Dëshmitari i tretë rrëfen kohën kur ishte nisur t’i bashkohej UÇK-së

04 tetor 2021 | 12:19

Është duke u mbajtur seanca e radhës në rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në Gjykatën Speciale në Hagë, ku është duke dëshmuar dëshmitari i tretë në rastin e tij.

Dëshmitari ka rrëfyer kohën kur ishte nisur t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte intervistuar nga “njësia speciale”. Ai ka përmendur edhe emra që sipas tij kanë qenë pjesë e kësaj njësie, të cilin e kanë keqtrajtuar fizikisht.

“Në Mramur shkuam në një shkollë, aty kishte pasur njerëz, dhe aty qëndruam një natë dhe i pyetëm njerëzit tjerë se ku është UÇK-ja që po duam të kyçemi në luftë, edhe të nesërmen na treguan dhe vazhduam për në Zllash”.

“Pasi shkuam në Zllash, shkuam te një shkollë tjetër, aty u lajmëruam. Aty kishte pasur disa ushtarë, kish qenë një komandat, u lajmëruam aty, na morën shënimet dhe qëndruam aty”, ka thënë dëshmitari, i cili është pyetur nga prokurorja Silvia D’Ascoli nëse i kujtohet emri i ndonjë komandanti që ka parë në Zllash.

“Fatmir Sopi edhe ai tjetri Adem Shehu, edhe një Triumfi, kështu i thonin sa më kujtohet”.

“Çdo ditë dilnim, kemi bërë stërvitje, disa ushtrime i kemi bërë me Adem Shehun dhe Triumfin, dhe pas 4-5 ditësh erdh një njësi tjetër dhe më morën”.

“Sa e di, ka qenë Brigada 153, ku jemi lajmëruar ne. Ku na kanë sjellë, ku kemi qëndruar ato ditë dhe jemi stërvitur”, ka thënë dëshmitari.

Më tutje, prokurorja ka kërkuar nga dëshmitari t’i përshkruante disa prej aktiviteteve të trajnimit që kanë bërë?

“Ato stërvitje kanë qenë më poshtë se shkolla, disa kanë qenë kështu zvarrë, me u ngjitë lartë, disa si lloj ushtrimesh të ushtrisë. Fatmir Sopi na ka marrë shënimet, me Adem Shehun na ka rënë të dalim në stërvitje, aty i kam njohur, aty i kam parë të gjithë, s’kam njohur askënd”.

“Nuk e di saktë, por mund të themi se në atë shkollë kanë qenë shumë, ndoshta kanë qëndruar deri 40 apo 50 vjet. Kështu djem të rinj sikur ne, që janë shkuar të kyçur”, ka thënë dëshmitari, i cili ka thënë se ka qëndruar në shkollë 4-5 ditë, ku sipas tij ka ardhur t’i marrin një grup tjetër.

“Këta ushtarë, unë isha duke qëndruar në oborr të shkollës, aty edhe u afruan më pyetën: Si e ki emrin. Iu tregova, edhe tani qëndruan me mua aty. Njëri u fut brenda, edhe pastaj doli ai dhe tha eja se kemi punë me ty pak. Po dëshiron komandanti të bisedojë me ty”.

“U nisa me ta. Veç më thanë që do të bisedojë komandanti edhe u nisa. Nuk kam menduar asgjë. Edhe s’ke pasur çka të mendosh, me katër persona edhe me të shkuar mendja të mendosh diçka, nuk ke mundur”.

“Kanë thënë ne jemi njësia speciale, ‘Skifterat’. Ashtu diçka kanë thënë, edhe duhet të vazhdosh të vish me neve. Vazhduam atë rrugë, ashtu kemi ecur, edhe shkuam në një vend që nuk e di as et. Ishte hera e parë në jetën time që kam qenë aty. Kur u afruam, ata thanë ule kokën edhe më nuk dija as ku po më dërgojnë, e as çka po bëhet. Kur jemi afruar afër disa objekteve, më kanë vendosur një thes të zi në kokë edhe më dërguan në një objekt diku brenda”, ka thënë dëshmitari.

Prokurorja ka pyetur dëshmitarin se çfarë ka ndodhur më tutje.

“Kur më dërguan brenda një ndërtese, aty kish qenë një komandant i tyre, edhe ishte i uluar aty. Kështu përballë dhe më tha kush je ti. I tregova, më tha pse ke ardhur këtu. I thash kam ardhur të kyçem në ushtri të kontribuojë diçka. Më tha pse po gënjen. Filloi të më bërtiste, u ngrit më goditi, dhe filluan të më rrihnin të gjithë”, ka thënë ai, i cili është përgjigjur në pyetjen e prokurores se kush ishte komandanti.

“E kam kuptuar, jo menjëherë, por mandej e kam kuptuar. Edhe duke dëgjuar komandant ‘Cali’”.

“Veç me atë fjalën ‘komandant’. Në fillim kur më kanë ngritur i thanë: komandant ja e sollën këtë djalin. Dhe e kam parë që ishte komandant aty sepse i drejtoheshin të gjithë”.

“Jo, ai komandanti e dija që shkova para një komandanti, si më kanë dërguar. Por emër ose diçka të tij nuk i kam ditur. Ai nuk u prezantua, vetëm më dërguan para tij”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje u rikthye në fushë pas dëmtimit me Liverpoolin, por…