Hoti në Tajvan: Të shfrytëzohen mundësitë për bashkëpunim në sektorin e IT-së
Një delegacion ndërpartiak i deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë udhëtuar në Tajvan – aleatin e ShBA-së në Azi.
Me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik të ShBA-së (NDI) dhe Fondacionit Westminster për Demokraci me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, deputetët do të marrin pjesë në Forumin e Hapjes dhe Monitorimit Parlamentar që organizohet në Tajvan.
Parlamentarët nga Maqedonia e Veriut, Rumania dhe vende të tjera gjithashtu do të marrin pjesë në këtë ngjarje.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar në “Facebook” se gjatë këtyre ditëve, me një grup të deputetëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Rumania po qëndrojnë në Tajvan. “Sot u takuam me presidenten e Tajvanit znj. Tsai Ing-wen, të cilën e falënderova për mikpritjen në emër të delegacionit. Republika e Kosovës është krah çdo shteti demokratik dhe liberal, që mbron dhe promovon vlerat demokratike dhe të drejtat e liritë njerëzore, që mbron dhe promovon ekonominë e tregut të lirë”, ka shkruar ai.
Më tutje, Hoti ka thënë se mundësitë për bashkëpunim ekonomik janë të mëdha dhe duhet të shfrytëzohen, sidomos në sektorin e TI, ku Tajvani është lider botëror, ndërkaq Kosova po prodhon profesionistë në këtë fushë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor i Tajvanit. Në këtë shtet tashmë janë vendosur mbi 120 zyre ekonomike nga shtetet kryesisht demokratike. Tajvani është ndër ekonomitë më të mëdha botërore, derisa edhe më tutje mbetet lider i prodhimit të çipave në botë.