Deputeti i LV-së falënderon gazetarët që raportuan nga veriu
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, të enjten e ka nisur pak më ndryshe fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e sotme plenare, Ramadani ka falënderuar të gjithë gazetarët dhe pjesëtarët e mediave, që kanë raportuar nga komunat veriore, pavarësisht sulmeve dhe rreziqeve që u kanë kanosur nga bandat kriminale.
Ai duke përmendur punën e tyre heroike bashkë me Policinë e Kosovës, tha se Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medies së lirë.
“Puna e tyre heroike dhe e policëve na garanton për triumfin e demokracisë së Kosovës. Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medies së lirë”, ka thënë ai, duke shtuar se sulmuesit e gazetarëve në veri janë mbrapa grilave.
Për këtë, ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rendit në veri të vendit.
“Kjo është e pamundur pa punën shembullore të gazetarëve. E kam dënuar dhe e dënoj sulmet ndaj mediave”, ka thënë ai.