Dëshmorët nga Maqedonia të rënë në luftën për çlirimin e Kosovës

08 dhjetor 2022 | 11:05

Doc. dr. Minir Ademi

Në rrugën e gjatë të lëvizjes për çlirim, bashkim dhe përparim të kombit shqiptar, gjatë shekujve, vend meritor zënë veprimtarët dhe personalitetet, luftëtarët e lirisë të rreshtuar në radhët e UÇK-së. Një rëndësi të veçantë paraqesin edhe luftëtarët e lirisë nga trevat e tjera shqiptare të cilët ishin tepër të rëndësishëm dhe të nevojshëm në ndihmën e dhënë për lirinë e Kosovës.[1] Në kuadër të shumë personaliteteve dhe luftëtarëve të lirisë, ishin edhe 10 dëshmorët e rënë në luftën e Kosovës nga Maqedonia, të cilët sakrifikuan edhe jetën për lirinë e Kosovës. Ata janë: Beqir Limani, Kërçovë, Ismet Jashari, Kumanovë, Safet Ajeti, Kumanovë, Ismet Mustafa, Kumanovë, Mujdin Aliu – Tetovë, Aliriza Selmani, Tetovë, Remzi Xhaferi, Shkup, Tahir Osmani, Shkup, Shabi Kajolli, Shkup dhe Zekir Dardhishta, Shkup.

BEQIR LIMANI – BEQA

(22.1.1952-18.9.1998)

Beqir Limani, lindur më 22.01.1952 në Kërçovë, nga babai Shukriu dhe nëna Nazife, kishin 8 fëmijë, 7 djem e një vajzë: Tasimin, Milaimin, Aliun, Beqirin, Habibin, Muhametin, Xhavitin dhe vajzën Alije. Beqir Limani kishte katër djem: Fadilin, Fatmirin, Dashmirin dhe Hashimin. Ai nga familja e të parëve ishte i frymëzuar nga jehona e së kaluarës së lavdishme, nga kënga e konakut për trimat që u bënin ballë hordhive nga trimëria e kaçakëve të pamposhtur të kësaj ane, të cilët më pas edhe vetë u këndonte këngë. Beqir Limani qysh i ri filloi veprimtarinë e tij si aktivist kundër diktaturës komuniste jugosllave. Në vitet ’70 dhe fillimvitet ’80, Beqir Limani i bashkëngjitet Lëvizjes Popullore të Kosovës për liri. Dëshira për ta mbajtur gjallë shpresën, ndjenja për ta kultivuar atdhedashurinë edhe te gjeneratat e reja, ecte krenar përpara. Kjo mbase ishte arsyeja që ra në sy të atyre që dinin të bënin vetëm lajka. Atij i vinin prita gjithandej, mirëpo ai nuk ndalej, ecte përpara bashkë me idealin e pamposhtur.

Beqir Limani ka qenë përgjegjës për Zonën e Dytë Operative të Iliridës. Një ditë shtatori nuk ishte si zakonisht. Ajo ditë nuk ishte si ditët e tjera. Atë e kishin rrethuar nga të katër anët. Mirëpo, Beqir Limani nuk dorë­zohej. Si të dorëzohej në shtëpinë e tij. Ndonëse djalin ia kishin marrë peng, ai nuk dorëzohej, “patjetër duhet të ngadhënjej”, thoshte. Më 18 shtator të vitit 1998 policia rrethoi shtëpinë e Beqir Limanit, me një urdhër arresti, por hasi në rezistencën e tij dhe papritmas vërshëllenin plumbat. Një sy i keq e kishte marrë në shenjë dhe e kishte qëlluar për vdekje. Para se të jepte frymën e fundit kishte lënë porosinë: “Rrugën që nisa unë ta vazhdoni, që ta gëzojnë nipat e mbesat. Rruga e lirisë të vazhdohet, rruga” … dhe kishte mbyllur sytë. Sot figura e Beqir Limanit qëndron e lartësuar përkrah figu­rave të njohura të popullit si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me fillimin e luftës në Maqedoni në vitin 2001 dhe me daljen në skenë të emblemës së UÇK-së, brigadës së parë iu vu emri “Brigada 111 Beqir Limani”. Beqir Limani, me nr. prot. D/2992, merr certifikatën e dësh­morit të Kosovës.[2]

ISMET JASHARI – KUMANOVA

(16.4.1967 – 25.8. 1998)

Ismeti lindi më 16 prill 1967 në fshatin Orizare të komunës së Likovës – Kumanovës. Ishte i biri i Jasharit dhe nënës Nurie. Ismeti rrjedh nga një familje me vlera atdhetare. Për shkak të ndjekjeve dhe presionit të vazhdu­eshëm të pushtetit jugosllav, ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, edhe Ismet Jashari detyrohet të emigrojë në Zvicër.[3] Edhe aty nuk e ndali aktivitetin dhe angazhimin atdhetar. Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit,  Muratin dhe Xhemailin, si dhe me shumë bashkëveprimtarë, të cilët zhvillonin aktivitet çlirimtar. Ai së bashku me veprimtarë të tjerë nuk reshti kurrë për krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesve të trojeve etnike. Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”, i cili u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu, menjëherë pasi filluan luftimet midis UÇK-së dhe ushtrisë e policisë serbe, ai vendosi të vinte në Kosovë e të merrte pjesë në frontin e luftës.

Pas ngjarjes epokale në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, atdhetari i përkushtuar i luftës çlirimtare, Ismet Jashari, nuk kishte hamendje që t’i fillonte përgatitjet për të hyrë në Kosovë. Kështu, më 11 mars 1998, ai, bashkë me Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vendoset në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e saj.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari u ngarkua me detyrë ushtarake në Zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Që në mars të vitit 1998Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën e të tjerë, formojnë njësitin ushtarak “Çeliku” me bazë në fshatin Kleçkë. Që në fillim të përfshirjes së tij në luftën e Kosovës, për shkak të konspiracionit, Ismetin bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin “Kumanova”. Ismeti me bashkëveprimtarë ishin luftë­tarët e lirisë që rrezatonin shpresë dhe frymëzim për popullatën civile dhe për të gjithë ushtarët e lirisë. Rrugën e lavdishme të Ismet Jasharit e ndoqën trimat luftëtarë nga të gjitha anët e trojeve etnike të cilët me zjarrin dhe prushin luftarak të komandant “Kumanovës” ishin gjithmonë drejt fitores.[4]

Në prill të vitit 1998Ismet Jashari, i ngarkuar me detyrë ushtarake, ndo­dhej në Dukagjin. Gjatë kthimit për në Kleçkë ra në pusi të forcave serbe, te vendi i quajtur “Guri i Zi”, në mes të fshatrave Volljak dhe Çupevë të Klinës. Këtu ai plagoset në të dyja këmbët. Kur luftëtarët e lirisë arritën ta merrnin nën kontrollin e tyre grykën legjendare të Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, Ismet Jashari, ende pa u shëruar sa duhet, mori pjesë aktive në barrikadimin e kësaj gryke, e cila u bë barrierë e pathyeshme për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti.

Pas marrjes së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij iu afrohet pikave të tjera po aq me rëndësi: në Qafë të Dulës dhe në Grykë të Carralevës. Prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998Ismet Jashari, komandant “Kumanova”, Fatmir Limaj, komandant “Çeliku”, Haxhi Shala, komandant “Topi”, Shukri Buja, komandant “Sokoli” e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, përforcuan të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, duke filluar nga Llapushniku e deri në Qafë të Dulës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri në Blinajë.

Më 24 gusht 1998 forcat pushtuese serbe kishin shtuar valën e sulmit duke gjuajtur me arsenal të llojllojshëm luftarak, me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë. Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, ndonëse bunkerët po digjeshin. Në mbrëmje luftëtarët e lirisë kishin depër­tuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, mirëpo bashkëluftëtarët e Ismetit, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Gjatë mëngjesit të 25 gushtit 1998 Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt me forcat serbe, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, ra dëshmor një ndër luftëtarët më të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të KosovësIsmet Jasharikomandant “Kumanova”. Bashkë me të ranë dëshmorë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Më pas bashkëluftëtarët e komandant “Kumanovës” ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë t’i tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake në Kleçkë. Këta trupa forcat armike i kishin dërguar në Shirokë në përpjekje për t’ua humbur gjurmët.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e dëshmorëve të tjerë të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

Për kontributin e jashtëzakonshëm që dha në luftën për çlirimin e Kosovës, më 25 gusht të vitit 2009, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Ismet Jasharin me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Në shenjë mirënjohjeje për përjetësimin e veprës heroike të Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”, atij i ngritën shtatoren afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në Orizare. Në komunën e Likovës, në shenjë respekti, shkolla e mesme mban emrin e tij.

ISMET MUSTAFA – KUMANOVË

(22.12.1970 – 16.4.1999 )

Një ndër dëshmorët e kombit që dha jetën për lirinë është edhe Ismet Esat Mustafa, lindur më 22 dhjetor 1970 në fshatin Çerkez të Kumanovës. Është fëmija më i madhi i Esat dhe Kadrie Mustafës, të cilët kishin katër fëmijë: Ismetin, Ahmetin, Sametin dhe motrën Feride. Ismeti ishte i martuar me Makfiren. Kishin një djalë, të cilin e pagëzuan Berat. Berati nuk arriti të rritet me baba Ismetin, se ai kishte vetëm 2 vjet e 3 muaj kur babai i ra dëshmor. Ismeti rrjedh nga një familje e pasur bujare shqiptare.[5] Ai filloi t’i njohë rrjedhat shoqërore në vendin e tij, si në Maqedoni dhe në Kosovë dhe t’i ndiejë shpirtërisht dhe fizikisht padrejtësitë që bëheshin ndaj gjithë popullit shqiptar e sidomos ndaj trevave të Kumanovës. Së shpejti erdhi edhe viti 1998 kur në Kosovë do të arrijë kulminacioni i së keqes, sundimi më barbar në historinë e njerëzimit. Kështu, në mars të vitit 1999, Ismeti me disa shokë niset për t’iu bashkuar shokëve të luftës në frontin e Kosovës. Ai u nis për në Shqipëri, konkretisht në vendin e quajtur Vlonë -Krumë, ku përfshihet në përgatitjet psiko-fizike dhe stërvitjet ushtarake për luftë. Pas dy javësh stërvitjesh me disa komandantë: Bilall Syla, Sami Ukshini, Agim Haziri, Esat Krasniqi, Bashkim Lladrovci, Shaban Musliu, Ramadan Bytyçi etj., Ismeti arriti një përgatitje të shkëlqyeshme dhe ishte ndër të parët që u rreshtua për të marrë pjesë në luftime, rrëfen, bashkë­luftëtari i Ismetit, Abdylqerim Lutfiu. Pas përgatitjeve, një numër prej 40 ushtarëve, ku ishte edhe Ismeti, u nisën drejt Koshares. Ai më tej shton se “nga Vlona në drejtim të rrethit të Gjakovës arritën në Popaj të Tropojës, ku ishte zonë stërvitore e UÇK-së. Aty jemi furnizuar me armatim dhe para se të arrijmë në Kosharë u ndalëm në fshatin Padesh në Shqipëri për të pritur komandën e Brigadës 131, ku ndërkohë u formua brigada ‘138 Agim Ramadani’. Pas disa orëve erdhi Sami Ukshini, komandant ‘Sokoli’, i cili kërkoi vullnetarë në përforcim të Batalionit 237 ku operonte Hysen Berisha. Në mesin e vullnetarëve ishte edhe Ismeti. U nisëm në drejtim të vendit të quajtur Vrejtore, unë, Abdylqerim Lutfiu, Ismet Mustafa, Samet Lutfiu, Remzi Fetau, Emin Isa, Vesel Uroçi dhe disa shokë të tjerë. Në ofensivën e 10 prillit 1999, ndër komandantët që mori pjesë në të, ishte Ramadan Bytiqi, komandant ‘Lisi’. Ky aksion filloi në orën 10.00 të mën­gjesit dhe vazhdoi deri në orën 3.00 të 11 prillit 1999. Në mëngjes, pas përfundimit të aksionit, jemi kthyer në shtëpinë e Sadikut, që ishte një shtëpi e shenjtë, që granatohej pandërprerë, ndërsa asnjëherë nuk ishte qëlluar nga forcat e armikut. Pas disa orë pushimi filluan përsëri grana­timet dhe përnjëherë u zgjuam dhe morëm aksion në drejtim të kazermës së ushtrisë serbe. Ishim në një distancë prej 700-800 metrave dhe nga ky aksion ne arritëm t’i largojmë forcat e armikut dhe u stacionuam në kazer­mën e ushtrisë serbe. Në këtë ofensivë, të suksesshme të UÇK-së, pjesë­marrës ishte edhe Ismet Mustafa. Të nesërmen, më 12 prill 1999, jemi ven­dosur te pika e minahedhësve 82mm, në një distancë prej 300 metrave, u rezistuam forcat serbe, gjatë 14-15 prill 1999. Ne, duke luftuar ballë për ballë me armikun, arritëm që forcat serbe t’i largojmë nga pozicionet e tyre. Në mëngjesi e 16 prillit 1999 filloi ofensiva më e rëndë e forcave serbe mbi forcat e UÇK-së. Ishte mëngjesi i kobshëm, ku në këto granatime dhe luftime të ashpra në pikën e frontit, ra dëshmor Ismet Mustafa. Ne shokët arritëm ta tërheqim nga vendi i ngjarjes trupin e pajetë të Ismetit. Ishim të pikëlluar se humbëm shokun e bashkëvendësin tonë nga Kumanova. Ismet Mustafa është ndër dëshmorët e parë pas Ismet Jasharit që lau me gjakun e tij tokën e Kosovës. Ne, shokët e luftës, rrëfen Abdylqerimi, e dërguam nëpër fshatin Padesh deri në spitalin e Bajram Currit, ku e vendosëm aty. Komanda e lajmëroi familjen për rastin e rënies së Ismet Mustafës dëshmor, përfundon i njëjti burim.

Vëllai i Ismetit, Ahmeti, rrëfen, se “ne morëm lajmin e hidhur më 16 prill 1999, ditë e shtunë, në orët e mbrëmjes, ndërsa ai kishte rënë dëshmor në orën 10.00. Unë dhe babai u nisëm për në Tiranë dhe pastaj për në spitalin e Bajram Currit. Në mortore e verifikuam atë dhe e morëm trupin e Ismetit dhe bashkërisht me disa shokë të tij me traget kaluam në Fierzë dhe drejt në Tiranë. Pas një periudhe treditore të rregullimit të dokumentacionit, më 22 prill 1999 arritëm që vëllanë ta varrosim në varrezat e fshatit Çerkez, me nderime të larta fetare dhe kombëtare, duke lexuar një referat kushtuar jetës dhe veprës së tij”. Sot familja Mustafa dhe djali i tij Berati e kujtojnë me mall vëllanë dhe babanë Ismet. Ai ra dëshmor për të mos vdekur kurrë.[6]

SAFET AJETI-KUMANOVË

(05.03.1977- 14.06.1999)

Safet Ajeti lindi më 05.03.1977 në fshatin Stançiq të Kosovës nga babai Hakiu, lindur në vitin 1936 dhe nëna Telfija, lindur në vitin 1955, të cilët kishin katër fëmijë: Safetin, Shefketin, Qamilen dhe Zarifen. Ai, krahas punës për ekzistencë, asnjëherë nuk e kishte lënë veten jashtë aktiviteteve të ndryshme që bëheshin në Kumanovë për çështjen kombëtare. Safetit i dhimbsej shpirti kur përcillte situatën e rëndë të viteve 1987/88 dhe kur ai kishte vetëm 10 vjet. Nëna loke, Telfije, rrëfen se “me rastin e rrënimit të mureve dhe të demonstratave në Kumanovë, ai e ndiente shumë rëndë presionin e pushtetit maqedonas që ushtronte dhunë ndaj shqiptarëve në Maqedoni, në veçanti në Kumanovë. Ai shpesh bisedonte me mua se pse erdhëm në Kumanovë, më mirë do të kishim kaluar në Kosovë”. Me kalimin e kohës ai asnjëherë nuk u ndahej organizimeve kombëtare, sido­mos kur u rrit. Lokja Telfije tregon se bashkëshortin e kishte në moshë të shtyrë dhe pas një kohe ai vdiq dhe barra e familjes i mbeti Safetit.[7] “Isha nanë me katër jetima. Vullneti i Safetit për t’u përfshirë në luftë për lirinë e Kosovës ishte më i madh se dashuria e fëmijës për nënën dhe nuk më tregoi të vërtetën dhe mori rrugën për liri”, rrëfen nëna e tij. Safeti ishte vetëm 21-vjeçar, mirëpo kishte besimin e plotë te shokët e tij. Në fillim të marsit 1999 ai nuk e pati të vështirë t’i mbledhë 40 shokë nga Kumanova që kishin vendosur ta marrin rrugën për në Shqipëri për t’u dalë në ndihmë vëllezërve kosovarë kur situata kishte filluar të eskalojë. Sipas kujtimeve, njëherësh veprimeve të përbashkëta të Safetit, me shokun e pandashëm Muzaferin, grupi nga Kumanova mori rrugën drejt Shqipërisë. Me të arritur në Shqipëri, ai u takua me disa shokë që bënin bartjen e njerëzve dhe siste­mimin e tyre nëpër qendrat stërvitore në Shqipëri. Pas disa ditë ushtri­mesh, Safeti me disa shokë mori rrugën drejt Vushtrrisë. Sipas rrëfimit të shokut të lirisë, Xhemajl Haki Berishës, nga fshati Bivolak, ata u takuan për herë të parë me Safetin më 7 shtator 1998 në Vlahnë të Kukësit. Aty ka pasur një numër të madh të ushtarëve nga të gjitha viset shqiptare, që përgatiteshin për të hyrë në frontin e luftës në Kosovë. Sipas tij, në këtë qendër stërvitore “Safeti ishte me 10 shokë të diasporës, të gjithë nga Kosova. Nga ata më shumë unë u shoqërova me Safetin dhe pas disa ditë ushtrimesh, ne grupi ynë ia mësymë kufirit kosovar. Ishte natë e vonë e 7 shtatorit dhe në mëngjesin e 8 shtatorit 1998, ne arritëm në fshatin Rugovë të Hasit. Në atë mëngjes të lodhur e të rraskapitur me shumë rreziqe u pritëm mirë nga bashkëfshatarët dhe u strehuam. Na sollën ushqime dhe pushuam gjatë gjithë ditës. Në mbrëmje morëm rrugën drejt fshatit Xërxë të Sama­drexhës. Gjatë këtij rrugëtimi ishim me armatim të rëndë dhe me mjete transportuese ku kishim katër xhipa dhe një kamion dhe arritëm në fshatin Llozhicë. Në këtë fshat qëndruam 5 ditë e 5 net duke mos gjetur mundësi veprimi se shumë afër fshatit ishin të stacionuar një numër i madh i forcave policore-ushtarake serbe dhe ne, në natën e pestë, falë rrëmujës së madhe të shiut, shfrytëzuam rastin dhe arritëm të depërtojmë pa pasoja të rënda, edhe pse u sulmuam nga forcat serbe dhe depërtuam në fshatin Zhilivodë, në zonën operative të Shalës në pjesën e Çiçavicës, ku ishte i vendosur edhe shtabi i batalionit. Safeti u ndal te shtabi për t’i dhënë shënimit per­sonale, ndërsa unë vazhdova rrugën për t’u paraqitur te familja, të cilët për disa javë nuk kishin pasur informacione, jam i gjallë apo i vrarë. Pas dy ditëve Safeti u bashku me ne, në familjen e Haki Berishës. Pushuam në shtëpinë tonë bashkë me shumë shokë të lirisë. Në familjen tonë Safeti u shoqërua me Fadilin, Osmanin, Afrimin, Sulejmanin, Bujarin, Mrikën, të gjithë të familjes Berisha. Pasi morëm detyrat ushtarake dhe formuam gru­pet për veprim, gjatë natës së 18 dhe 19 shtatorit 1998 filluam vëzhgimin e terrenit për të përgatitur për sulm ndaj forcave serbe, të stacionuara në afërsi të fshatit Hamidi, në zonën operative të Shalës. Pas këtij vëzhgimi, nën komandën e zonës, ne morëm sulm me 20, 21, 22 shtator 1998, ku në këtë ofensivë në fshatin Hamidi, në pikën e parë të frontit, gjatë gjithë kësaj ofensive të ashpër me shumë sakrifica, bombardime, granatime dhe sulme sporadike, duke përdorur ushtria serbe të gjitha mjetet luftarake që kishte në dispozicion, Safeti me shumë shokë ishte sypatrembur dhe gjatë gjithë kësaj beteje vendimtare ia dolëm me sukses që ta fitojmë betejën dhe forcat serbe u larguan nga pozicionet e tyre që kishin qenë të stacionuar në fsha­trat me popullatë serbe në fshatin Plemetin, që në vijë ajrore ishin larg nesh vetëm 500 metra dhe në fshatin Prilluzhë, në largësi prej 1 km vijë ajrore. Kjo ofensivë e madhe, e ashpër me shumë humbje në të dyja anët, zgjati 3 ditë e 3 net, pa asnjë orë ndërprerje të sulmit mes forcave të UÇK-së dhe forcave serbe. Gjatë kësaj ofensive armiku i përdori të gjitha llojet më të sofistikuara të armatimit duke filluar nga pushka automatike, mitralozi, minahedhësi, tanket duke granatuar e bombarduar çdo pjesë ku ne ishim të pozicionuar, mirëpo forcat e UÇK-së nuk i lëshonin pozicionet dhe asnjë ushtar i lirisë nuk largohej nga pikat e frontit. Gjatë kësaj ofensive u dallua edhe Bekim Shyti, i cili ishte komandant i njësitit special të zonës operative të Shalës, që vepronte në kuadër të Brigadës 142, i cili ishte i guximshëm dhe dha kontribut shumë të madh në këtë betejë. Po ashtu, me guxim të paparë në fshatin Hamidi luftuan edhe komandant Ibrahim Kelmendi, Safet Hoxha, komandant Muja, Ali Krasniqi, Lulzim Krasniqi e shumë ushtarë të tjerë të lirisë. Në këtë ofensivë përkrah tyre nuk u ndan nga pika e frontit edhe djemtë trima nga Kumanova, Safet Haki Ajeti dhe Rexhep Rexhepi. Safetin e thërrisnim me nofkën e luftës “Arusha”, ndërsa Rexhepin “Kumanova”. Që të dy ishin sypatrembur gjatë gjithë betejës. Në këtë ofensivë vlen të potencohet se ballë për ballë me armikun ishin dy skuadra: njëra udhëhiqej nga komandant Fejzulla Berisha, skuadra e dytë nga Ibrahim Kelmendi në fshatin Hamidi. Ushtarët e lirisë të përfshirë në këto beteja ishin si luaj dhe aspak nuk u frikësoheshin forcave të mëdha serbe të armatosura deri në dhëmbë. Ne sot e kësaj dite përkujtojmë me shumë nostalgji gjithë atë veprim e atë trimëri të shokëve tanë të lirisë e sidomos i kujtojmë shokët tanë të rënë në altarin e lirisë, siç është rasti me Safet Haki Ajetin”, rrëfen shoku i tij, Xhemajli.[8]

Pas kësaj ofensive armiku më nuk ndërmori ofensivë të madhe, mirëpo deri në intervenimin e forcave të NATO-s në Kosovë për çdo ditë sulmo­heshim dhe ne ia kthenim në të njëjtën mënyrë. Sipas të dhënave të ushtarit të lirisë Xhemajl Haki Berisha, lindur më 03.02.1974, në fshatin Bivolak-Vushtrri, në intervistën e zhvilluar më 08.07.2019, deklaron se “Safet Haki Ajeti veproi si ushtar i lirisë në zonën operative të Shalës, komandant sku­adre e kishte komandant Fejzulla Berishën. Safet Ajeti ishte i përfshirë në Brigadën 142, Batalioni II, Togu I, në skuadrën Berisha. Xhemajli rrëfen se me Safetin janë ndarë në fillim të janarit të vitit 1999, i cili kërkoi leje nga komandanti i tij, Fejzulla Berisha, për të shkuar te familja e tij në Kumanovë. Aty jemi përshëndetur dhe më Safetin nuk e kam takuar. Gjatë gjithë kësaj kohe, sa ishte Safeti në luftën e Kosovës, lokja Telfije rrëfen: “Safeti m’u ka lajmëruar vetëm një herë nga pikat e frontit dhe për mua ajo ishte dita më e gëzuar në jetë. Kurrë nuk e harroj atë telefonatë kur ia dëgjova zërin Safetit dhe kur më tha: Nënë, jam gjallë dhe jemi kah përfundimi i luftës. Së shpejti do të vij në shtëpi. Nga ai çast çdo mëngjes që më çelte drita e pritja Safetin. Ditët më zgjateshin, por shpresat nuk më humbnin. Një ditë arriti Safeti në shtëpi, e përqafova dhe e shtrëngova aq fort duke më pëshpëritur: ‘Ja bre nënë u ktheva i gjallë te ti edhe pse kam qenë shumë shpesh në rrezik jete’. Më tregoi se kishte bërë disa ditë rrugë të gjatë të mundimshme nga zona operative e Shalës e deri në kufirin me Maqedoninë. Rreziqet ishin të mëdha për shkak të minimit të rrugës përreth kufirit Maqedoni – Kosovë. Takimi i Safetit me familjen ishte sa i gëzue­shëm po aq dhe i përmallueshëm për shkak se ai na informoi se shumë shpejt Kosova do ta fitojë lirinë, se ajo ashtë shumë afër, se ne ushtarët e lirisë e fituam me gjakun tonë dhe fëmijët tanë do ta gëzojnë atë. Mirëpo ajo që ishte rrëqethëse, thotë lokja Telfije, ai na tha se duhet përsëri të shkoj me shokë që të bëjmë deminimin e vendit prej nga kishte ardhur dhe se ishte shumë rrezik për popullatën dhe për ushtarët e lirisë pas përfundimit të luftës. Shpirti i tij ishte i tillë, më shumë mendonte për të tjerët se për vete, edhe nëse kishte nevojë për ta vënë jetën në rrezik. Kështu janë trimat e lirisë. Ata janë njerëzit e dritës, shkrihen si qiriri për t’u bërë dritë të tjerëve. Ata e duan lirinë më shumë se jetën. I tillë ishte Safeti. Ai edhe pse erdhi në shtëpi, shumë pak qëndroi rreth nesh. Nuk e zinte vendi vend duke komunikuar me shokë për t’i vazhduar aktivitetet e tij për deminimin e vendit përreth kufirit.

Një ditë, rrëfen Muzafer Hamdiu, “ne vendosëm të depërtonim në zonën e Vitisë për t’u ndihmuar shokëve për deminimin e zonës nga Kodra e Furrës e deri në fshatin Kalishtë. I gjithë ky organizim për deminimin e kësaj fushe dhe vije të gjatë kufitare ishte nën organizimin dhe udhëheqjen e Safet Haki Ajetit, së bashku me 13 shokë ushtarë të lirisë, prej të cilëve 4 ishin nga Kosova, ndërsa 9 ishin nga Maqedonia. Gjatë deminimit mbi fshatin Kalishtë, pasi ishin furnizuar edhe me aparatin tregues nga forcat e KFOR-it, hasën në një vend të gjerë e të minuar me të gjitha llojet e minave që ekzistonin. Gjatë deminimit kishte edhe një numër të ushtarëve të UÇK-së që na siguronin vendin ku vepronim dhe me shumë kujdes të madh i largonim minat nga fusha e minuar. Gjatë punës kishte edhe disa  ushtarë që ishin të pakujdesshëm, intervenuam dhe duke u munduar t’i bindnim ushtarët që të mos lëviznin pa komandën e tyre për shkak  se vendi ishte i minuar, për një moment shkeli në minë ushtari i lirisë Tahir Osmani nga Maqedonia dhe u plagos rëndë në të dyja këmbët. Nga ai moment u bë një rrëmujë e paparë”, rrëfen Muzaferi. Filluan ushtarët të lëviznin pa kontroll. As sigurimi nuk arrinte ta ndalte lëvizjen e tyre. Duke e parë se rrezikshmëria do të ishte shumë e madhe, u dëgjua një ngritje e madhe e zërit të Safetit: “Mos lëvizni asnjë se do të biem të gjithë në mina”. Pas qetësimit të ushtarëve, të cilët të gjithë u shtanguan dhe rrinin të ngujuar çdonjëri në vendin e tij pa lëvizur fare, atëherë Safeti bëri një lëvizje shumë të vogël për t’iu afruar shokut të tij, Tahir Osmanit, për t’i dhënë ndihmë, por hapin e parë që bëri me këmbën e djathtë Safeti, shkeli në një minë dhe u plagos rëndë.

Muzaferi rrëfen se “Safeti ishte i shtrirë dhe kokën e kishte të vendosur në këmbë. Duke më shikuar dhe duke pasur vetëdije të plotë, filloi dalënga­dalë t’i ndalen rrahjet e zemrës dhe la amanet. Në mëngjes u organizuam shokët e lirisë, e lajmëruam imamin e fshatit dhe bashkëfshatarët dhe për­gatitëm varrimin e Safetit. Gjatë ceremonisë së varrimit pati shumë shokë të luftës, eprorë ushtarakë të UÇK-së dhe një numër i madh i banorëve të fshatit, me ceremoni fetare dhe me nderime të larta ushtarake u bë varrimi i Safet Haki Ajetit, më 14.6.1999, në fshatin Beguncë të Vitisë”, përfundon Muzaferi.

MUJDIN ALIU – TETOVË

(15.01.1974-14.04.1999)

Mujdin Aliu lindi më 15.01.1974 në Tetovë nga babai Qerimi, i lindur më vitin 1947 dhe nëna Haxhere, lindur në Tetovë. Ata kishin një djalë të hasretit, Mujdinin dhe dy vajza, Naxhijen dhe Muhaberen. Mujdini ishte në mesin e dy motrave, por zoti e deshi dhe atë e mori duke e shpërblyer me gradën e dëshmorit. Mujdin Aliu, pasi kreu shkollën fillore në Porojë, u regjistrua në shkollën e mesme të zejtarisë në Gostivar, për elektricist. Pas mbarimit të shkollës së mesme ai filloi të punojë mjeshtër i rrymës. Ishte njohës i mirë i profesionit dhe mjaft i dashur. Njerëzit vazhdimisht e kërkonin për punë. Mirëpo, sipas rrëfimit të babait të tij, Qerimit, i cili edhe pse në moshë, por shumë i qëndrueshëm si zemërluani, rrëfente për të birin e tij të vetëm që e pati në jetë. Ai tregonte se “unë isha në Perëndim, por nuk rrinim të qetë dhe kur vinim nga Perëndimi, tregonim për përpje­kjet e mia rreth çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve në Kosovë e Maqe­doni. Mujdini, edhe pse ishte i ri, por me shumë vëmendje më përcillte dhe disi u ‘helmua’ me këtë çështje të padrejtësisë që bëhej ndaj shqiptarëve. Ashtu rrodhën punët, mua më burgosën në vitin 1987 pse thashë “Rroftë Shqipëria”. Mirë e kuptoja se për atë fjalë mund të dënohesha. Isha shumë i vetëdijshëm, por nuk i kuptoja pse më rrihnin e më maltretonin për këtë të. Unë e thashë atë që ma thoshte zemra. Në burg, bashkë me nënën e tij, vinin e më vizitonin, por unë nuk dorëzohesha dhe nuk u tregoja për mal­tretimet që m’i bënin. U thosha se mirë janë duke u sjell me mua. Kaloi një kohë e unë u lirova nga burgu, por prapë nuk rrija duarkryq, veproja. Përsëri në vitin 1992 u burgosa për shkak se ma bastisën shtëpinë dhe më gjetën armatim. Ma morën armatimin, më dënuan me burg, por prapë nuk i kuptoja pse më rrihnin pamëshirshëm, duke përdorur torturat që nuk mund t’i përshkruaj as sot. Djali më vizitoi menjëherë pas 10 ditëve, që nuk kishte të drejtë. Kjo bëhej nga vetë shteti se si do të sillem unë, çka do t’i them djalit, mirëpo unë nuk i tregoja për vuajtjet e mia, por ruhesha aq shumë saqë kur vinte në vizitë, asnjëherë nuk përshëndetja me dorë as në fillim e as në përfundim të vizitës, se duart i kisha copë e mish nga torturat. Ai si i ri nuk e hetonte mënyrën time, po ama shprehej shumë shpesh “hajt se do vijë një ditë” dhe e përsëriste sa herë që më vizitonte. Unë disi përpi­qesha ta qetësoja duke i fshehur torturat. Unë dola nga burgu më 1995 dhe në vitin 1997 ai më tha se dëshiron të shkojë për Itali. I thashë ti Italinë e ke këtu, pse të shkosh atje? Ai m’u përgjigj se atje do të fitojë më shumë. I thashë se, pasi ke vendos, shko. Mirëpo ai na kishte gënjyer. Nuk kishte shkuar në Itali, por kishte shkuar në Kosovë. Ai u kthye tri ditë para Vitit të Ri 1988 dhe na tha se prapë do të shkoj. Shkoi dhe erdhi gjatë vitit 1999, por tash erdhi në arkivol”, shprehet babai Qerim, shumë i pikëlluar sa mezi përmbahet dhe shton se “këtë dhimbje mund ta dijë vetëm ai që e ka pritur birin e tij të rënë në luftë”. Bashkë me shumë trima nga Maqedonia u nis për t’iu bashkuar aradheve çlirimtare të Kosovës. Së pari iu bashkua luf­tëtarëve të lirisë në Zonën Operative të Dukagjinit dhe u sistemua në njësi­tin special “Skënderbeu” më 20 tetor 1998. Më 1 prill 1999 iu bashkëngjit radhëve të luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” në luftimet e Koshares, nën komandën e Rrustem Berishës. Pas shumë luftimeve të rrepta që u zhvilluan ato ditë, Mujdini kishte përjetuar edhe gëzimin e madh kur më 9 prill 1999, nën komandën e komandant Agim Ramadanit, u thye kufiri Shqipëri – Shqipëri dhe u nxorën gurët në të cilët shkruante “Jugo­sllavia”. Lufta ishte shumë e ashpër dhe po i merrte një nga një shokët më trima si: Agim Ramadanin, Xhemajl Fetahun, Abaz Thaçin, Rrahman Tafën, Harun Bekën dhe Sali Çekun. Më 14 prill 1999 armiku kishte ndër­marrë një ofensivë të madhe. Luftohej për jetë a vdekje. Bisha e tërbuar fashiste në ikje e sipër nga frontet e luftës po përdorte artilerinë e rëndë. Predha e armikut i goditi pozicionet ku luftonte Mujdini me shokë. Katër prej tyre ranë në fushën e nderit, ndër ta edhe sypatremburi Mujdin Aliu nga Poroji i Tetovës.[9]

Lufta në Koshare ishte ndër betejat më të ashpra së cilës Mujdin Aliu nuk iu nda asnjëherë deri në rënien e tij në altarin e lirisë më 14.04.1999 në vendin e quajtur “Rrasa e Koshares”.[10] Të plagosur rëndë, gati para vdekjes, atë e transportuan nga Kosharja në Bajram Curr, nga aty në Tiranë e nga Tirana drejt Tetovës. Sot ai është i varrosur në Poroj, në mesin e shumë shokëve dëshmorë. Shumica e tetovarëve dhe të Porojit e kishin ditur, ndërsa unë jo. Lajmin e mora nga një fqinj imi dhe unë kur shkova e gjeta të shtrirë, ashtu siç nuk e kisha pritur djalin tim. Unë shumë u përmallova, mezi arrita ta përmbaj veten. As sot nuk di ta përshkruaj atë çast rrëqethës, thotë babai Qerimi. Me fillimin e luftës në Maqedoni nga UÇK-ja, në vitin 2001, Brigadës 112 iu vu emri “Mujdin Aliu”. Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ndau dekoratë në vitin 2017 dëshmorit Mujdin Aliut. Po ashtu, shteti i Kosovës, më 27 maj 2019, e shpalli “Hero i Kosovës”. E më 14 prill 2000, në njëvjetorin e rënies, u zbulua busti i dëshmorit Mujdin Aliu[11] në qendrën e Porojit si dhe rrugës kryesore të Porojit iu vendos emri i tij. Unë dhe bashkëshortja ime, tash e ndjerë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006, duke mos mundur ta përballojë vdekjen e djalit, e unë edhe sot e kësaj dite gjithnjë i mërzitur, në çdo krismë të pushkës për dasmë më vjen krisma e djalit kur e goditën. Kjo është jeta. Unë dhe bashkëshortja ime gjithmonë dhimbjen e kthenim në forcë. Në pyetjen e autorit se cila është porosia juaj pas 22 vjetëve të rënies së djalit tuaj, i ati i tij u përgjigj: “Shqipëria etnike do të jetojë e nuk do të vdesë”. Me këto fjalë e përmbylli intervistën baca Qerim Aliu.[12]

ALIRIZA SELMANI – TETOVË

(11.5.1973-27.5.1999)

Aliriza Selmani lindi më 11.05.1973 në Porojë të Tetovës. Babai Selmani, lindur më 1936 dhe nëna Fetije, lindur më 1947. Ata kishin katër djem e dy vajza: Nexhadin, Alirizën, Azbiun, Alinaxhin, Xhemaferrën dhe Bel­gjyzaren. Alirizai shkollën fillore e kreu në Porojë të Tetovës dhe nuk e vazhdoi më shkollimin për shkak se babai i punonte në kurbet dhe më vonë edhe ai zgjodhi rrugën e njëjtë. Vëllai, Nexhadiu, rrëfente se si familje qysh pas LDB-së gjithherë ndiqeshim nga pushteti sllavo-komunist. Selmani ishte nip i Rafiz Hasanit nga Merova, i cili u burgos menjëherë pas LDB-së, si nacionalist, duke e akuzuar si bashkëpunëtor dhe mbështetës i Ballit Kombëtar. Atë e kishin burgosur dhe maltretuar pa masë. Selmani ishte ndër gjeneratat e para të viteve ’70 që mori rrugën e kurbetit dhe punonte në Gjermani, i cili kur vinte në pushim thirrej në biseda informative dhe maltretohej nga pushteti si në Perëndim ashtu edhe gjatë pushimit në vend­lindje. Ai shpesh na tregonte për ndjekjen e tij dhe disi edhe dëshironte të na largojë nga ky pushtet i rëndë, por në anën tjetër dëshironte më shumë të kontribuojmë në vendlindje. Një ditë na tregoi se do ta marr për punë në Gjermani vëllanë tonë, Alirizain, sepse ai ishte disi pak më agresiv dhe nuk duronte shumë sjelljet jo të mira të policisë. Për ta larguar nga këto raste të përditshme disa vjet punoi si sezonier te baba në Gjermani. Pasi nuk i kishte të rregulluar dokumentet e punës në Gjermani, vazhdimisht kufijtë i kalonte në mënyrë ilegale dhe një nga ato momentet atë e kishin zënë në kufirin hungarez dhe e kishin larguar me një dokument që ia kishin dhënë në kufi për 24 orë ta lëshojë Serbinë. Ai u largua gjatë asaj periudhe, por u ndal të punojë te disa shokë në Prishtinë në punëtori gastronomike në vitin 1997. Mirëpo gjatë një kontrolli policor, në atë lokal, u kap nga Policia e Kosovës e përkatësisë serbe dhe kur ia gjetën dokumentin, se është dashur ta lëshojë Serbinë, ata filluan ta maltretonin për veprën e bërë. Në pyetjen e parashtruar se ti është dashur ta lëshosh Serbinë brenda 24 orëve e ti edhe pas kalimit të disa ditëve ende je këtu, Alirizai iu përgjigj se unë e kam lëshuar Serbinë, tash jam në Kosovë e jo në Serbi. Kjo për policinë ishte provokim dhe e gjeti shkasin, e mori nga lokali e dërgoi në stacionin policor dhe e maltretoi pa masë saqë kur u kthye në shtëpi nuk njihej në fytyrë që ishte vëllai jonë. Mirëpo kjo Alirizain nuk e dorëzonte, por edhe më shumë e motivonte që ai t’u rrinte përballë armiqve tanë. Pas kalimit të një periudhe, ai përsëri përmes disa shokëve mori rrugën për në Itali dhe nga atje arriti në Angli. Atje ai arriti disi të sigurojë jo në mënyrë të rregullt pasaportën e Anglisë dhe kishte filluar të punonte. Mirëpo, edhe në diasporë, edhe në vend kishin filluar përgatitjet për një luftë të madhe, që pritej të shpërthente në Kosovë. Nga ndjeshmëria që kishte për vendin dhe urrejtjen ndaj serbëve, ai filloi t’i marrë kontaktet me shokët e tij për t’u kthyer nga Anglia dhe për t’iu bashkangjitur ushtarëve të lirisë. Brengë e madhe e Alirizait ishte takimi i babit dhe nënës që ishin në Gjermani. Ai mori rrugën nga Anglia për në Gjermani për t’i takuar prindërit dhe për t’u përshëndetur me ta para se të marrë rrugën për në UÇK. Mirëpo, fati nuk deshi që ai të takohet me prindërit, për shkak se në kufirin gjerman ai u zu me dokumente jovalide dhe e burgosën një muaj dhe ia dhanë dokumentet për t’u kthyer në vendlindje. Alirizait nuk iu plotësua dëshira e madhe për t’i takuar prindërit, por iu plotësua dëshira që kishte për t’iu bashkuar shokëve të lirisë në Kosovë. Ai më tregoi, rrëfen vëllai Nexhadiu, se kam vendosur të shkoj në luftën e Kosovë dhe unë si vëllai më i madh tentova që të mos i jap leje, duke e bindur se të presim edhe pak se çka do të ndodhë. Mirëpo, ai kishte vendosur dhe ishte shumë i prerë. Nuk deshi as të dëgjojë për fjalët e mia dhe një natë më tha se sonte me disa shokë do të shkojmë për në Shqipëri e atje do të përgatitemi për të hyrë në luftë. Duke parë vendosmërinë e tij, atëherë i shpreha rrugë të mbarë. U përshëndet me familjen dhe si vëllai me vëlla e përcollëm për në Shqipëri.[13] Pas qëndrimit njëmujor në stërvitjet që i kishte bërë në Shqipëri, ai më mori në telefon dhe më tregoi se nesër do të na përcjellin për në pikat e frontit në Kosovë dhe nga ai moment më nuk kemi pasur lidhje telefonike me të deri në rënie. Alirizai iu drejtua pikave të frontit dhe ai ishte regjistruar në Brigadën 28/128-s, në vendin Gorozhup të Prizrenit. Komandant e kishte Ruzhdi Saramatin nga Prizreni. Sipas kohës që ne e kemi përcjell, ai depërtoi të jetë në pikat e frontit në muajt mars-prill 1999. Gjatë periudhës mars-prill 1999 e deri në rënie të 27 majit 1999, kur ra edhe dëshmor, ai ishte në pikat e betejat më të rrezikshme që zhvillonte kjo brigadë kundër forcave serbe në shumë pika të frontit.[14] Ne si familje çdo ditë e natë mendjen e kishim tek ai, se çka do të ndodhë, se ishte luftë dhe nga shumë ditë të kaluara gjithnjë në ankth për vëllanë tonë, një ditë mëngjesi shoku i tij i luftës, Mumin Memeti nga fshati Vice, na e dha lajmin e hidhur për rënien e vëllait tonë dëshmor. Është për t’u theksuar se ai bashkë me dy shokë kishin rënë në të njëjtën ditë, njëri nga Kosova, tjetri nga Shqipëria. Kjo ishte një ngjarje që nuk mund të ndodhte si rastësi, prandaj shokët dhe udhëheqësit ushtarakë të UÇK-së kishin marrë vendim që ata t’i varrosnin në një varr të hapur duke i vendosur që të tre njëri pranë tjetrit dhe atë: Aliriza Selmanin, Astrit Sulin dhe Bafti Haxhiun. Alirizai u nderua me dekorata të larta nga shteti i Kosovës. Në vitin 2017 u dekorua “Hero i Kosovës” dhe shumë dekorata të tjera nga Kosova dhe nga shoqatat e dala nga lufta të UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoni. Në Prizren një rrugë e qytetit mban emrin e dëshmorit Aliriza Selmani. Vëllai Azbija djalit të vet vendosi t’ia trashëgojë emrin e dëshmorit.

SHABI KAJOLLI- SHKUP

(20.4.1961- 5.5.1999)

Shabi Kajolli lindi më 20 prill 1961 në Shkup. Filloren e kreu në “Dame Gruev”, ndërsa të mesmen në “Koce Metalec” për argjendar në Shkup. Babai Faiku dhe e ëma Hidushe kishin: Shabiun, Jusufin, Menduin, Muhamedin, Abdullain dhe vajzën Havushën. Shabiu gjithherë i dhënë pas atdheut dhe lirisë, për shkak edhe të vijës së trashëguar të familjes Kajolli, që qysh herët ish”te ndjekur nga pushteti sllavo-komunist. Dësh­mori i parë nga kjo familje, Shabi Kajolli, ra në vitin 1913, i cili dekorohet me medaljen “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Dëshmori i dytë Shabi Kajolli ra dëshmor në luftën e Sremit në Vojvodinë në vitin 1944, ndërsa Shabi Kajolli me të njëjtin emër ra dëshmor nën emblemën e UÇK-së, uniformë që e deshi aq shumë saqë dha edhe jetën për lirinë e Kosovës. Pas kryerjes së shkollës së mesme Shabiu filloi punën si argjendar në punëtorinë e tij në Çarshinë e Shkupit. Shabiu e mbylli punëtorinë e tij, u përshëndet me familjen dhe mori rrugën për t’u dalë në ndihmë vëllezërve shqiptarë nga Kosova dhe për t’iu bashkangjitur ushta­rëve të lirisë.[15] Shabiu zyrtarisht është kyçur në UÇK në muajin shkurt të vitit 1999, ndërsa në mënyrë ilegale ka qenë aktiv dhe ka vepruar pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari. Shabi Kajolli ishte i përfshirë në brigadën ku komandant e kishte Rrustem Berishën, ndërsa komandant batalioni e kishte Fadil Hadërgjonajn. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij e sidomos nën komandat ushtarake ai luftoi ballë për ballë me armikun nga shkurti e deri në maj të vitit 1999, kur ra dëshmor. Pas thyerjes së kufirit nga UÇK-ja, në Koshare dhe më pas edhe nga fshati Partesh, serbët u grumbulluan edhe më shumë. Ishte një ditë kur forcat serbe kishin zënë pozicionet e tyre nëpër bunkerë. Shabiu ishte i pozicionuar edhe me shokët e lirisë në bjeshkët e Rrasës së Zogut. Nga 3 maji 1999 forcat serbe nga këto pozicione filluan të garantojnë. U plagosën rëndë 12 ushtarë të UÇK-së, ndër ta edhe komandant Ademi. Pasi ishte rëndë i plagosur, komandant Ademi dhe Bekim Halili nga Tërpeza e Vitisë u transportuan me helikopter ushtarak në Tiranë. Ditën e nesërme, më 4 maj 1999, Shabiu së bashku me 16 ushtarët që kishin mbetur nga 28 që ishin në fillim të përgatitur si njësiti më i aftë për të luftuar, edhe pse gjendja ishte shumë e rënduar, se nuk e kishin komandantin e tyre, prapëseprapë vendosën t’i vazhdojnë sulmet kundër forcave serbe, duke mos i lëshuar pikat pa komandantin e tyre. Në sulmin e 4 majit komandant “Bjeshka” mëson nga radiolidhja se ushtria serbe kishte të vrarë dhe kërkonte përforcime në zonën ku po sulmonin ushtarët e UÇK-së, pikërisht në pjesën jugore të Rrasës së Zogut. Nuk dihej saktë se sa kanë qenë të vrarë nga forcat serbe, mirëpo humbje kishin edhe forcat e UÇK-së. Në luftimet e 3, 4 e 5 majit 1999 ra dëshmor Shabi Kajolli, bashkë me tre shokët e tij, në luftim e sipër, për t’i zmbrapsur forcat serbe nga pozicionet e tyre.[16] Gjithnjë sipas dëshmisë së Fehmi Memetit nga Prishtina, në këtë ditë të 5 majit, këta 16 trimat e lirisë kishin hyrë thellë në pozicionet serbe ku, sipas komandant “Bjeshkës”, atë ditë kishin qenë të vrarë 11 nga ana e forcave serbe dhe 4 nga ana e forcave të UÇK-së. Sipas rrëfimit të Fehmiut, i cili në ato luftime kishte qenë shumë afër me Shabiun, i cili më thoshte që ta marrë në shënjestër një bunker serb ku ishin vendosur ushtarët e armikut. Sipas tij, ai posedonte predha RBG që mund ta shkatërronin bunkerin serb. Pas kësaj gjuajtje filloi një sulm nga të gjitha anët ku ishim ne, me të gjitha llojet e armëve që kishin dhe në atë breshëri plumbash u godit në gjoks. Shabi Kajolli në fushën e betejës dha amanetin duke e parë me sytë e mi, thotë Fehmiu. Ishin momente të rënda kur në fushëbetejë i humb shokët dhe me shumë vështirësi arritëm t’i tër­hiqnim tre dëshmorët për të mos rënë në duart e armikut. Ai vazhdon rrëfimin duke e parë të rënë edhe Murat Muhamedin si dhe në mbrëmje të asaj dite shokët e luftës komentonin se si e kishin vëzhguar edhe Hoxhë Jonuzin nga Gjylekara (Skifteraj-Gjylekreshta) e Vitisë, i cili kishte hyrë nëpër bunkerët serbë duke i sulmuar dhe i cili në këto sulme me një breshër plumbash, u vra nga forcat serbe në fushë të betejës. Shabi Kajolli kishte qenë i martuar me Afërditën që në jetën bashkëshortore, zoti i kishte falur 4 djem: Fatonin, Hajrizin, Dritonin dhe Agonin. Edhe pse me vështirësi pa prindin, djemtë trima si babai jetën e vazhduan me krenarinë dhe mbu­rrjen më të madhe për babanë e tyre. Në fund, duke e mbyllur historikun trimëror të Shabi Kajollit, vlen të përmendet edhe trashëgimia e emrit të dëshmorit. Djali i madh, Fatoni, u martua me Rejhanen dhe kanë dy fëmijë. Zoti deshi e ua fali në jetë edhe një djalë, të cilin e pritën me padurim për ta trashëguar emrin e babait dhe e pagëzuan Shabi. Është për t’u potencuar se në familjen Kajolli, djali i Fatonit është Shabiu i katërt.

Të dhënat për autorin u morën nga prof. dr. Shabi Kajolli, vëlla i dësh­morit.

TAHIR OSMANI – SHKUP

(13.09.1970-14.06.1999)

Tahir Osmani lindi më 13.09.1970 në fshatin Brezë të Shkupit. Babai Misimi dhe nëna Mahmudie kishin shtatë fëmijë: Sulejmanin, Nuhiun, Rabijen, Farijen, Miftarin, Tahirin dhe Miradijen. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në fshatin Brezë. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe pamundësisë nga vendet e larta malore kodrinore, ai nuk arriti që ta vazhdojë shkollimin e mesëm. Ai merrej me punë fizike dhe me blegtori sa për ta siguruar kafshatën e bukës, e sidomos me prerje të druve, që ishte punë jo vetëm e rëndë, por edhe me shumë rreziqe. Familja Osmani ishte e përndjekur gjithmonë nga pushteti sllavo-komunist dhe pengohej në jetën e lirë. Kjo familje synim kryesor gjithmonë kishte atdheun dhe lirinë e popullit shqiptar. Edhe sllavo-komunistët e arrestuan gjyshin e Tahir Osmanit, Miftarin, si bashkëpunëtor i Sulë Hotlës dhe e kishin dërguar në burgun e OZN-ës në Kala të Shkupit, duke ia prerë të dyja duart dhe e kishin dënuar me një vit burg, ndërsa djemtë e tij, Demir Osmanin e dënuan me nëntë vjet burgim, por më vonë ia falën disa dhe ai i mbajti tri vjet, ndërsa Sadik Osmanin me një vit burgim dhe e vuajti dënimin. Përpos dënimit me burg, ua konfiskuan pasurinë me 200 copë dele dhe disa lopë. Në vitin 1961 Miftari shkoi për vizitë te vajza e tij Naxhija që ishte e martuar për Arif Demirin në fshatin Gllazhnjë. Ky ishte sëmurë dhe nipat e kishin dërguar në Spitalin e Kumanovës, por pas disa minutash ndërroi jetë, por familja dyshonte për helmimin e tij. Familja, duke qenë gjithmonë e përndjekur nga pushteti, nuk e kishte guximin të paraqesë dyshimin për helmim, por disa njerëz të pushtetit kanë rrëfyer për helmimin e tij. Më 26.12.1961, e që ishte dimër i fortë, nuk arritën as që ta varrosnin në vendin e lindjes në Brezë, por e varrosën në fshatin Likovë të Kumanovës, ku edhe sot e kësaj dite e ka varrin. Tahir Osmani filloi të aktivizohet kur filloi vala e refugja­tëve të Kosovës nëpër vendet kufitare të Malësisë së Karadakut si dhe në bartjen e armatimit për në Kosovë. Ai me shokun e tij Ismet Bajramin në mënyrë ilegale bartnin armatim nga Maqedonia për në Kosovë. Për pen­gesat që paraqiteshin nga punkti i ushtarëve serbë në vendin e quajtur Buzovik, mbi Lubishtë, Tahiri me shumë shokë e larguan punktin serb duke e sulmuar dhe e hapën rrugën ku kaluan mbi 6 000 refugjatë kosovarë, disa prej tyre i stacionuan nëpër familjet dhe në fshatin Brezë, shumicën e përcillnin në vendet e rrafshit të komunës së Likovës e më larg. Tahri që nga viti 1997 nëpërmjet Skënder Hebibit, djalit të Lazimit, ishte i përfshirë dhe koordinoheshin në logjistikë për ta ndihmuar luftën e Kosovës. Bashkë me shumë shokë ai kishte vepruar edhe në shumë ngjarje të rënda gjatë bartjes së armatimit dhe në koordinim për ta vazhduar edhe më tej luftën e Kosovës, kishte rënë në kontakt edhe me shokun e tij Safet Ajeti, i cili ishte kthyer nga Kosova në Kumanovë për ta organizuar grupin e të rinjve që dëshironin t’i bashkoheshin UÇK-së. Mirëpo Tahiri kishte vendosur që t’u dalë në ndihmë shokëve përmes Safet Ajetit nga Kumanova për ta deminuar vendin që të hapet rruga e depërtimit të shumë të rinjve nga Karadaku për në luftën e Kosovës. Me 14.6.1999 Tahir Osmani bashkë me Safetin dhe 13 ushtarë të lirisë, prej të cilëve 4 ishin nga Kosova, ndërsa 9 ishin nga Maqedonia, nisen për ta deminuar vendin mbi fshatin Kalishtë. Grupi i ushtarëve të udhëhequr nga Safet Ajeti ishin të furnizuar me apa­ratin tregues nga forcat e KFOR-it. Ata gjatë hulumtimit hasën në një vend të gjerë e të minuar me të gjitha llojet e minave. Gjatë deminimit shkeli në minë ushtari i lirisë Tahir Osmani nga Breza dhe u plagos rëndë në të dyja këmbët. Aty u bë një rrëmujë e paparë, rrëfen Muzaferi dhe vëllai i Tahirit, Nuhi Osmani. Filluan ushtarët të lëviznin ku u dëgjua një ngritje e madhe e zërit të Safetit: “Mos lëvizni asnjë se do të biem të gjithë në mina”. Pas qetësimit të ushtarëve, Safeti bëri një lëvizje shumë të vogël për t’iu afruar shokut të tij, Tahir Osmanit, për t’i dhënë ndihmë, mirëpo hapin e parë që bëri me këmbën e djathtë, Safeti shkeli në minë dhe u plagos rëndë. Ne shumë shpejt arritëm në vendin e ngjarjes, rrëfen vëllai i Tahirit, Nuhi Osmani. Unë iu afrova vëllait tim i cili kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. E tërhoqëm dhe iu drejtova Safetit për t’ia dhënë ndihmën e parë, duke ia lidhur këmbën me këmishën time. Vazhduan t’i kërkonim Ismet Bajramin dhe Isa Shefkiun, të cilët ishin plagosur më lehtë. Atëherë, rrëfen Nuhiu, e morëm kufomën e vëllait nga vendi i quajtur Kalishtë të Vitisë, me kalin tonë e vendosëm në një anë dru e në njërën anë kufomën dhe e dërguam në fshatin Malinë dhe aty e varrosëm. Nuhiu rrëfen se vëllanë tonë Tahirin e kemi rivarrosur në vitin 2002 në fshatin Brezë, afër shokut të tij të idealit, Ismet Bajrami, i cili ra dëshmor në luftën e UÇK-së më 2001 dhe që të dy dëshmorët pushojnë afër njëri-tjetrit si kur ishin gjallë. Sipas dëshmisë së disa shokëve të luftës, Nuhiu rrëfen se ata na kanë njoftuar se vëllai ynë Tahir Osmani ka qenë i angazhuar në Brigadën 162 “Agim Bajrami” të Nerodimes bashkë me shokun Safet Ajeti, mirëpo ne familja Osmani jemi thellë të indinjuar për shkak të neglizhencës dhe mos­pranimit të vëllait tonë dhe duke ia mohuar statusin e dëshmorit. As sot nuk e marrim ndihmën e afruar nga shteti i Kosovës. Tahiri ishte i martuar me bashkëshorten Arifen dhe ka dy fëmijë: vajzën Teutën që e kishte lënë dy vjet dhe djalin Valonin që e kishte lënë gjashtë muaj. Ne, thotë ai, ndihemi në pozitë shumë të vështirë, kur djali i dëshmorit Tahirit na pyet për babanë e tij se kur, ku dhe si u vra babai i tij dhe pse ne nuk pranojmë ndihma në të holla sikur dëshmorët e tjerë. Arifja, bashkëshortja e dëshmo­rit, sot e kësaj dite, pasi djali dhe vajza kanë mbushur 23 vjet, arriti t’i rritë e t’i mbajë gjithnjë duke kërkuar ndihmën e kunetërve pa asnjë ndihmë për veten dhe fëmijët. Ne kërkojmë e apelojmë te shteti i Kosovës që të na e zgjidhë statusin e vëllait tonë, se ajo Kosovë u çlirua edhe me gjakun e vëllait tonë dëshmor, Tahir Sinanit.

REMZI XHAFERI – SHKUP

(05.03.1968-26.05.1999)

Remzi Xhaferi, lindur më 05.03.1968 në fshatin Tanushë. Babai Danushi dhe nëna Xhezide kishin 12 fëmijë: Remziun, Sylën, Imerin, Zimriun, Selamiun, Ukshinin, Bastriun, Qamilen, Fatimen, Ajshen, Hanmien dhe Hanifen. Remziu shkollën fillore e kreu në Haraçinë, por për shkak të kushteve ekonomike nuk pati mundësi financiare që ta vazhdojë shkollimin e mesëm. Ai merrej me punë fizike për ta siguruar kafshatën e bukës. Si vëllai i madh, mbi supet e tij kishte shumë obligime për mbajtjen e familjes. Asnjëherë, rrëfen vëllai i tij, Ukshini, nuk kemi qenë të punësuar në shtet as para lufte e as pas saj. Gjithmonë si familje kemi qenë të përndjekur dhe shteti na ka llogaritur si të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm. Duke u nisur nga kjo, dua t’ju them edhe vështirësitë e jetës së vëllait, Remziut, i cili në vitin 1992 u arrestua në shtëpi. Si çdoherë montime, siç ata dinë t’i bëjnë, duke ia veshur veprat e pabëra dhe e burgosën duke e dënuar me gjashtë vjet vuajtje të burgut, të cilat i vuajti në Idrizovë të Shkupit, duke mos u dorëzuar asnjëherë para atij pushteti. Remziu në burg ishte i maltretuar në mënyra të ndryshme dhe pas daljes nga burgu ai nuk shihte më perspektivë në shtetin e Maqedonisë dhe mezi priste t’i hakmerrej serbit. Ai pas daljes nga burgu në vitin 1998 filloi të shoqërohej dhe të gjejë lidhje për t’iu bashkë­ngjitur vëllezërve kosovarë dhe për t’u dalë atyre në ndihmë për çlirimin e Kosovës, të cilën, siç thoshte ai, të vetmen dritë në fund të tunelit e shihte çlirimin e Kosovës dhe pastaj shteti i Kosovës të na ndalë në ndihmë neve shqiptarëve të Maqedonisë, që jemi jetimë në shtetin tonë. Atë natë që kishte vendosur për të marrë rrugën për në luftën e Kosovës, atë natë te ne erdhi shoku i tij, Ismet Mustafa nga Çerkezi i Kumanovës. Ne bashkë, e gjithë familja, ndenjëm deri në mëngjes. Remziu mori lejen e prindërve. Duke e përqafuar me shumë mall, e përcollëm drejt Tiranës.[17] Pas një muaji ai  na lajmëroi se gjendet në vijat e para të frontit bashkë me shumë shokë duke u shprehur ‘se m’u realizua ëndrra kur kapa pushkën kundër serbit’. Remziu nga Tirana shumë shpejt arriti në vijat e frontit, sepse ai nuk u ndal të stërvitej, sepse ishte i përgatitur për shkak se gjatë shërbimit ushtarak e kishte kapur lufta në Kroaci dhe ai ishte pjesë e luftës në anën kroate kundër serbëve. Ai iu drejtua Koshares dhe u regjistrua në Brigadën 138 “Agim Ramadani”. Gjatë gjithë kohës së luftimeve të kësaj brigade, Remziu asnjëherë nuk iu nda shokëve të frontit dhe ishte mjaft i shkathtë në luftime, pas përvojës që kishte në luftën e Kroacisë. Sipas rrëfimeve të vëllait, Ukshinit, ai tregon, në bazë të dëshmive të hoxhës nga kjo anë, Muhamer Vejselit, i cili e kishte vëzhguar për së afërmi, na ka treguar për heroizmin dhe trimërinë e tij gjatë luftimeve kundër armikut të betuar serb. Pas Remziut, pa na treguar fare në familje, mori rrugën për t’iu bashkë­ngjitur luftëtarëve të lirisë edhe vëllai ynë Selamiu, i cili luftoi në Zonën Operative të Pashtrikut. Me të dëgjuar Remziu, ai ishte shprehur “hajde vëlla se ne jemi 7 vëllezër. Babai ka lindur edhe për luftë edhe për punë, se liria nuk fitohet pa gjak e gjaku ynë i derdhur do ujit lulen e lirisë”. Mirëpo, jeta ishte e caktuar nga lart dhe luftimet e ashpra e ndan edhe nga jeta edhe nga vëllai i tij, Selamiu dhe Remziu në një betejë të rëndë, duke i sulmuar forcat serbe, u plagos dhe nga plagët e marra nuk arriti t’i shpëtojë vdekjes. Beteja ishte e datës 26 maj 1999. Po me këtë datë Remzi Xhaferi ra dëshmor në pikat e para të frontit të Koshares.[18] Nga kujtimet dhe nga malli i madh që kishte vëllai për vëlla, e sidomos Selamiu, pas lindjes së fëmijës djalë, ai vendosi t’ia trashëgojë emrin e dëshmorit duke e pagëzuar me emrin Remzi, i cili sot ka mbushur 16 vjet dhe ndihet krenar për trimërinë e hero­izmin e xhaxhait. E gjithë familja e gjerë Xhaferi sytë e shpirtin e kanë kah Remziu i ri. Atë e duan dhe e përkrahim gjithherë. Ne tash kur e thërrasim e kujtojmë Remziun i cili na mungon. Ishte kryefamiljari ynë, vëllai ynë i madhi dhe udhërrëfyesi ynë. Remziu në fillim ishte i varrosur në Koshare në rrethana lufte. Kur u bë rivarrimi i tyre, ne familjarët kërkuam që ai të varroset në varrezat e dëshmorëve në Kabash të Vitisë për shkak se ne të gjithë familjarët i kemi në Viti dhe të jemi më afër tij për ta vizituar. Për respektin e dhënë në luftë, komuna e Vitisë e nderoi dëshmorin, na nderoi familjen duke e pagëzuar një rrugë në Viti me emrin Remzi Xhaferi.

ZEKIRJA DARDHISHTA – SHKUP

(02.08.1970-16.04.1999)

Zekirja Dardhishta lindi më 02.08.1070 në Shkup, nga babai Musliu, i lindur në vitin 1949 dhe nëna Habibe, e lindur bë vitin 1948. Kishin shtatë fëmijë: Abazin, Zekirjaun, Dautin, Xhabirin, Ametin, Sahiden dhe Fahrijen. Zekirjai shkollën fillore e mbaroi në Shkup dhe nuk vazhdoi më shkollimin e mesëm. Sa ishte i ri filloi të merrej me tregti. Babi punonte në një ndër­marrje shtetërore e ne të tjerët mundoheshim në mënyra të ndryshme ta mbanim familjen. Duke qenë gjithnjë në lidhje miqësie e vëllazërore me kosovarët, fillimi i luftës e sidomos masakra e familjes Jashari dhe trimëria e saj që i rrinte përballë armikut serb, Zekirjain e tërhiqte lufta dhe gjithnjë kërkonte shokë për të shkuar pranë vëllezërve kosovarë në pikat e para të frontit. E gjithë kjo kohë zgjati deri në muajin shkurt 1999. Ai mori vendim të marrë rrugën dhe arriti në vendin Padesh të Shqipërisë. Aty kryen përga­titjet ushtarake dhe shumë shpejt merr rrugën drejt Kosovës. Ai i kishte zgjedhur pikat më të rrezikshme të frontit. E zgjodhi Kosharen.[19] Zekirjait iu plotësua dëshira për të kapur pushkën e për ta luftuar armikun shekullor serb. Ai u përfshi në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, të cilin e pati edhe komandant të tij. Gjatë kësaj periudhe nga shkurti e deri në mesin e prillit, Zekirjai nuk lëshoi asnjë betejë të mos jetë pjesëmarrës në luftën kundër armikut serb. Sipas vëllait, Amet Dardhishtës, i cili rrëfente për kohën deri sa ai ishte në luftën e Kosovës, ne si familje ishim gjithmonë në pritje të ndonjë lajmi jo të mirë nga shokët për shkak se në Kosovë gjatë kësaj periu­dhe zhvillohej luftë e ashpër mes forcave të UÇK-së dhe forcave serbe. Nga ajo që pritnim një ditë mëngjesi edhe morëm lajmin nga shokët e tij të pikave të para të frontit, Burim Vila dhe Ramadan Vila, që të dy shokë nga Kosova. Lajmi na u dha se vëllai ynë, Zekirjai, gjatë luftimeve ballë për ballë me armikun më 16.04.1999, në vendin e quajtur Rasat e Zogut në Koshare, ra dëshmor bashkë me dy shokët e tij, të cilët bashkë që të tre u varrosën njëri pranë tjetrit në Bajram Curr.[20] Zekirjai, para rënies, me gojë e kishte lënë që aty të varrosej. Mirëpo ishte varrosur në rrethana jo të përshtatshme. Zeqirja Dardhishta, Emri Curri dhe Zeki Shulemaja më 23 gusht 1999 u rivarrosën në Koshare. Sot trupi i Zeqirjait pushon i qetë në tokën e Kosovës që e deshi aq shumë sa dha jetën për lirinë e Kosovës. Zekirjai ka statusin e dëshmorit dhe prindërit sot marrin pensionin e dësh­morit. Në vitin 2019 u dekorua “Hero i Kosovës”, mori edhe shumë deko­rata të tjera nga shteti i Kosovës. Në qytetin e Kaçanikut një rrugë mban emrin e tij. Po ashtu, vëllai, Abazi, pas lindjes së djalit në vitin 2004, ia trashëgoi emrin e tij, duke e pagëzuar djalin Zekirja. Mirëpo, për fat të keq, edhe Zekirja i ri ishte jetëshkurtër, pasi në moshën 11-vjeçare në vitin 2015, duke luajtur me shokët në rrugë, humbet jetën nga një veturë. Këtë tragjedi ne familja e pritëm me dhimbje edhe më të madhe se të dëshmorit. Kështu e kishin fatin e jetës që të dy Zekirjajtë.

Për fund fjalët e babait dhe nënës së Zekirjajt: “Ne ende, edhe sot e kësaj dite, edhe pas 22 vjetëve të rënies, e kemi afër, gjithnjë duke e kujtuar dhe duke e pasur në mesin e zemrës. Ajo zemër gjithnjë dhe vazhdimisht rrjedh lot nga brenda, por jo nga jashtë. Assesi nuk do të na shohin lotin derisa ne të shkojmë e të takohemi me të në lulen e xhenetit”.

Këta dëshmorë, përmes luftës dhe sakrificës së tyre, i japin Ushtrisë Çli­rimtare të Kosovës një dimension shumë më të gjerë se që e shpreh emri i kësaj ushtrie. I japin dimension mbarëkombëtar, prandaj dhe sakrifica e tyre është një shumë e vlershme.

Literatura:

Ademi, Minir, Dëshmorët kombit (UÇK) 2001, Aj-Graf MATBAA, Shkup, 2010.

Ademi, Minir, Beqir Sadiku, luftëtari i tri emblemave, Arbëria Design, Kumanovë, 2014.

Flaka e Janarit, Feniks, Kërçovë, 2002.

Islami, Bedri, Përjetësia e dyfishtë, Toena, Tiranë, 2008.

Kurti, Bajram, Gjaku i lirisë 7-8, Celina-s, Prizren, 2005.

Kurtaj, Hajrush, Lufta e UÇK-së në Zonë, Prishtinë, 2012.

Veliu, Fazli, LPK dhe UÇK: Një emblemë, një qëllim, Dritëro, Tiranë, 2000.

[1] Hajrush Kurtaj, Lufta e UÇK-së në Zonë, Prishtinë, 2012, f. 11.

[2] E dhënë gojore e Besa Limanit, dhënë autorit 6.3.2022, Kërçovë.

[3] E dhënë gojore e Xhemail Jasharit (vëllai i dëshmorit), dhënë autorit 15.3.2019, Orizare.

[4] Bajram Kurti, Gjaku i Lirisë 7-8, Celina-s, Prishtinë, 2005, f. 116.

[5] E dhënë gojore e Ahmet Mustafës (vëllai i dëshmorit), dhënë autorit më 15.3.2019.

[6] Bahri M. Gashi, Kosharja, altari i Lirisë, Faik Konica, Prishtinë, 2006, f. 473.

[7] E dhënë gojore e Telfije Ajeti (nëna e dëshmorit), dhënë autorit më 03.03.2019, Kumanovë.

[8] E dhënë gojore e Xhemajl Berishës (bashkëluftëtar), dhënë autorit më 03.03.2019, Prishtinë.

[9] Bajram Kurti, Gjaku i Lirisë 7-8, Celina-s, Prishtinë, 2005, f. 157.

[10] Bahri M. Gashi, Kosharja, altari i lirisë, Faik Konica, Prishtinë, 2006, f. 472.

[11]Po aty f. 157.

[12] E dhënë gojore e Qerim Aliut, (baba i dëshmorit), dhënë autorit më 03.03.2022, Tetovë.

[13] E dhënë gojore e Nexhadi Selmanit (vëlla i dëshmorit), dhënë autorit më 03.03.2022, Tetovë.

[14] Bahri M. Gashi, Kosharja, altari i lirisë, Faik Konica, Prishtinë, 2006, f. 473.

[15] E dhënë gojore e Muhamed Kajolloit (vëlla i dëshmorit), dhënë autorit më 03.03.2022, Shkup.

[16] Bahri M. Gashi, Kosharja, altari i lirisë, Faik Konica, Prishtinë, 2006, f. 474.

[17] E dhënë gojore e Ukshin Xhaferit (vëlla i dëshmorit), dhënë autorit më 02.03.2022, Shkup.

[18] Bahri M. Gashi, Kosharja, altari i lirisë, Faik Konica, Prishtinë, 2005, f. 475.

[19] E dhënë gojore e Amet Dardhishtës (vëlla i dëshmorit), dhënë autorit më 03.03.2022, Shkup.

[20] Bahri M. Gashi, Kosharja, altari i lirisë, Faik Konica, Prishtinë, 2006, f. 473.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria për Punë Inspektuese në komunën e Rahovecit pas përfundimit…