Demonstrata që s’harrohet

28 korrik 2020 | 18:07

Bajram Z. Hoti

Kjo fotografi është shkrepur më 12 tetor 1992. Është protesta më e madhe studentore që ndonjëherë ka ndodhur (afër 200 000 protestues) në Prishtinë.
Protestës i printe kolosi Adem Demaçi, ku kërkohej lirimi i objekteve universitare nga masat e dhunshme serbe të Millosheviqit. Pikërisht në këtë çast policia na ndal dhe na thotë se nuk mund të ecni tutje. Gjithashtu, policia kërkoi nga Baca që ta ndalojë turmën e protestuesve, por Baca Adem u tha: “Nëse ju mund t’i ndalni, atëherë bëjeni” dhe filloi të ecë bashkë me turmën ku policia detyrohet ta hapë rrugën.
Ishte koha ku kishte dy vjet që ishim përzënë nga objektet universitare dhe se situata në kushte private rendohej dita-ditës!
Pse gjithmonë Rugova ishte kundër?
Pse kurrë ai lider nuk doli në ballë të një procesi politik apo proteste?
Kur na përzunë nga objektet më 1991, Ibrahim Rugova kërkonte që të bëjmë pauzë trevjeçare.
Ndërsa në konsultim me Ukshin Hotin, ai tha: “Nuk guxon të shuhet jeta studentore në Prishtinë sepse pastaj u duhen dekada ta riktheni”.
“Gjeni forma aktive të protestave dhe të organizimit të mësimit. Edhe nëse ju kushton me jetë, mësimi nuk guxon të ndalet”, apeloi profesor Ukshin Hoti.
Pak para policisë kishte edhe një tentativë për shpërbërje të cilën e provuan Zekeria Cana e Fehmi Agani, të cilët i thanë Bacës Adem se do t’ju vrasin dhe se duhet të shpërndaheni.
Baca qeshi dhe u tha: Po deshët hyni në turmë e, nëse jo, hupni e shkoni tek ai që ju ka porositur të na frikësoni.
Protesta u ndalë para Fakultetit Filozofik, ku në platformën e lartë të shkallëve, kërkesat studentore i lexova unë në mbështetje të cimes tim, Lumni Salihut.
Baca Adem ishte mbështetja kryesore e asaj dite për ne studentët sepse kundërshtarë të këtij organizimi e kishim vetë rektorin Ejup Statovci dhe Ibrahim Rugovën, i cili deri kur filloi protesta ishte kundër, por përderisa ajo vijonte, Rugova kishte filluar një konferencë shtypi në përkrahje të protestës, por jo edhe të dilte në ballë bashkë me studentët.
Ishte një lojë politike përfituese që, si gjithmonë, Rugova dinte ta bënte!
Kjo demonstratë masive u shpërnda nga njësitë speciale të cilat ushtruan dhunë brutale ndaj protestuesve, studentëve e profesorëve!
Vlen të theksohet se në këtë protestë u rrah brutalisht edhe akademik Rexhep Qosja.
Nga profesorët e nderuar që na përkrahën atë kohë ishin: Esheref Ademaj, Mujë Rugova, Hajrullah Gorani etj.
Një mënyrë të veçantë kësaj proteste i dhanë profesorët e Fakultetit të Bujqësisë në krye me dekanin e atëhershëm, Ismajl Pireva. Gjithashtu, Dega e Unionit Studentor e këtij fakulteti ishte shtylla kryesore e asaj kohe për zhvillimet politike dhe organizative në nivel universiteti.
Protestat dhe organizimin e mësimit në kushte private janë pikërisht djemtë e këtij unioni që filluan të parët dhe se banesa e tyre u bë çerdhe kryesore e frekuentimit të të gjithë profesorëve e studentëve.
Baca Adem, shpirti të bëftë dritë!
Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka konfirmuar se Mariano Diaz ka rezultuar pozitiv…