Deputetët e komuniteteve joserbe takojnë Kurtin, i kërkojnë dy ministri

02 shkurt 2020 | 17:02

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me disa deputetë të pakicave joserbe në qytetin e Prizrenit, të cilët i kanë kërkuar Kurtit t’i kenë dy ministri, prej tri sa janë ndarë për pakicat.

Ky takim është mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, me qëllim që edhe partitë e pakicave të marrinë pjesë në qeveri dhe ta japin kontributin e tyre edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në takim është diskutuar për qeverinë e re, sfidat dhe mundësit e bashkëpunimit për shtetndërtim demokratik, ku është thënë se tri ministri do t’i takojnë pakicave.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në bazë të obligimeve të Kushtetutës, tri ministri do t’i takojnë shumicës.

Kurti për “Kosovapress” ka thënë se këto takime po mbahen me qëllim të grumbullimit të sa më shumë votave për qeverinë e nesërme.

“Prej dhjetë deputetëve që janë të pakicave joserbe kanë krijuar një grup multientik i cili përbëhet nga gjashtë deputetë dhe pas përfundimit të bisedimeve me LDK-në dhe nënshkrimin e marrëveshjes me ta për bashkëqeverisjen tonë që duhet të votohet nesër në Kuvend, unë pa humbur kohë në këtë ditë të fundit po zhvilloj takime me deputetët e këtyre pakicave joserbe, në mënyrë që shumica jonë parlamentare që do ta vulos ndryshimin politik të 6 tetorit të jetë sa më e madhe, pra po përpiqemi të kemi sa më shumë vota për qeverinë e nesërme….Në bazë të obligimit Kushtetues që kemi për shkak se do të jenë gjithsej 15 ministri, tri do t’i takojnë pakicave”, ka thënë Kurti.

Deputeti nga grupi parlamentar 6 plus, Fikrim Damka, ka thënë se gjatë këtij takimi kanë parashtruar kërkesat e veta ku shpreson që deri nesër të realizohen.

Damka ka thënë se si grup multietnik i 6 plusit, do të kenë më së paku ministri, gjithsej tri ministri. Përkundër kësaj, ai ka thënë se do të japin përkrahje dhe kontribut të madh në shtetndërtim.

“Sot kemi pas takim me kryeministrin Albin Kurtin, bashkë kemi qenë gjashtë deputet si grupi multietnik i gjashtë plusit, i kemi diskutuar dhe parashtruar kërkesat tona. Unë besoj se sot Albini me kryesinë e vet do të diskutojë për kërkesat tona dhe do të bëjmë një marrëveshje për koalicionin e ardhshëm….Ne si grup multientik gjashtë plus do të kemi më pak ministri, do të diskutojmë për ministrin e dytë, do të shohim si do të zhvillohet deri nesër, se ju e dini që për komunitetet janë nda tri ministri. Unë mendoj se ne do të japim përkrahje të madhe të kemi ministrin e dytë në grupin gjashtë plus”, ka thënë Damka.

E deputeti nga grupi 6 plus, Rasim Demiri, i cili po ashtu ishte prezent në takim, ka thënë se nga sot nuk është pjesë e gjashtë plusit, por arsyet nuk i ka bërë publike.

“Deri tash kemi pas një grup prej gjashtë plus, prej sot nuk jemi gjashtë plus. Unë sot kam vendos me lëshuar gjashtë plusin. Tash për tash për momentin nuk e kemi grupin parlamentar gjashtë plus. Tash i kemi vetëm pesë deputetë që kanë mbetur prej 6 plus, ne i kemi dhënë do kërkesa kryeministrit”, ka thënë Demiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani nuk ka mundur të merr më shumë se një…