Del jashtë funksionit rrjeti tejet sekret i komunikimit për sigurinë kombëtare të SHBA-ve
Rrjeti shumë sekret që përdor Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-ve (NSA) për komunikimet e brendshme ka dalë jashtë funksionit, bëjnë të ditur gjashtë persona në dijeni të situatës, raporton CNN.
Rrjeti, i njohur si “NSA Net”, u mundëson punonjësve të agjencisë të shkëmbejnë informacione të klasifikuara. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë të dhënë se problemi është shkaktuar nga një sulm kibernetik, thanë burimet.
Ndërsa po përpiqet të përcaktojë përmasat e defektit, agjencia ka vendosur që punonjësit të paraqiten në punë me orare të ndryshme.
Megjithatë, një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan kanë deklaruar se ndërprerja e funksionimit të NSA Net nuk do të ndikojë në aftësinë e agjencisë për t’i përcjellë informacione urgjente të inteligjencës presidentit Donald Trump, i cili ndodhet në një udhëtim në Azi, në bordin e avionit presidencial Air Force One.
Sipas tyre, qeveria amerikane ka disa sisteme rezervë dhe rrjete alternative, përmes të cilave mund të komunikojë në mënyrë të sigurt me presidentin. Trump ndodhet aktualisht në Filipine, ndërsa nesër pritet të udhëtojë drejt Kinës, ku do të zhvillojë bisedime me liderin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërprerja e rrjetit të NSA-së vjen pas disa problemeve të mëdha teknologjike që kanë prekur së fundmi kompanitë dhe shërbimet në SHBA.
Të premten, të gjitha fluturimet në vend u pezulluan për disa orë për shkak të një defekti të madh në sistemet e kontrollit. Si pasojë, mijëra fluturime u vonuan ose u anuluan. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se shkaku i problemit ishte një router i vetëm në shtetin e Arkansasit.



