Degradimi dhe politizimi i arsimit në Kosovë

03 shkurt 15:13

MA. GENC MEKAJ

-Kur s’ka bukë, s’ka arsim, po nëse s’ka arsim, s’ka as bukë. (Thënie izraelite)

Gjendja aktuale e arsimit në Republikën e Kosovës është mjaftë e pakënaqshme dhe alarmuese duke marrë parasysh rezultatet dhe cilësinë e treguar që nga shkollat fillore deri tek universitetet. Të gjitha tentimet, eksperimentimet dhe planifikimet nga Ministria e Arsimit në lidhje me përmirësimin dhe rregullimin e sistemit arsimor të Kosovës po tregojnë rezultate shumë të vogla dhe jo të kënaqshme. Politikat për stimulim dhe avancim të arsimit çdo ditë e më shumë po tregojnë që nuk janë të qëlluara, dhe janë boshe në përmbajtje e në rezultate. Nga njëra anë kemi një shumicë të të diplomuarve të cilët nuk përkojnë me nevojat e tregut dhe të vendit, po ashtu kemi dhe një përqindje mjaftë të madhe të të diplomuarve në lami të ndryshme të cilët nuk janë të përgatitur dhe të aftë për të shërbyer koherent me kërkesat dhe kushtet të cilat kërkohen.
Gjithashtu një tjetër defekt shumë i madh është kualiteti dhe performanca në nivelin shkencor e të arsimuarve në Kosovë, në përballje me nivelin e përgatitjes dhe arsimit në rajon dhe në Evropë përgjithësisht, (në rrafshin ndërkombëtarë). Si shkak i këtyre ngecjeve dhe të metave të lartcekura janë një varg faktorësh të cilët ndikojnë që të kemi këto rezultate mjaftë demotivuese, të pakënaqshme dhe të hidhura të cilat po i kushtojnë në vazhdimësi Republikës së Kosovës.

Faktorët si: mungesa e ekspertëve në përgatitjen e korrikulave dhe e përgatitjes së planeve të veprimit për arsim dhe shkencë, plane veprimet në sistemin arsimor jo adekuat edhe në proporcion me tregun e punës, politizimi i sistemit arsimor, nepotizmi në sistemin arsimor nga instancat e ulëta deri tek ato më të larta, përgatitje jo profesionale, adekuate e mësimdhënësve edhe licencimi i tyre jo i rregullt dhe shumë faktorë të cilët në mënyrë direkte dhe indirekte kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë që sistemi arsimor në Republikën e Kosovës të gjendet në një udhëkryq të errët.

Nëse fokusohemi nga këndvështrimi i tre shtyllave kryesore të një shteti; shtylla arsimit, ekonomisë dhe shëndetësisë, atëherë kjo e para në Republikën e Kosovës është në një stad për të ardhur keq si pasojë e degradimit dhe politizimit të kësaj shtylle në vazhdimësi.
Degradimi i arsimit në Republikën e Kosovës ka fillet që nga pas lufta duke vazhduar gjerë më tani. Kuadro joadekuate të cilat kanë zënë pozita në institucionet shkollore, mësues dhe profesorë të cilët nuk kanë përgatitje adekuate për atë lami, apo nuk kanë fare përgatitje edhe kualifikim për profesionin që e ushtrojnë ka bërë që arsimi dhe niveli i arsimimit të jetë në gjendje kaotike dhe të degraduar në shkallë mjaft të madhe. Po ashtu gradimet dhe marrja e shkollimit, diplomave dhe titujve në baza të jashtëligjshme, përmes plagjiaturës, blerjes dhe përmes krahut politik ka bërë që arsimi të degradohet në mënyrë tmerruese.

Politika është po ashtu një “Apokalips” që ka hyrë thellë në sistemin arsimor duke degraduar atë në të gjitha aspektet pa mëshirë dhe përzgjedhje. Shfrytëzimi i profesorëve, mësuesve si militant partiak ka bërë që arsimi të pësojë lëkundje në themele duke shkuar drejt degradimit si shkak i politizimit të këtij të fundit. Kemi raste të freskëta të partive të ndryshme dhe politikanëve të ndryshëm si dhe të tërë sistemit politik ku në prag të zgjedhjeve qendrore dhe atyre lokale së pari kanë filluar me ndikim dhe gosti ndaj mësuesve, gjithashtu duke u bërë premtime për ngritje të pagave, shpesh duke ua ngritur pagat kryesisht në pragun e votimeve. Këto lëvizje dhe taktikat e bëra nga ana e politikës në mënyrë direkte dhe indirekte kanë krijuar militant partiak të tyre duke renduar në kurriz të arsimit dhe duke politizuar arsimin në Republikën e Kosovës.

Janë një sërë rastesh dhe problemesh të cilat rëndojnë në vazhdimësi mbi sistemin arsimor duke e degraduar dhe politizuar atë. Për të i luftuar këto dukuri duhet dhe është e nevojshme të kemi reforma të thella në arsim. Unë do ta quaja “Reforma e bardhë” reformën e arsimit e cila duhet të bëhet nga ekspertë të përgatitur dhe apolitik, duke zbuluar dhe riparuar çdo problem dhe defekt brenda sistemit të arsimit me qëllim të konsistimit që sjellë sa më shumë rezultate të kësaj reforme të shumë nevojshme.

Qarqet vendimmarrëse duhet të marrin veprime dhe përgjegjësi për këtë gjendje në arsim. Duhet të bëhen veprime konkrete dhe jo në vazhdimësi të i hedhin fajet individëve dhe grupacioneve të caktuara apo kabineteve të caktuara të Ministrisë së Arsimit. Zgjidhja e këtij lëmshi dhe kësaj katrahure në arsim mund të bëhet përmes; depolitizimit të arsimit, meritokracisë dhe përgatitjes adekuate, profesionalizmit, përgjegjësisë institucionale, etikës, vlerësimit dhe hartimit të strategjive dhe reformave adekuate për arsim.
Pa një arsim cilësorë të mirëfilltë dhe adekuat nuk mundet as një shtet të korrë të mirat dhe rezultatet e shtetndërtimit dhe shtetfunksionimit në të gjitha aspektet dhe funksionet shtetërore, sociale, shoqërore dhe individuale.

Lajme të sponsorizuara