Deputetja Musliu: Po rrezikohet ‘shembja’ e historisë së Kosovës

28 shtator 2018 | 12:50

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka thënë se institucionet shtetërore duhet ta marrin me urgjencë trajtimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz të Skenderajt.

Musliu ka thënë për gazetën “Epoka e re” se për shkak të mosveprimit të institucioneve është duke u rrezikuar të humbet historia e Kosovës dhe e komandantit legjendar, Adem Jashari, pasi sipas saj kullat e tij janë në prag të shembjes.

“Po rrezikojmë të humbin historinë e Kosovës pasi ato kulla janë në prag të shembjes dhe duhet të bëhet konservimi i tyre. I keni parë erërat e forta që ishin në Prishtinë dhe po të ndodhnin edhe dy, atëherë rrezikohet të shemben ato kulla. Ne mund ta bëjmë renovimin e tyre, sepse asnjëherë s’është qysh ishin në origjinal. Prandaj, duhet të jemi me vigjilentë në këtë drejtim dhe të gjithë deputetët e Kuvendit pa marrë parasysh nga cila parti janë, duhet të votohet që të ndahet buxhet për këtë”, ka thënë Musliu.

Musliu e cila është anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ka thënë se edhe në mandatin e kaluar ka kërkuar që të futet në projeksion buxhetor trajtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.

E pyetur nëse kanë ndonjë pilot-projekt se çfarë kostosh buxhetore mund të jetë për këtë kompleks, Musliu është përgjigjur: “Jo! Ne deputetët nuk kemi të ditur ndonjë shifër. Këtë mund ta di drejtori i Komplekseve Memoriale, prandaj dhe kam propozuar që ai të vjen në komision dhe të na informoj më gjerësisht”, është shprehur deputetja Musliu.

/Epoka e re/ A. Mavraj/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fadil Maloku   Ata që mendojnë se fati ekonomik i…