Degradimi i të folurit deri në Logorhe

04 gusht 2022 | 14:58

ILIAZ HYSAJ

“Ai që bërtet kur flet, o nuk nin, o nuk din, ose ka nji hall t’madh”

Duke e marrë për nismë këtë maksimë popullore, që baba im shpesh e përdorte për njerëzit që ngrisnin zanin në biseda e nuk dëgjonin të tjerët, do të mundohem t’i bëj një vështrim fenomenit të degradimit të të folurit, bisedës dhe kuvendimit e cila gjithnjë e me shumë po merr përmasa shqetësuese. Aq më tepër kur kjo formë e kuvendimit promovohet çdo ditë, pothuaj në të gjitha mediat vizuele, në kuadër të ashtuquajturave “debate televizive”.

Gjithnjë e më shumë kur takoj njerëz që i kam njohur më parë dhe të tjerë që kam njohur më vonë, kam vërejtur një tendencë në rritje  të nevojës apo dëshirës  për të folur, e që nganjëherë merr edhe përmasat e monologut.

Si i vogël dhe i ri më ka rënë të rri shumë në odën e dajëve në Drenicë si dhe në odën tonë shumë të frekuentuar  në qytezën e Shtimes.

Mahnitesha me artin e të folurit, intonacionin, pushimin mes fjalëve që shoqërohej me një thithje llulle apo cigareje të dredhur, kadenca, tempoja që përcillte me përpikëri fluksin adekuat të fjalëve të cilat ndërtonin një mendim, një rrëfim ku çdo gjë ishte me kuptim dhe koherencë.

“Foli dhe tha diçka”

Ajo që karakterizonte artin e të folurit shqiptar në rrafshin e Kosovës si dhe viset malore, ishte dialogu. Kur fliste njëri tjerët dëgjonin me vëmendje, kyçeshin në bisedë në momentin e duhur, me një delikatesë dhe elokuencë të jashtëzakonshme.

Pleqnarët tanë flisnin pak, s ‘bërtitshin kurrë dhe thoshin shumë.

Edhe kur nuk pajtoheshin me mendimin e bashkëbiseduesit nuk e kundërshtonin kurrë në mënyrë vulgare por ndërhynin me mjaft finesë: ”mire e ki ti por…” dhe vazhdonte me e zhvilluar mendimin kontradiktor pa e fye kurrë bashkëbiseduesin.

Në Shqipëri si duket është zhvilluar një trend tjetër, sidomos gjatë diktaturës. Ndoshta si mekanizëm kompenzator i ndalesave dhe frustrimeve tjera që imponoi sistemi.

Shqiptarët e Shqipërisë flisnin më shpejtë dhe më shumë. Bile ne mendojshim se flasin  më mirë se ne në Kosovë. “Ata po flasin bukur” thojshim …

Pas rrëzimit të diktaturës u ri gjetëm  me një diskordancë të madhe në këtë drejtim,  por jo edhe vetëm.

Në fakt çka shpjegon rritja gjithnjë e më e madhe e fluksit të fjalëve dhe humbja e koherencës logjike të mendimit?

Cilat janë shkaqet dhe cilat pasojat?

Të dyja shoqëritë kemi pësuar trauma dhe frustracione të mëdha. Njëra nga diktatura e vet pesëdhjetëvjeçarë dhe tjetra  nga shtypja, lufta dhe paslufta e fundit.

Psikologë, sociolgë dhe psikiatër që vizituan Kosovën  pas luftës na këshilluan të punohet shumë më fëmijët, të rinjtë, gratë dhe gjithë ata që  kishin përjetuar kalvarin…

Na folën edhe për Syndromën e Stresit Postraumatik që do të na shfaqej pas 10-15-20 vjetëve nëse nuk punohet si duhet ma ta. Dhe tash si duket jemi këmbëkryq, ulur në PTSD.

Por ne menduam se jemi  mirë, dehur nga « liria » etshëm nga lakmia…

Dhe rrjedhja verbale deri në « jashtëqitje gojore » që po e hasim çdo ditë në debate televizive, seanca parlamentare, biseda «shkencore», çdo ditë e më shumë po i ngjajnë një loghorre e kolektive e cila fsheh disa çrregullime jo të vogla si popull.

ÇKA ËSHTË LOGORHEA ?

Logorhea rrjedh nga greqishtja e vjetër  LOGO=FJALË dhe RHEI=rrjedhje.

Pra nga vet emri kuptojmë se kemi të bëjmë më një vrushkull fjalësh që nuk ndalet dot, apo siç quhet në pezhorativ  “diarre verbale”, apo shqip “jashtëqitje gojore”.

Përndryshe është një nga symptomet e disa çrregullimeve psikiatrike dhe neurologjike  që hasen  te bipolarët (faza maniake), te skizofrenia, gjatë egzaltimit emocional dhe anksioz, tek demencat, retardimi mental dhe disa  sëmundje tjera…

Ajo që e karakterizon Logorhenë është nevoja permanente për të folë, pa ndonjë kuptim dhe pa ndonjë koherencë karshi qëllimit inicial të bisedës e cila degëzohet në mënyrë patologjike, ku çdo fjalë që nxirret, hapë një diskurs tjetër që nuk përkon aspak me temën për çka ështe nisur biseda, duke  kaluar kështu « nga gjeli në gomar »

Në të shumtën e rasteve diskursi shoqërohet me banalitete dhe mungesë të koherencës logjike.

Me ta është pothuajse i pamundur dialogu dhe është  vështirë me ua ndërpre fjalën.

Ata dinë të përdorin lojën e fjalëve apo fjalë të shpikura.

Personi  prekur nga loghorrea nuk është i vetëdijshëm për këtë çrregullim dhe është rrethi qe e vëren se ka nisë me i rrjedhë truri…

Trendi i pandalshëm i “debateve” politike pothuaj çdo natë, në të gjitha televizionet është përgjegjësi kryesor i degradimit të kulturës së të folurit. Panelistet e quajtur “analistë”  me ndonjë perjashtim të vogël, janë jokompetent, të njëanshëm, subjektiv dhe kjartë vijnë me mbrojtë interesin e klanit të vet, andaj edhe nuk e ndëgjojnë palën tjetër, e ndërpresin me zhurmë repetitive, bash si çakalla e mullinit.

Televizionet që promovojnë pa ndërpre debate të tilla, që nuk i has askund në botë, qoftë për qëllime të rritjes së audiencës apo agjendave të ndryshme, janë kah krijojnë nebuloza të rrezikshme, huti, përçarje dhe spostim të temave sociale, shkencore, kulturore… deri në margjina.

Andaj kta që po bërtasin kur flasin, ose nuk dijnë ose kan një zor t’madh se me ni nijnë…

Gara e çmendur e shqiptarëve për t’u mbushur shpejt dhe pa masë me materialen e munguar, sikur ka varfëruar tej mase shpirtëroren dhe  shoqëroren pa të cilat ajo para shpejt shndërrohet në një akull  Sibiri…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dua Lipa ka mbërritur në Prishtinë për festivalin Sunny Hill…