Deficiti tregtar shënon ulje për 2.1 për qind

13 maj 2019 | 10:55

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Tregtisë së Jashtme lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar të këtij viti.

Sipas ASK-së, të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 2.1 për qind në muajin janar të këtij viti në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 166.9 milionë eurosh krahasuar me deficitin prej 170.5 milionë eurosh në vitin 2018.

“Eksporti mbulon importin me 12.3 për qind. Eksporti i mallrave në muajin janar 2019 kishte vlerën 23.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerën prej 190.4 milionë eurosh, ku është një rënie prej (-4.3 përqindësh) për eksport, si dhe një rënie prej (-2.4 përqindësh) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.8 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.2 për qind e përbëjnë produktet minerale; 7.1 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.1 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.4 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.9 për qind e përbëjnë produktet bimore etj.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 18.1 për qind produktet minerale; 11.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.4 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8.5 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.5 për qind mjetet e transportit; 7.9 për qind produktet e industrisë kimike; 5.5 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj”, thuhet në publikimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8.9 milionë euro, ose rreth 38 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.8 përqindësh.

“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.3 për qind), Italia (8.5 për qind), Holanda (5.2 për qind), Britani e Madhe (3.9 për qind). Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 99.2 milionë euro, ose 52.1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 55.5 përqindësh. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7 për qind), Sllovenia (7.3 për qind), Greqia (6.2 për qind), Italia (4.8 për qind), Bullgaria (4.3 për qind) etj. Në muajin janar 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 7.4 milionë euro, ose 31.9 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-22.8 përqindësh). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (10.9 për qind), Maqedonia (8.7 për qind), Serbia (6.1 për qind), Mali i Zi (4.9 për qind)”, thuhet në këtë raport.

Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin janar 2018 arritën në 19.8 milionë euro, ose 10.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-46.5 përqindësh). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (5.7 për qind), Shqipëria (3.6 për qind) dhe Serbia (0.4 për qind).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7 milionë euro, ose 30.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (14.9 për qind), Zvicra (9.0 për qind). Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 71.3 milionë euro, ose 37.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (10.9 për qind) dhe Turqia (10.4 për qind)”, është thënë në raportin e ASK-së.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, është nënshkruar sot në Librin…