Deni Porej emërohet drejtor i “WWF Adria”

02 prill 2018 | 11:38

Dr. Deni Porej është emëruar drejtori i ri i Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Natyrës “WWF Adria”.

“WWF Adria” është zyre regjionale me seli në Zagreb dhe vepron edhe në Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni dhe Serbi.

Deni Porej me profesion është biolog.

Ai ka doktoruar në katedrën “Evolucioni, ekologjia dhe biologjia e organizmave” në Universitetin e Ohio State në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në temën e llojeve invazive.

Porej ishte zgjedhur drejtor për mbrojtjen e natyrës në “The Nature Conservancy OHFO”.

Në vitin 2007 kthehet në Evropë, ku bëhet drejtor i programit në “WWF Mediteran”. Në këtë pozitë ai ka qëndruar deri më 2 prill të këtij vitit kur është zgjedhur drejtor i “WWF Adria”-s.

“Në 10 vitet e fundit kam bërë shumë përpjekje për themelimin e ‘WWF Adria’ dhe kjo është një vazhdimësi logjike e karrierës time. Në përputhje me misionin e ‘WWF’-it që të ndalim degradimin e natyrës dhe të inkurajojmë njeriun që të jetoj në harmoni me të, gjithmonë mundohem që të mendoj globalisht dhe të veproj në nivel lokal. Dhe kjo është ajo që jemi duke e bërë në regjionin tonë e cila thekson pasurinë e biodiversitetit në të gjithë Evropën”, ka thënë Porej.

Ai ka theksuar se kjo organizatë punon në përfshirjen sa më të mirë të popullatës lokale në vendimet për përdorimin e burimeve natyrore: peshqit, lumenjtë dhe zonat e mbrojtura.

“Besoj se në këtë aspekt të gjitha shtetet ku po punojmë dëshirojnë përparim të shpejtë, këtu jemi të ndihmojmë partnerët tanë në sektorin civil dhe të biznesit, si dhe në institucionet shtetërore. Jam i gëzuar se do të udhëheq një ekip të madh entuziastesh të dashuruar në natyrë, të cilët jetën e tyre ja kanë dedikuar mbrojtjes së saj”,  ka thënë Porej, drejtor i “WWF Adria”.

“WWF” është njëra nga organizatat më të mëdha dhe më të respektuara për mbrojtjen e natyrës. Kjo organizatë është themeluar në vitin 1961, ka më shumë se gjashtë milionë përkrahës dhe me rrjetin global aktiv në më shumë se 100 vende.

Në regjionin tonë “WWF” vepron që në fillim të këtij shekulli përmes partneritetit me organizata tjera joqeveritare, deri sa “WWF Adria” është themeluar në vitin 2015.

Puna e organizatës në regjion është e fokusuar në përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të lumenjve, ligatinave, pyjeve dhe zonave të mbrojtura, si dhe ruajtjen e detit.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-Reagim nga Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të Prishtinës…