Deliu për Kurtin: Sa më e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu – Kodra, ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtit për mosekzekutimin e pagave të punëtorëve të sektorit të arsimit.
Ajo duke iu referuar historisë, ka thënë se “sa më e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët”.
Sipas deputetes së PDK-së, Kurti “nuk e ka kuptuar fitoren e tij elektorale”, duke shtuar se “Kurti mendon se shoqëria duhet manipulohet”.
“Kurti, kurrë s’e kupton fitoren e tij elektorale si besim të fituar nga qytetarët, por si aftësi personale për të manipuluar një shoqëri që sipas tij, meriton të manipulohet, sepse janë thjesht një ‘masë analfabetësh’. As nuk ua njeh punën, as nuk ua respekton mirëqenien! Historia është e mbushur me shembuj të megalomanëve të tillë, si i kanë katandisur popujt e vendet e tyre. Por, barrën kryesore historia zakonisht ia mvesh mungesës së ndjenjës kolektive për t’i rezistuar padrejtësive. Dhe, sa më e thellë bëhet heshtja, aq më shumë trimërohen autokratët, sa më shumë trimërohen aq më shumë egërsojnë pushtetin, deri në asimilim qytetarë”, ka shkruar Deliu-Kodra në “Facebook”.



