Demolli: AIBA ka luajtur me dy karta, pres pezullim 10 vjeçar të Serbisë

25 tetor 2021 | 16:00

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli në konferencë për media së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka treguar se si ekipi i Kosovës nuk u lejua që tri herë të futet në Serbi.

“Kemi qëndruar 12 ditë të izoluar. E kemi paraqitur ekipin një muaj më herët në AIBA dhe Federatën e Serbisë dhe deri në ditën e fundit gjithçka në rregull. Ditën e parë kur jemi nisur, jemi ndaluar nga policia serbe dhe na kanë thënë se me logon e Kosovës nuk mund të hyni në territorin serb. Unë i kam thënë se ne jemi të barabartë me të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Jemi kthyer”, ka thënë Demolli.

“Më pas na është thënë nga Komiteti Olimpik Kombëtar që të nisemi dhe prapë ndodhi e njëjta. Na kërkuan që të shkonim pa simbole. Shkuam herën e tretë, pa simbole, policia serbe u sjell shumë mirë, na kontrolluan dhe na thanë që të prisnim. Shefi i policisë u kthye pas një ore dhe na tha që kemi urdhër nga lartë që të mos lejohet përfaqësimi i Kosovës brenda Serbisë”, ka deklaruar Demolli.

Demolli ka akuzuar edhe AIBA-n që sipas tij ka “luajtur me dy karta”. Ai pret një dënim prej 10 vitesh pezullim për Serbinë.

“Edhe AIBA ka luajtur me dy karta, pasi ditën e parë na thanë që të shkonim e më pas na thanë që t’i largonim simbolet. Tani, këta boksierë do të duhet shumë që ta kthejnë formën. Do të kërkoj për këta boksierë që të kenë pikë për Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’, pasi ky është synimi jonë dhe në këto gara merren pikët për të qenë në Olimpiadë. Pres që Serbia të dënohet me 10 vite pezullim apo më shumë, ashtu siç i ndodhi Indisë me Donjeta Sadikun”, ka përfunduar Demolli.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dikur kryetar i qytetit të Ulqinit, ndërsa sot deputet i…