Deliu: Pse nuk po sqarohet saktë numri i votave për rrëzimin e qeverisë

09 prill 2020 | 16:48

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka thënë se kryetarja e Kuvendit, e cila ka drejtuar seancën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por edhe sekretaria e Kuvendit dhe grupet parlamentare, duhet të kërkojnë sqarim pse ende në publik nuk është sqaruar saktë numri i votave të dhëna për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë.

“Si pasojë e gabimeve teknike nga ana e regjisë me rastin e votimit të mocionit, por mbase edhe për faj të tendenciozitetit politik, numri i votave të dhëna nga parlamenti për rrëzimin e qeverisë është raportuar 82 ndërkohë që duhet të ishte më i madh. Nga mungesa e përmirësimit të procesverbalit me të dhënat e sakta, edhe sot në opinion po manipulohet me numrin e deputetëve mbështetës të mocionit duke deklaruar se ishte 82”, ka shkruar Deliu në llogarinë e saj në “Facebook”.

Ajo ka thënë se pjesëmarrës të shpallur në seancë ishin 117 deputetë nga të cilët abstenues ishte një deputet dhe votat kundër mocionit ishin 32 (duke përfshirë këtu Osmanin dhe dy deputetët e saj brenda LDK-së). “Kjo do të thotë se votat për rrëzimin e qeverisë duhet të kenë qenë së paku 84 e jo 82 sikurse u raportua”, ka thënë Deliu.

Deputetja Deliu ka thënë se kjo neglizhencë përbën shkelje të rëndë të vullnetit të deputetit dhe detyrimeve kushtetuese nga ana e drejtuesit/drejtueses së Kuvendit.

“Numri i saktë i votave mund të gjendet lehtë duke shqyrtuar xhirimet televizive të momentit të votimit por edhe duke u konsultuar me drejtuesit e grupeve parlamentare të cilët raportojnë saktë vullnetin e pjesëtarëve përkatës. Kryetarja e Kuvendit duhet ta obligojë sa më parë sekretariatin ta përmirësojë procesverbalin dhe të ofrohen të dhënat e sakta mbi mbarëvajtjen e seancës për votimin mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë”, ka theksuar Deliu.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi…