Deliu-Kodra: Koalicioni LV-LDK braktisi vullnetin e qytetarëve

26 mars 2020 | 12:37

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (PDK),  Blerta Deliu- Kodra, ka folur rreth seancës së djeshme ku është votuar mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ajo për “Klan Kosova” ka thënë se kjo situatë në kohë pandemie është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“Në fakt Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë brenda rolit të saj politik. Ne kemi ndjerë keqardhje për situatën që është krijuar nga partitë në koalicion. Ne nuk e kemi iniciuar mocionin prandaj edhe kemi qëndruar brenda rolit tonë politik. Por, fatkeqësisht ndodhi ajo që e kemi pritur se do të ndodh. Por jo në situatë kur në një situatë pandemie kur qytetarët kanë shqetësime kryesore të jetesës, mirëqenie dhe shëndetit të kthehet vëmendja tek shkarkimit. Ju keni pasur mundësi të i shihni debatet e rënda deri në orët e vona, kur e kanë etiketuar njëri-tjetrin me fjalët më të rënda, gjë që qytetarët nuk e kanë merituar një situatë të tillë”, ka thënë Deliu-Kodra.

Më tutje, ajo ka thënë se koalicioni LV-LDK e ka braktisur vullnetin e qytetarëve.

“Në fakt edhe ne si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e kemi thënë se këto arsye për rrëzimin e qeverisë nuk qëndrojnë. Por, ky koalicion i trumbetuar si i shpresës, ka përfunduar ashtu edhe si e kanë nisur, me zhagitje në formimin e Qeverisë. Ky koalicion ka premtuar se do t’i realizoj të gjitha kërkesat e qytetarëve. Kjo u pa se nuk janë aspak të sinqertë me qytetarët. Ata e kanë braktisur vullnetin e qytetarëve”, është shprehur ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i njohur Enrique Iglesias ka ndarë me të gjithë…