Denveri fiton ndaj Lakersave dhe kalon në raundin e dytë të ‘play-off’-it

30 prill 2024 | 13:23

Denver Nuggets ka arritur ta kalojë raundin e parë të “play-off”-it në ligën NBA. Nuggets triumfuan në një ndeshje tejet të vështirë përballë Los Angles Lakers me dy pikë diferencë 108:106 dhe me serinë 4:1 kaluan tutje.

Denveri e nisi mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë me plus katër, por shpejtë erdhi përgjigjja e Lakersave në çerekun e dytë, me plus shtatë. Fitorja e Denverit erdhi në çerekun e tretë të cilin e fituan me pesë pikë avantazh, derisa ai i fundit u mbyll baras. Tek Nuggets Jamal Murray ishte fantastik me 32 pikë, duke përfshirë edhe dy të fundit në ndeshje, derisa Nikola Jokiq shtoi 25 të tjera.

Nga ana tjetër, i shkëlqyeshëm ishte edhe LeBron James me double-double me 30 pikë e 11 asistime, si dhe Anthony Davis me double-double 17 pikë dhe 15 kërcime, por që nuk mjaftuan për fitore dhe kështu u eliminuan. Në raundin e dytë të “play-off”-it në Konferencën e Perëndimit, Denveri do të luajë kundër Minesotas, që fitoi me lehtësi 4-0 ndaj Phoenixit. Kalimin në rrethin e dytë e siguroi edhe Oklahoma City Thunder 97:89 ndaj New Orleans Pelicans dhe kaluan tutje me lehtësi 4-0.

Fitoren Thunders e siguruan në çerekun e fundit, të cilin e mbyllën me plus nëntë pikë. Oklahoma në raundin e dytë do të luajë kundër Los Angeles Clippers ose Dallasi Mavericks. Rezultati në atë seri është 2:2. Hap të madh drejt kualifikimit në raundin e dytë bëri Boston Celtics me fitoren 102:88 në Miami.

Momentalisht, Celtics kanë epërsinë prej 3:1 në seri. Bostoni ishte skuadër më e mirë në tre çerekët e para të lojës, krejt çka arriti Miami ishte fitimi i çerekut të fundit. Fituesi i duelit Boston-Miami, në raundin e dytë të Lindjes do të luajë kundër skuadrës më të mirë nga dueli Cleveland-Orlando, ku edhe atje seria është e barabartë 2:2.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar dëshminë Nuredin…