaj: Do ta kundërshtojmë heqjen e taksës me të gjitha mjetet ligjore

28 shkurt 2020 | 15:15

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku është vendosur të hënën të mbahet seanca e jashtëzakonshme për taksën, ka thënë se në këtë seancë do ta thonë fjalën e fundit për këtë çështje.

“Në seancë do ta themi fjalën e fundit për ato që mendojmë rreth tendencës së ekzekutivit për hapjen e tregut me Serbinë. Ne do ta kemi një mbledhje në AAK në orën 16:00, ku më pas do të kemi konferencë të jashtëzakonshme për media”, ka thënë Haradinaj.

Por, çfarë veprime do të ndërmarrë AAK-ja për ta kundërshtuar heqjen e taksës të cilën e ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti?

“Ne e kemi thënë hapur që jemi kundër heqjes së taksës, përderisa Serbia vazhdon me avazin e vjetër dhe jemi të qartë që Serbia nuk ka ndryshuar pozicion në raport me Kosovën. Kështu e kemi cilësuar edhe dje – si nënshtrim ndaj Serbisë”.

“Mendojmë se ka gabuar shumë, përderisa nuk ka pasur dakordancë të plotë me ShBA-të. Siç duket, nuk ka pasur dakordim as me partnerët e koalicionit. Nuk e dimë arsyen që e nxiti Albin Kurtin ta bëjë atë veprim mbrëmë, por gjithsesi do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet ligjore”, është shprehur ai.

Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që AAK-ja edhe me protesta ta kundërshtojë heqjen e taksës.

“Pse jo? Edhe protestimi është formë demokratike. Shpresoj që edhe Albin Kurti, duke e njohur mirë Serbinë, do ta marrë këtë mesazh si paralajmërim se Serbia do ta vazhdojë avazin e vjetër karshi Kosovës”.

“Kjo nuk është personale me kryeministrin aktual, por mendoj se nuk janë pjekur kushtet që ne të avancojmë kaq shumë dhe ta hapim tregun me Serbinë”, është shprehur Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 200 mijë qytetarë kanë përfituar direkt nga investimet e…