Deputeti Lushtaku beson se Kosova do të jetë me ushtri më 28 nëntor

14 tetor 2018 | 15:59

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka propozuar që pakoja e ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të miratohet më 28 nëntor të këtij viti, në datën e shumë ngjarjeve historike të popullit shqiptar.

Në këtë datë të vitit 1912 Shqipëria ka shpallur pavarësinë, derisa edhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte bërë më 28 nëntor të vitit 1997. Po ashtu, edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Adem Jashari, ka lindur në këtë datë.

Lushtaku ka thënë për “Ekonomia Online” se kjo pako mund të miratohet në Kuvend me mënyrë të përshpejtuar.

“Kur ka vullnet politik, gjithçka është e mundshme. Për këtë arsye u kam kërkuar publikisht të gjithë deputetëve pa marrë parasysh se cilit subjekt politik i takojnë, ta kenë në konsideratë këtë datë pasi që besoj që për të gjithë neve është historike”.

“Ne mund ta bëjmë këtë me një propozim nga Qeveria, por edhe nga Kryesia e Kuvendit që të shkojë në mënyrë të përshpejtuar në të gjitha komisionet. Të kalojë në leximin e parë, të shqyrtohet në të gjitha komisionet dhe të kalojë në lexim të dytë dhe të marrë aktin final më 28 nëntor të këtij viti”, ka thënë Lushtaku.

Sipas tij, procesi i transformimit të FSK-së në ushtri është më i rëndësishëm, por edhe data simbolike ka rëndësinë e saj.

“Për neve kjo datë pas miratimit të ligjit për transformimin në ushtri do të jetë historike dhe për këtë arsye kam propozuar që të ndërlidhet në datën historike qysh është 28 nëntori, pasi që në lidhje me ushtrinë do të ishte e mirë edhe pse e dimë që shumë më i rëndësishëm është procesi. Por, ka rol edhe simbolik çështja e datës”, është shprehur Lushtaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver…