Demi: Për herë të parë Trusi investoi 300 milionë euro në Kosovë

04 janar 2019 | 13:51

Zyrtari për informim në Trustin Pensional të Kosovës, Jeton Demi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në aspektin e investimeve viti 2018 kishte ndryshime në shpërndarjen e mjeteve të investuara. “Për herë të parë historikisht Trusti i kishte në fund të vitit 2018 rreth 20 për qind të mjeteve (ose mbi 300 milionë euro) të investuara në Kosovë. Nga kjo shumë mbi 200 milionë euro ishin të investuara në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa rreth 100 milionë euro ishin të depozituara në bankat që operojnë në vend”, u shpreh Demi.
Sipas tij, ky ndryshim erdhi për shkak të rritjes së kërkesës së brendshme për financim (si nga Qeveria po ashtu edhe nga bankat), por edhe për shkak të gjendjes jostabile dhe me risqe të shtuara në tregjet financiare globale. “Kuptohet se, pikërisht për shkak të përqendrimit të më shumë mjeteve brenda vendit, sivjet kishim edhe nivelin më të ulët ndonjëherë të investimeve të drejtuara jashtë Kosovës. Bordi Drejtues do të vazhdojë të ketë prioritet ruajtjen dhe rritjen e vlerës së mjeteve nën menaxhim dhe nën këtë parim investimi i më shumë mjeteve në Kosovë ka përparësi në procesin e alokimit strategjik. Arritje e rëndësishme për Trustin këtë vit ishte edhe vendimi për sigurimin e një hapësire për ndërtimin e zyrave të Trustit që, megjithëse menaxhon rreth 1.7 miliard euro qysh prej themelimit, vazhdon të operojë në hapësira të pamjaftueshme dhe me qira”, ka thënë Demi, duke shtuar se viti 2018 ishte periudhë edhe e disa ndryshime rreth proceseve të brendshme vendimmarrëse të institucionit. “Pesë nga shtatë anëtarët e Bordit Drejtues ishin në përfundim të mandatit këtë vit, mungesa e të cilëve do të nënkuptonte humbjen e fuqisë vendimmarrëse të Bordit Drejtues, që është edhe organi më i lartë vendimmarrës i institucionit. Megjithatë Kuvendi i Kosovës e realizoi në kohë emërimin e anëtarëve të Bordit dhe kështu u ruajt e pacenuar vazhdimësia e operimit të këtij organi. Arritje e rëndësishme për Trustin këtë vit ishte edhe vendimi për sigurimin e një hapësire për ndërtimin e zyrave të Trustit, që megjithëse menaxhon rreth 1.7 miliardë euro qysh prej themelimit vazhdon të operojë në hapësira të pamjaftueshme dhe me qira”, deklaroi ai.

(Albulena S. MAVRAJ/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dokumente të brendshme dhe detaje personale që u përkasin qindra…