Deponitë ilegale po shkatërrojnë mjedisin në Kosovë

01 dhjetor 2020 | 13:24

Sipas kompetencave që dalin nga ligji për mbeturinat, si dhe aktet e tjera nënligjore Komunat në Kosovë ende përballen me praninë e një numri të madh të deponive ilegale të mbeturinave që vazhdojnë të kërcënojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, raporton “Epoka e re”.

Sipas të dhënave të grumbulluara prej raporteve ndër vite nga Agjencioni për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë rezulton rritje në shtrirje të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në nivel vendi ku nga 57.7 për qind në vitin 2016, në 70.9 për qind në vitin 2017 dhe 75.6 për qind në vitin 2018.

Gjithashtu, bazuar në të këto të dhëna dhe në bazë të raportimeve të komunave për vitin 2018 janë regjistruar 2 246 deponi ilegale të madhësive dhe llojeve të ndryshme. Krahasuar me vitin paraprak, edhe pse shtrirja e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në nivel vendi ka pasur rritje, sërish vendi ynë përballet me numër të madh të deponive ilegale në nivel vendi.

Bazuar në të dhënat nga të gjitha komunat në Kosovë (për vitin referent 2018), pjesa më e madhe e deponive janë deponi të mëdha 39 për qind, deponi të mesme 32 për qind dhe të vogla 29 për qind, ndërsa lloji dominues i mbeturinave në këto deponi është 46 për qind mbeturina komunale, 37 për qind mbeturinat e ndërtimit dhe rrënimit, 7 për qind mbeturina industriale dhe të rrezikshme, 4 për qind mbeturina të vëllimshme dhe 6 për qind mbeturina të tjera.

Bazuar në shpërndarjen e deponive ilegale në rajone Prishtina renditet e para me 582 deponi, pastaj Prizreni me 448, Gjilani 377, Peja 342, Mitrovica 221 etj.

Edhe pse raporti i vlerësimit të gjendjes me mbeturina për vitin 2019 nuk është publikuar akoma, sërish sipas burimeve gjendja e mjedisit dhe prezenca e deponive ilegale mbetet dukuri problematike në nivel vendi.

Pajtim Kastrati koordinator në organizatën Green Art Center (GAC), ka thënë se është me rëndësi që institucionet të trajtojnë me seriozitet eliminimin e deponive ilegale duke ndërmarrë hapa adekuat nga niveli qendror dhe lokal në ndërtimin e sistemit të mirëfilltë të menaxhimit të mbeturinave dhe ngritjen e kapaciteteve sa i përket zbatimin të ligjit për të parandaluar hedhjen e mbeturinave.

Sipas tij, do të ishte shumë e rëndësishme që të gjitha komunat përmes veprimeve konkrete në një afat kohor sa më të shpejtë të rrisin shkallën e mbulimit me shërbim të mbledhjes së mbeturinave në komplet territoret e tyre komunale.

Kjo sipas Kastratit, do të rezultonte në zvogëlimin e deponive ilegale të llojit të mbeturinave komunale. Gjithashtu, sipas tij hap tjetër mjaft i domosdoshëm do ishte edhe ofrimi i shërbimeve tek qytetarët nga kompanitë e licencuara për fraksionet e mbeturinave të vëllimshme dhe ndërtimore-rrënimit.

“Në këtë mënyrë do të zvogëlohej dukshëm numri i deponive ilegale si dhe në anën tjetër ky fraksion i mbeturinave do të integrohej në një menaxhim adekuat prej grumbullimit deri në trajtimin përfundimtar si produkt i përdorshëm në industri të ndryshme”, ka thënë ai.

Megjithatë, përkundër faktit që aspiratat e shtetit të Kosovës janë drejt integrimeve në BE, fatkeqësisht realiteti në Kosovë tregon se gjendja e mjedisit paraqitet e rënduar si pasojë e mungesës së sistemeve për menaxhim të integruar mbeturinave dhe zbatimit të ligjit.

(Qendresa Rama /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid do të synojë fitore sonte (e martë) në…