Dëshmitari tregon si e ka njohur Pjetër Shalën: Vetë s’e kam parë, por fqinjët thanë se ishte Pjetër Shala

27 mars 2023 | 19:02

Ka filluar paraqitja e provave dhe dëshmive në rastin e Pjeter Shalës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pra, dëshmitari i parë ka filluar të japë dëshminë e tij kundër Shalës.

Ai ka treguar se si e ka njohur Pjetër Shalën.

Dëshmitari tha se në maj të vitit 1997, në shtëpi i kanë shkuar dy persona të UÇK-së nga Jabllanica dhe disa persona me rroba civile.

E, në mesin e këtyre personave që kanë shkuar te shtëpia e dëshmitarit, sipas tij, ka qenë edhe Pjetër Shala, por ai ka theksuar se në atë kohë nuk e ka njohur, mirëpo përmes disa fqinjëve dhe informatave të tjera, e ka marrë vesh kush ishte.

“Disa fqinj i kanë pyetur ata se çfarë po kërkoni këtu, e ai u ka thënë ikni atje. E, aty, fqinjët më kanë thënë se ishte Pjetër Shala dhe njerëzit që e kanë njohur, kur ka ardhur ai te dera. Më kanë thënë se është Pjetër Shala, sepse unë nuk e kam njohur”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Shala e ka keqtrajtuar babain e tij dhe personat e tjerë, të cilët kanë qenë të ndaluar në një ‘hekurishte’ në Kukës të Shqipërisë.

“Pasi babain tim e kanë mbajtur për disa kohë në Kukës në fabrikën e hekurishteve, aty Pjetër Shala, personalisht, mbi babanë tim ka ushtruar dhunë, elektroshok, me bishta të sakicave, si dhe rrahje masive mbi gjithë të dënuarit e tjerë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, prokurori i ka bërë një pyetje dëshmitarit.

“Pse në vitin 2010 në Tribunalin e Hagës për krime në ish-Jugosllavi, në deklaratën që e keni dhënë, nuk e keni thënë atë që po e thoni sot, se Pjetër Shala ka qenë pjesë e grupit që kanë qenë të shtëpia juaj?”, ka pyetur prokurori, duke kërkuar një arsye se pse nuk e ka përmendur emrin e Pjetër Shalës.

Dëshmitari tha se edhe në dëshminë për Tribunalin për ish-Jugosllavinë, e ka dhënë këtë emër.

Por, prokurori insistoi dhe kërkoi nëse ka ndonjë arsye përse në atë deklaratë nuk e ka përmendur emrin e Pjetër Shalës.

“s’po… ndoshta nuk ka qenë e domosdoshme nga hetuesit me ia cek emrin e tij se kanë qenë pjesë të ndara të gjykimit, kam marrë pjesë edhe në gjykime tjera”, ka treguar dëshmitari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë ndaluar 2 persona nga Shkodra në Vlorë lidhur me…